Emërohet përkohësisht në postin e regjistruesit të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës Edlira Nova. Vendimi është marrë nga Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj.
Edlira Nova (Çollaku) do ta mbajë këtë post “deri në përfundim të procedurave ligjore të plotësimit të pozicionit të Regjistruesit përmes procedurës së konkurrimit publik”, thuhet në vendimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Edlira Nova ka mbajtur deri tani postin e specialistes pranë ZVRPP Durrës.
3 drejtorë në 6 muaj
ZVRPP Durrës ka ndërruar 6 muajt e fundit tre drejtorë. Ani Dyrmishi u shkarkua nga detyra në muajin qershor, me urdhër të Ministrit teknik të Drejtësisë, Gazmend Bardhi, pasi u denoncua përmes një fotoje të publikuar në Facebook nga ish-kryeministri Sali Berisha se ishte përfshirë në fushatën elektorale të kandidates socialiste për deputete, Milva Ekonomi.
Vendin e Dyrmishit e zuri Adrian Kona, i cili mbante postin e zv/drejtorit të ZVRPP Durrës.
Por as Kona nuk rezistoi gjatë në këtë post, pasi u detyrua të jepte dorëheqjen, pasi kryeministri Rama, në një takim me drejtorët e ZVRPP-ve u kërkoi publikisht të dorëhiqeshin.
Pas kësaj dorëheqje, ZVRPP Durrës mbeti pa regjistrues, duke bllokuar procesin e pajisjes me dokumentin hipotekor për qindra qytetarë.
Ministria e Drejtësisë ftoi të gjithë ata që dëshironin të kandidonin për postin e regjistruesit e ZVRPP-ve në shkallë vendi të paraqisnin CV-të, për t’iu nënshtruar më pas konkurrimit.
Por jo më shumë se një javë më parë, nga Ministria e Drejtësisë u deklarua se pjesa më e madhe e personave që kishin dorëzuar CV-të për të zënë këtë post të rëndësishëm nuk plotësonin kriteret. Ministria ftoi sërish të gjithë specialistët të aplikonin për t’u përfshirë në procedurat e konkurrimit.
Mësa duket procesi do të zgjasë në kohë, prandaj, për të mos bllokuar funksionimin normal të kësaj drejtorie të rëndësishme, Ministria e Drejtësisë ka vendosur të zgjedhë në mënyrë provizore një drejtor të ri në Durrës.
Diskutime rreth kësaj post