Në shkrimin ‘in memoriam’ për shkrimtarin Kasëm Trebeshin, i cili u nda nga jeta para disa ditësh, nënvizoja se Kasëm Trebeshina mund të konsiderohet si një nga njerëzit me jetën më të paqetë të mundshme dhe e quaja ‘nopran’ dhe ‘rebel’.
Ish-komunisti i devotshëm që kishte shërbyer në organet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe njëherësh antikomunisti ekstrem, pas vitit 1991 është quajtur ‘shkrimtar disident’. Madje shpesh nuk përdorej emërtimi shkrimtar për faktin se vepra e këtij autori nuk u zbulua asnjëherë deri më sot e plotë. Ai më së shumë është thirrur si disident.
Albanologu Robert Elsie botoi një promemorie të Trebeshinës drejtuar Enver Hoxhës në vitin 1953, me anë të së cilës ai i kundërvihej hapur metodës së realizmit socialist në letërsi dhe arte. Mirëpo të bën përshtypje fakti se kjo letër-promemorje nuk gjendet asgjëkundi, as në arkivin e shtetit dhe as tek ata 4-5 miqtë e ngushtë të Trebeshinës. E kam fjalën këtu për shkrimtarin Xhevat Beqaraj, piktorin Llambi Blido, biografin e Kasëmit, Nuri Dragoj e ndonjë tjetër. Përgjigja e tyre ishte negative.
Madje as shkrimtari dhe studiuesi Nasho Jorgaqi që është një arkiv më vete dhe një hulumtues këmbëngulës, nuk e disponon një letër të tillë. Nuk ka as edhe fotokopje gjëkundi. Megjithatë, miqtë e Kasëmit këmbëngulin se një promemorie e tillë i është dërguar Enver Hoxhës, ndaj dhe shkrimtari e pësoi me burgim dhe me ndalimin e veprës.
Madje piktori Llambi Blido shkon edhe më tej, kur tregon një episod nga kujtimet me Kasëmin: “Një letër të ngjashme Kasëmi ia ka dhënë rreth dy dekada më vonë në dorë Mehmet Shehut, e cila mbyllej me fjalët: ‘Pse për këto ideale vajte e luftove ti deri në Spanjë?’. Por edhe ajo letër nuk gjendet. Pse? Kasëmi më tregonte se pasi e kish lexuar atë letër, Mehmet Shehu e kishte palosur dhe futur në xhep pa thënë asnjë fjalë. Me siguri e ka grisur. Në këtë rastin e dytë nuk u muarr asnjë masë kundër meje, tregonte Kasëmi”, e mbyll rrëfimin e tij Llambi Blido.
“Mos u mundo kot se nuk e gjen dot atë letrën ne 53-shit” më thanë miqtë e Kasëmit. “Ka pasur më të interesuar se ti që kanë shkuar nëpër arkiva dhe nuk e kanë gjetur dot… Dikush ka qenë i interesuar për asgjësimin e asaj letre…”
Mirëpo, ku e gjeti këtë promemorie studiuesi i huaj Elsie? Ai citon ndoshta pjesën më të madhe të promemories, por nuk tregon burimin. A duhet besuar si e vërtetë kjo promemorie? Sespe, duke pasur në dorë origjinalin e asaj letre, ekspertët mund të zbulojnë autenticitetin e saj dhe kohën kur është shkruar, qoftë dhe nga lloji i letrës që është përdorur.
Elsie shkruan:
“Ndër figurat më pak të njohura të letërsisë shqiptare të viteve të para të pasluftës është Kasëm Trebeshina (l.1926). Trebeshina ka lindur në Berat më 8 gusht 1926 dhe ka studiuar në Shkollën Normale të Elbasanit derisa hyri në lëvizjen e rezistencës komuniste më 1942. Pas luftës ndoqi studimet në Institutin e Teatrit Ostrovski në Leningrad. Komunist i angazhuar, por kurrsesi konformist, Trebeshina doli nga partia dhe më vonë nga Lidhja e Shkrimtarëve në Tiranë. Pjesën më të madhe të veprave i shkroi në fund të viteve dyzet e në fillim të viteve pesëdhjetë, por pa u botuar kurrë.
Me një akt jashtëzakonisht të rrallë disidence të hapur në jetën intelektuale shqiptare, Trebeshina i dërgoi një ‘pro memoria’ Enver Hoxhës më 5 tetor 1953, duke e paralajmëruar se politika e tij kulturore po e shpinte vendin në rrugën e shkatërrimit.”
Në vijim po sjell atë çfarë dje Nuri Dragoi, i cili disponon të njëjtin tekst si dhe kritiku Behar Gjoka, i cili gjithashtu ka bërë një libër për Trebeshinën.
Promemoria dërguar Enver Hoxhës
Ngjarjet e fundit më kanë bërë të mendohem seriozisht, sa për faktin që ndodhën, aq edhe për shkaqet që bënë të ndodhnin. Mendoj se edhe ju duhet të mendoheni për këto gjëra dhe, më shumë akoma, se ato nuk duhet të ndodhnin në një shoqëri socialiste.
Këtu nuk është fjala se u bënë veprime të shëmtuara kundër meje, kundër një shkrimtari, nga një Lidhje Shkrimtarësh dhe në mënyrë të organizuar. E keqja është se këto sulme të këtyre shkrimtarëve u bënë të drejtuara nga ju dhe në emër të një shoqërie të ndërtuar ideologjikisht e politikisht nga ju, në një mënyrë që nuk mund të pranohet se është socialiste.
Kështu, nga sa më sipër, del se problemi konkret na paraqitet në dy pamje të përcaktuara mirë. Njëra nga pamjet na paraqitet përmes atyre rrjedhimeve që vijnë drejtpërsëdrejti nga qëndrimi juaj teorik lidhur me letërsinë, qëndrim që ju e keni paraqitur në formën e një ligji, që nuk mund të diskutohet; kurse pamja tjetër paraqet, gjithashtu, në formën e diçkaje absolute, pikëpamjen tuaj politike për ndërtimin e shtetit dhe të shoqërisë. Duhet të pranojmë sinqerisht se në të dyja rastet ndeshim në mënyrë më të pagabueshme me absolutizmin e Luigjit të Katërmbëdhjetë.
Në këtë fillim tetori dhe duke u nisur nga dëshira e mirë që ju të mos shkelni në rrugë të gabuara, të cilat do të kishin pasoja tragjike si për vendin tonë, ashtu dhe për ju personalisht, vendosa që të shkruaj këtë promemorje dhe t`jua nis pa humbur kohë.
Tani, le të shikojmë secilën nga pikëpamjet tuaja kryesore, atë lidhur me artin dhe atë që ka të bëjë me këtë realitet të ndërtuar prej jush. Kam bindjen se ju nuk keni vetëdijen e rreziqeve që vijnë prej një realiteti të ndërtuar në një mënyrë të tillë.
Të gjithë këtu në Lidhje, në harmoni edhe me ata përfaqësuesit tuaj, që sollën këtu porosinë tuaj, këndojnë në mënyrë të përsëritur himn për një realizëm të quajtur “socialist”. Pa qenë nevoja që të jesh shumë i zgjuar, këtu arrin në përfundimin e pashmangshëm se, ose ekziston një “realizëm”, ose prej momentit që ai ka nevojë që t’i vihet një bisht, ai pushon së ekzistuari. Realizmi ose është realizëm, ose nuk është fare i tillë. Që këtej del se kjo rrymë letrare, që në fillim të saj, niset shtrembër dhe kuptohet çfarë gjëje e përbindshme do të dalë më tej.
Vet emri realizëm socialist bëhet garanci për shtrembërime të përbindshme që edhe tani kanë nisur të duken me tërë qartësinë e formës dhe të përmbajtjes së tyre.
Le të shikojmë konkretisht se çfarë përmbajnë veprat letrare të realizmit socialist, qoftë edhe ato më të mirat. Një inxhinier i mirë, një inxhinier i keq dhe një që ndreqet!..Një fshatar i mirë, një i keq dhe një që ndreqet!…e kështu me radhë. Një i mirë, një i keq dhe një që ndreqet!…
Komunistët janë gjithmonë heronj të situatave. Ata vijnë në faqet e librave vetëm për të na recituar monologë me përmbajtje heroike!…
Le të kthehemi prapa në histori dhe le të shohim se si qëndronin punët në kohën e Luigjit të Katërmbëdhjetë.
Aty ishin ndarë punët në mënyrën më të qartë. Mbretërit dhe princat e kishin siguruar pjesëmarrjen e tyre në veprat më serioze. Ata lëviznin vetëm nëpër tragjeditë, kurse populli, të gjithë ata që ishin më poshtë se mbretërit dhe princat, e kishin vendin e tyre në veprat qesharake.
Ata ishin objekt gazi, përqeshjeje dhe fyerjesh të të gjitha llojeve.
Tani, a mund të pranohet si e drejtë që një gjë e tillë të zbatohet në shekullin XX dhe në një shoqëri që pretendon se është socialiste?
Me sa më sipër, del qartë se realizmi socialist ka lidhje të drejtpërdrejta me idetë e absolutizmit francez, qoftë si teori, qoftë si praktikë. Megjithatë, gjëja më e keqe nuk na shfaqet në praktikën e zhgaravitjeve letrare, se ato si vepra të dobëta do të zverdheshin në vitrinat e librarive dhe shumë shpejt do të harroheshin edhe nga vet autorët e tyre.
Gjëja më e keqe, sipas mendimit tim, vjen nga fakti se e gjithë puna letrare po organizohet sipas modeleve mesjetare të urdhrave fetarë e murgjëve.
Kështu, Lidhja e Shkrimtarëve është organizuar si një urdhër murgjish mesjetarë. Në krye të Lidhjes është një Mjeshtër i Madh dhe të gjithë janë të detyruar ta dëgjojnë, përderisa vazhdon funksionin e Mjeshtrit të Madh.
A nuk e kuptoni se është një koncept dhe veprim mesjetar të ndash në këtë mënyrë “funksione” dhe “privilegje”?.
Ju vendosni në Komitetin Qëndror që Kolë Jakova të jetë një shkrimtar i madh dhe të gjithë përposh aprovojnë vendimin tuaj. Kritika thërret e çirret që Halili dhe Hajria e Kolë Jakovës është një vepër e madhërishme.
Pastaj vëmendjen tuaj, së bashku me favoret, i fiton Dhimitër Shuteriqi, si kryetar i Lidhjes dhe si…
Më mirë le ta lëmë këtë pikë…
Shkrimtarët janë qytetarë me të drejta të barabarta me gjithë të tjerët dhe nuk është e drejtë që në mënyrën më të paligjshme t’i përgjigjen një çensure nga më të çuditshmet. Në qoftë se për një arsye ose një tjetër ju ngulni këmbë që të ketë çensurë, atëherë ajo le të krijohet si një institucion dhe le t’i ushtrojë hapur funksionet e saj. Kështu do të dinim se kujt t’i përgjigjeshim dhe nuk do të ngatërroheshin nëpër këmbë me funksionarët e partisë që, megjithëse nuk janë kopetentë, vijnë e japin mendime aty ku nuk ua kërkojnë.
Këtu nuk është fjala për një ose dy shkrimtarë, për mua ose për ndonjë tjetër. Këtu del në shesh fakti se, pa e kuptuar, po ndërtoni një letërsi mesjetare, me koncepte mesjetare të trashëguara nëpërmjet absolutizmit francez. Ka ardhur koha që të kuptohet se një letërsi si ajo që po kërkoni ju, na kthen prapa në kohën e Luigjit të Katërmbëdhjetë. Prandaj ka ardhur koha që të hiqet dorë nga praktikat si këto që po vihen në jetë në shoqërinë tonë dhe të kuptohet një herë e mirë se arti, duke qenë i një natyre specifike, nuk mund të përfshihet në format organizative të partisë. Ai, arti, megjithëse është superstrukturë dhe lind në një dhe nga një strukturë e caktuar, nga vet forma e paraqitjes, merr vlera dhe forca të tilla që e bëjnë të jetojë në mënyrë të habitshme edhe pasi të kenë vdekur strukturat që e lindën… Shoqëria e vjetër greke ka vdekur me kohë, por përjetësisht të gjalla janë veprat e Homerit, Eskilit, Sofokliut e të tjerëve. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për Danten që nuk pësoi ndonjë gjë me vdekjen e Mesjetës.
Që këtej del se nuk janë të pranueshme ndërhyrjet brutale në punët e artit, sidomos nga njerëz që nuk kanë asnjë kuptim më të vogël rreth natyrës së tij të veçantë. Formave monarkike të ndërhyrjeve të ndryshme duhet t’u jepet fund dhe të lihen të qetë shkrimtarët që kërkojnë nëpër shtigje të vështira rrugët e vërteta të artit. Nuk është mirë që të ndërhyni, duke u shtuar vështirësive reale në art, vështirësi të tjera artificiale me anë të funksionarëve të huaj, që njohin vetëm praktikën e përditshme burokratike, se arti nuk mund të jetë një ushtrim zyrtar i disa veprimeve të planifikuara nga një qendër e plotëfuqishme. Prandaj ju nuk duhet ta trajtoni Lidhjen e Shkrimtarëve të Shqipërisë si një zgjatje organizative të hallkave të ndryshme që ka organizuar PPSH-ja.
Lidhja e Shkrimtarëve është një organizatë njerëzish të lirë, por jo një hallkë në një shoqëri feudale, ku ushtrohen në mënyrën më të çuditshme të drejta dhe detyra feudale. Lidhur me këto të drejta dhe detyra do t’ju jap më poshtë një shembull që nuk duhet të kishte vend në shoqërinë tonë.
Dihet se romani im «Rinia e kohës» është shkruar që më 1948, kurse romani tjetër “Mbarimi i një mbretërie” është shkruar më 1951. Por nuk duhet harruar se romani “Harbutët” i Sterjo Spasses është shkruar më 1946!… Atëherë, pse Partia vë këmbën dhe i ndal këto shkrime më të hershme dhe i jep kohë Dhimitër Shuteriqit që të shkruajë më 1952, romanin e tij pa asnjë vlerë “Çlirimtarët”?… Pse Partia ia boton me një zhurmë shurdhuese këtë roman?… Pse mobilizon gjithë kalorësit feudalë të kritikës për ta trumbetuar si romani i parë në gjuhën shqipe?… Dhe dihet se në Shqipëri janë shkruar edhe më parë, edhe shumë më parë romane… Edhe në gjuhën shqipe!… A është e drejtë që të merrej një parti e tërë, nëpërmjet funksionarëve të saj kryesorë, me gjëra të tilla?
Historia ka ligjet e saj të pashkruara dhe nuk i ka dhënë ndonjë njeriu të drejtën që të sillet si të dojë me artin. Edhe Luigji i Katërmbëdhjetë nuk e gëzoi ndonjë të drejtë të tillë. Prandaj veprimet e bazuara në një strukturë feudale nuk mund të kenë vend në shoqërinë tonë dhe ju duhet t’i braktisni. Duhet t`i varrosni kohët e errëta dhe të ktheheni në shekullin XX, për idealet e të cilit u bë një luftë e madhe dhe u sakrifikuan shumë gjëra të shtrenjta.
Eshtë pranuar nga të gjithë se, sado i mençur dhe i zoti të jetë një njeri, ai kurrë nuk mund t’i dijë të gjitha. Shoqëria është një grumbullim individësh me mendime të ndryshme, që plotësojnë një të tërë në lëvizje. Po qe se një njeri i vetëm kërkon t’i zhvendosë të gjithë të tjerët, atëherë rruga të çon në mënyrë të pashmangshme te pushteti njëdorësh. Besoj se ju nuk keni për qëllim që të arrini një gjë të tillë, prandaj duhet të merrni të gjitha masat, duke ndërprerë të gjitha ato veprime organizative që çojnë në drejtimin që thamë më sipër.
Së pari, një parti që merr urdhra të prera dhe të padiskutueshme nga lart, nuk është më një parti, por një repart kazermë. Në parti është një gjë e pamohueshme e drejta për të diskutuar gjerësisht për të gjitha problemet që ka shoqëria. Vetëm kur ta kemi diskutuar çështjen gjer në fund, ajo mund të vihet në votë dhe pas votimit do të vihet në jetë vendimi i shumicës.
Le të kapim rastin e fundit lidhur me luftën kundër meje vetëm gjatë këtij viti. Të gjithë të deleguarit, që nga prokurori Niazi Shehu, që erdhi në fillim dhe gjer te sekretari i KQ-së, Manush Myftiu, ishin njerëz që nuk merrnin vesh fare nga arti dhe letërsia. Atëherë, si erdhën këta njerëz të diskutonin çështje, për të cilat nuk ishin fare të përgatitur?
Në një numër të madh anëtarësh partie ekziston mendimi pa bazë se nuk ka kala që nuk marrin komunistët, por këta njerëz harrojnë faktin e thjeshtë se ata nuk mund të bëjnë, bie fjala, një filxhan të thjeshtë kafeje!…Megjithatë, duke u nisur nga bindja se mund të marrin çdo kala, vijnë në Lidhje të Shkrimtarëve, si “nënoficerë” dhe “oficerë” dhe na kujtojnë se jemi “ushtarë të partisë”.
Në këtë qëndron një gabim shumë i rëndë. Në qoftë se ne do të pranonim se jemi ushtarë të partisë, siç bëjnë me mburrje shumë njerëz, pa u thelluar në një gjë që shkon shumë larg, atëherë do të na duhej të pranonim se në parti ka edhe nënoficerë… Pastaj do të shkonim më larg, duke pranuar se ka oficerë… Duke shkuar edhe më larg, ne do të pranonim se ka edhe gjeneralë dhe, mbi të gjitha, një kryegjeneral!… Dhe ç’do të bënin të gjithë këta njerëz të mbyllur në këtë piramidë të çuditshme?
Kuptohet!… Do të asgjësonin njëri-tjetrin!.. Dhe për këtë duhet të mendoheni ju, që jeni në krye të piramidës!
Duke qenë se e njëjta gjë ndodh edhe me ndërtimin e pushtetit, që nga qendra e gjer në bazë, do të kërkohet gjithnjë e më shumë shtypja e çdo mendimi, gjersa të arrihet që të mos ketë asnjë mendim, perveç mendimit tuaj. Kjo do të ishte një gjë shumë e rrezikshme për ju personalisht dhe për të gjithë popullin.
Thuhet se financat e Francës i ngriti sistematikisht kardinali Rishelje dhe i shkatërroi me luftrat e jashtme Luigji i Katërmbëdhjetë.
Shqipëria nuk është në gjendje që të luftojë me ndonjë shtet dhe, rrjedhimisht, do të luftojë në mënyrë të çuditshme me veten e saj dhe në këtë mënyrë financat e saj do të shkatërrohen plotësisht.
Megjithatë, unë mendoj se shkatërrimi më i madh do të ndodhë në botën shpirtërore shqiptare. Njerëzit do të humbasin besimin te shteti dhe te udhëheqja, do të mbyllen në veten e tyre dhe, që të bëhet i mundshëm sundimi mbi ta, do të lindë nevoja për të krijuar një shtet të ashpër policor.
Dhe ky nuk do të jetë veçse fillimi. Prandaj duhet hequr dorë, dhe sa më parë, nga rruga e Luigjit të Katërmbëdhjetë nga Versaja dhe nga shtypja e mendimit, edhe brenda radhëve të partisë.
Nuk është çështja për fëmijët e varfër që ne i shohim nëpër rrugë, por për shtypje të mendimit që po bëhet sistem dhe që do të sjellë si përfundim lindjen e një monarkie të re. Kur të arrijë puna aty, varfëria do të bëhet e tmerrshme dhe vetëm regjimi i një terrori të pashembullt mund të bëjë të qëndroni në pushtet. Por ai regjim do të jetë shumë i rrezikshëm për atë vet. Ftohja dhe largimi i popullit do të sjellë një lëkundje edhe brenda radhëve të udhëheqjes, që do të transformohet dalëngadalë në një kastë të mbyllur në kornizën e një monarkie pa kuptim në realitetin historik të shekullit XX.
Në përfundim të këtij procesi historik ju do të detyroheni të vrisni njeri-tjetrin dhe populli do të mbytet në gjak.
Mendoj se jemi plotësisht në kohë që ta shmangni një të keqe kaq të madhe dhe kjo është arsyeja që po jua drejtoj këtë promemorie të shkruar në mënyrë të ngutshme.
Duke shpresuar se ju do të më kuptoni drejt dhe nuk do t’i keqinterpretoni mendimet e mia.
Tiranë, 5 tetor 1953
***
Elsie, jep një përmbledhje të kësaj letre në Historinë e tij.
Menjëherë pas këtij fragmenti, studiuesi Elsie duhej të kishte dhënë burimin ku e gjeti këtë promemorie, në cilin fond apo disje të arkivit. Asgjë të tillë nuk ka në ‘Historinë…” e Elsie-t. Në vend të kësaj, Elsie shkruan:
“Nënkuptohet se diktatorit nuk i erdhi mirë. Kasëm Trebeshina, autor i pabotuar i tetëmbëdhjetë vëllimeve me vjersha, dyzetedy pjesësh teatrale, njëzetedy romanesh dhe tregimesh etj., u zhduk nga skena letrare gati pa lënë gjurmë me këtë akt vullnetar vetasgjësimi. Pas shtatëmbëdhjetë vjetësh burgu me ndërprerje, dënim ky relativisht i lehtë siç do të shënonte më vonë, dhe njëzet vjet heshtje, Trebeshina ka dalë tani në breg me një tufë shkrimtarësh, artistësh dhe intelektualësh të tjerë. Ndër ta përmendim Lazër Radi (l. 1916), Kapllan Resuli (l. 1935), Frederik Rreshpja (l. 1941), Fatos Lubonja (l. 1951), Visar Zhiti (l. 1952 dhe Bashkim Shehu (l. 1955), duke pohuar kështu parashikmin e Trebeshinës.
Nga krijimet e vëllimshme të Trebeshinës, vetëm një përmbledhje poetike, Artani dhe Min’ja ose hijet e fundit të maleve, Tiranë 1961, si dhe një përkthim pa emër i pjesëve të Garsia Lorkës u botuan në kohën që u shkruan. Ndërkaq, tri prozat e tij janë botuar nga Ardian Klosi (l. 1957) në vëllimin Stina e stinëve, Prishtinë 1991, duke i hapur për herë të parë lexuesit një dritare për të hyrë në një botë fantazie që ngjason me atë të rrëfenjave të Mitrush Kutelit (1907-1967). Stili surrealist i asaj çka autori e quan ‘realizmi poetik’ i tij është rezultat i revoltës së vetëdijshme kundër rrymës sunduese të realizmit socialist.” (Robert Elsie “Histori e letërsisë shqiptare” f. 405).
***
Kaq shkruan Elsie për Trebeshinën në ‘Historinë’ e tij.
Gjithsesi, pas rënies së komunizmit Trebeshina filloi të proklamohej si disident duke marrë për bazë këtë promemorie. Megjithatë vërtetësia e këtij pretendimi është vënë në pikëpyetje dhe promemoria është quajtur shpikje, e bërë me qëllimin e vetëm të shpalljes së Trebeshinës disident dhe të dëmtimit të imazhit të shkrimtarit Ismail Kadare i cili refuzonte të quhej disident.
Në të vërtetë lindin disa pikëpyetje. Kontestuesit e Trebeshinës dhe të promemories së tij sjellin argumentet e tyre. Promemorja mban datën 5 tetor 1953 dhe Kasëm Trebeshina ishte 27 vjeç. Rebelimi i tij duket i pabesueshëm, ndërsa i drejtohet Enver Hoxha dhe e krahason udhëheqësin e plotfuqishëm komunist me Luigjin e 14-të. Si mund të shpëtonte ai gjallë pas kësaj blasfemie?
Nga ana tjetër duket i pakuptimtë sherri i përjetshëm që Trebeshina ka pasur me Ismail Kadarenë. Në kohën e shkrimit të promemories, Kadare ka qenë 17 vjeç ndërsa gjatë viteve të shkëlqimit të Kadaresë si shkrimtar, Trebeshina ka qenë në burg dhe i ndaluar…
Në sprovën e tij “Mosmarrëveshja” shkrimtari Ismail Kadare, duke u bazuar në të dhënat e zbuluara në librin e Sadik Bejkos “Disidentët e rremë” pas hulumtimit në arkiva, e akuzon Trebeshinën si “një themelues i Sigurimit” dhe “vrasës” duke marrë si shkas vrasjen e një të bashkëluftëtari të ri me plumb pas koke që partizani Kasëm Trebeshina kishte bërë gjatë Luftës së Dytë Botërore me urdhër të eprorëve. Më tutje, Kadare shpreh indinjatën për shpalljen e një “ish-oficeri të Sigurimit” si disident, duke ia atribuar një pjesë të fajit për përhapjen e “mitit të disidencës” së Trebeshinës, albanologut Robert Elsie i cili e kishte futur në veprën e tij mbi letërsinë shqipe.
Por miqtë dhe ithtarët e Trebeshinës mendojnë ndryshe. Ata thonë se një rebelim i tillë ishte në natyrën e Trebeshinës dhe këtë ai e ka manifestuar shumë herë në jetën e tij. Është në stilin e tij shkrimi i kësaj letre.
Mënjanimi që Trebeshina i bëri vetes nga jeta publike dhe mediatike pas vitit 1990 gjithsesi ka bërë punën e vet. Si nopran që ishte, ai eci bashkë me zhgënjimin deri në fundin e jetës.
Diskutime rreth kësaj post