Flitet aq shumë për reforma në raporte e strategji, por për ambasadoren e Republikës Federale Gjermane në Shqipëri, Susanne Schütz, duhet të mbetet e qartë se reformat nuk janë qëllim në vetvete. Para së gjithash, ato duhet të synojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve. “Të hapen vende pune, prej të cilave njerëzit të mund të jetojnë; të garantohet kujdes shëndetësor, të cilin njerëzit mund ta përballojnë financiarisht; të jepen oferta arsimore, që t’u përgjigjen kërkesave të cilësisë.
Rruga e integrimit në BE duhet përshkuar së bashku me njerëzit”, shprehet ambasadorja në një intervistë për “Monitor”. Lidhur me nxitjen e investimeve gjermane në vendin tonë, Schütz nënvizon se ka vend për përmirësim në disa aspekte si siguria ligjore, eliminimi i korrupsionit dhe një sistem eficient drejtësie, sikurse kushte të besueshme tatimore dhe një infrastrukturë e mirë. Përmbushja e këtyre do të përkthehej edhe në më shumë investime. Projektet e së ardhmes, grantet dhe mbështetja financiare në vijim do të jenë pjesë e diskutimeve me qeverinë e re për të parë hapësirat dhe mundësitë. Këto negociata do të nxjerrin edhe paketën se ku do të orientohet mbështetja.
Shqipëria ka një qeveri të re, e cila është në fillimin e mandatit të saj. Në opinionin tuaj, si përfaqësuese e Republikës Federale Gjermane, cilat janë disa nga çështjet më të rëndësishme të brendshme që duhet të adresohen me synim që të ecet përpara në rrugën drejt integrimit në BE?
Me rëndësi thelbësore mbetet përmbushja e pesë prioriteteve kyçe – dhe këtu elementi qendror është reforma në drejtësi, pa të cilën është e vështirë të arrihet progres në sektorët e tjerë. Vendosja e piketave të duhura e të rëndësishme është bërë tanimë, para së gjithash, përmes miratimit të reformës në drejtësi në korrik 2016. Por tani qeveria do të duhet të përpiqet me gjithë sa mundet, që pas fjalëve të vijnë veprat. Rezultatet konkrete në procesin e vetting-ut janë kusht paraprak që Komisioni Europian të mund të rekomandojë çeljen e bisedimeve për anëtarësim.
Edhe Bundestag-u Gjerman i sapozgjedhur do të mund të hapë dritën jeshile për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit, vetëm nëse konstatohet në mënyrë të dukshme që vetting-u është duke ecur përpara dhe se në reformën e administratës publike, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe të drejtat e njeriut dhe të pronësisë janë bërë hapa konkretë përpara. Për shkak të fazës së bllokimit përpara zgjedhjeve, fushatës zgjedhore dhe formimit të qeverisë, është humbur shumë kohë. Por një gjë dua ta theksoj: proceset e reformave nuk janë qëllim në vetvete, ato janë të rëndësishme për njerëzit në këtë vend.
Ndaj edhe në të gjitha ndryshimet e rëndësishme strukturore, në fokus duhet të mbeten shqetësimet më të rëndësishme të njerëzve. Është fjala, pra, të hapen vende pune, prej të cilave njerëzit të mund të jetojnë; të garantohet kujdes shëndetësor, të cilin njerëzit mund ta përballojnë financiarisht; të jepen oferta arsimore, që t’u përgjigjen kërkesave të cilësisë. Rruga e integrimit në BE duhet përshkuar së bashku me njerëzit.
Si e shihni interesin nga investitorët gjermanë për Shqipërinë? A po rritet ky interes dhe çfarë mund të bëjë qeveria e re për të përmirësuar klimën e biznesit?
Shqipëria ka potencial të jashtëzakonshëm – bujqësi, pasuri nëntokësore, turizëm, për të përmendur vetëm disa prej sektorëve. Këtyre u shtohen shqiptarët dhe shqiptaret që kërkojnë të punojnë me shumë angazhim e që janë të gatshëm të kualifikohen, duke qenë shpesh edhe zotërues të gjuhëve të huaja. E megjithatë unë do të dëshiroja më shumë iniciativë private dhe shkëmbime tregtare mes dy vendeve tona.
Investitorët gjermanë më thonë herë pas here, se çfarë është për ta veçanërisht e rëndësishme në këtë kontekst: siguria ligjore, eliminimi i korrupsionit dhe një sistem eficient drejtësie, sikurse kushte të besueshme tatimore dhe një infrastrukturë e mirë. Në këtë këndvështrim unë shoh ende potencial përmirësimi, dhe me kënaqësi konstatoj se qeveria e re nën drejtimin e Kryeministrit Rama është e vendosur të përballet me këto sfida.
Ne konstatojmë herë pas here se interesi rritet, nëse sipërmarrësit krijojnë një ide të drejtpërdrejtë rreth mundësive në Shqipëri – edhe për këtë arsye Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë do të organizojë në datën 16 nëntor një aktivitet me titull “Automotive-Dialog”, i cili do të sjellë të interesuar të fushës në Shqipëri.
Gjermania ka qenë shumë aktive në Shqipëri, duke ofruar grante, asistencë dhe projekte konkrete. Cilët do të jenë sektorët që do të përfitojnë në vitet e ardhshme? A mund të na jepni më shumë detaje?
Bashkëpunimi ynë për zhvillim me Shqipërinë – në kuadër të të cilit prej vitit 1988 në Shqipëri janë lëvruar më shumë se 1 miliard euro – ka përmirësuar në mënyrë konkrete kushtet e jetesës së njerëzve, si dhe ka kontribuuar që njerëzit të vështrojnë me më shumë optimizëm drejt së ardhmes. Spektri i mbështetjes sonë, si donatori i dytë bilateral më i madh i Shqipërisë, në kuadër të bashkëpunimit për zhvillim shtrihet nga furnizimi i besueshëm me ujë higjienikisht të pastër, energjia miqësore me mjedisin, asgjësimi profesional i mbetjeve dhe ujërave të ndotura deri tek arsimi profesional, zhvillimi i turizmit, mbështetja e sipërmarrjeve të vogla e të mesme dhe përafrimi i fermerëve shqiptarë me standardet e Bashkimit Europian.
Aktualisht janë duke u zbatuar më shumë se 50 projekte: kështu, për shembull, falë mbështetjes gjermane më shumë se 1 milion shqiptarë/e furnizohen me ujë të pastër dhe kanë një sistem të rregullt të eliminimit të ujërave të ndotura. Tani është e rëndësishme të vijojmë me realizimin e suksesshëm të aktiviteteve tona të përbashkëta. Këtu bën pjesë, për shembull, zhvillimi i potencialeve të hapësirave rurale dhe marrja e kontrollit mbi problemet e menaxhimit të mbetjeve. Se ku dhe kur mund të angazhojmë mjete të tjera financiare, në mënyrë që të përmirësojmë shpejt dhe ndjeshëm së bashku me partnerët tanë shqiptarë kushtet e jetesës së njerëzve, kjo pyetje do të jetë objekt i një dialogu të afërt me qeverinë e sapozgjedhur./monitor/
Diskutime rreth kësaj post