Nga Shpëtim Nazarko
Do të mjaftonte një shikim i thjeshtë në tavolinat e shitjes së gazetave dhe revistave që zënë shpesh jo më shumë se një metër katror nëpër cepat e Tiranës apo të qyteteve të tjera, për të kuptuar se ai është i vdekur. Nuk ka nevojë ta vrasë njeri, është vetëvrarë!
Shqipëria, me gati tridhjetë e pesë gazeta ditore, ka një tirazh ditor që nuk i kalon i gjithi të 30 000 kopjet. Shpërndahet ashtu si dikur në vitet ’90, kur filloi të qarkullonte i lirë vetëm në një pjesë të vogël të sipërfaqes. Vetëm kjo sasi gazetash do të mjaftonte të thuash se jeton brenda një shoqërie të paorganizuar, që vrapon andej-këndej, pa kuptuar gjë apo që i shërben thjesht tridhjetetë e pesë pronarëve që veprojnë individualisht…
Ndonjëherë mund të thuash se shtypi ynë ekziston, sepse në mëngjes e lexon Bashkim Hoxha. Qytetarët mjaftohen me të dëgjuar pak titujt e gazetave dhe pastaj gjithçka mbaron.
Kush i ka fajet në këtë histori gati 30-vjeçare pas pluralizmit, që shtypi nuk përparon sipas të gjitha rregullave të botës së qytetëruar?
Në ditët e fundit, një pjesë e shtypit i është vërsulur Ramës, që nuk lë rast pa e shprehur mërinë apo qesëndisjen e tij. E ka vrarë ai këtë shtyp apo thjesht e kupton se nuk e dëmton apo e ndihmon më edhe atë vetë? Nga i buron ky lloj guximi qeveritari?
Në historinë e shtypit të shekullit të kaluar, vetëm Rusvelti guxoi të godasë shtypin e vendit të tij. Reaksioni ndaj kësaj goditjeje nga shtypi ishte i madh. I organizuar gjithsesi më mirë se i yni dhe në sindikatë e të tjera forma, shtypi iu kundërpërgjigj egër Rusveltit, duke e quajtur komunist, etj. Përfaqësuesi më i madh dhe njëkohësisht pronari më i madh i asaj kohe iu hakërrua vetë Rusveltit dhe urdhëroi t’i priteshin reklamat për të dhe fushatën e tij zgjedhore.
Rusvelti nuk u shqetësua, megjithëse fushatën e zhvilloi me një të katërtën e parave që duhej t’i jepnin normalisht atij dhe partisë së tij. Megjithatë, vuri bast që më parë se, pavarësisht kësaj, në zgjedhjet e ardhshme ai do të shënonte një fitore që nuk do të ishte parë në historinë e Amerikës. Zhvillimi i ngjarjeve i dha të drejtë Rusveltit. Kurrë që atëherë nuk ka pasur fitore të këtyre përmasave në zgjedhjet amerikane sesa kjo kohë e përshkruar më lart.
Rama nuk është Rusvelt dhe krahasimi në përmasa nuk ka vlerë. Por vështrimi i karakteristikave të periudhës lejon të bëjmë një farë analize me kohën që jetojmë. Shtypi i asaj kohe komandohej nga ata që sot zakonisht i emërojmë oligarkë. Ata impononin edhe ligjet dhe vendosnin shumicën e deputetëve. Rusvelti e preu këtë lidhje në formë të drejtpërdrejtë. Por ndërkohë e shoqëroi me punë publike pafund, që ndihmuan Amerikën të kalonte krizën e atëhershme që kishte pllakosur jo vetëm atë, por edhe botën mbarë.
A është në të njëjtin pozicion Rama?
Nëse i gjykojmë gjërat në rrafshin ekonomik, mund të thuash se po. Shqipëria është në krizë ekonomike prej kohësh dhe shtypi në shumicën e rasteve komandohet nga pasanikë që kanë jo pak lidhje me shtypin.
Po a janë në gjendje ata të imponojnë një luftë të rreptë dhe parimore kundër shefit të ekzekutivit?
Mund të ketë shumë mendime rreth çështjes, por unë preferoj gjykimin e përgjithshëm. Fakti që Shqipëria ka mbi 30 gazeta të përditshme dhe pastaj dhjetëra televizone dhe portale, e megjithatë ka tirazh të vajtueshëm, tregon diçka tjetër nga koha e Rusveltit.
Një vështrim i thjeshtë edhe pa ditur gjuhën shqipe nga një vëzhgues me nivel minimal gjykimi, të tregon një të vërtetë të dhimbshme.
Reklamat brenda gazetave apo shumicës së televizioneve janë të natyrës thjesht tregtare. Mund të thuash të dy se tri kompanive celulare dhe disa bankave që edhe mund të mos i japin fare këto reklama. I japin se duan të jenë në rregull me shtypin që mund t’u nxjerrë gjëra të pakëndshme apo thjesht t’i bezdisin. Nuk ka fare reklama të tipit që tregojnë se në këtë vend prodhohet.
Pikërisht këtu buron edhe një nga fatkeqësitë e shtypit. Që të mbijetojë për shëmbull një gazetë, duhet që të paktën 80 për qind e shpenzimeve të saj të mbulohen nga reklamat. Kjo nuk ndodh dhe është thjesht e kuptueshme se shtypi, para se të jetë në duart e qeverisë, është në duart e pronarëve të tij.
Po vetë pronarët si të mbijetojnë, kur shumica e tyre nuk janë të lidhur me prodhimin, por vetëm me tregtinë apo me tenderat që hedh në lojë qeveria, që është thuajse investitori kryesor në një vend që pretendon se po zhvillohet sipas rregullave të kapitalizmit?
Është pra e qartë se shtypi, para se të jetë në mëshirën e qeverisë, është në duart e pronarëve, interesi i të cilëve, në shumicën e rasteve, nuk është i lidhur me prodhimin kombëtar apo zhvillimin real të vendit.
Pra shtypi shqiptar është sa në mëshirën e pronarëve të tij, të cilët janë me shumicë tregtarë të mëdhenj, që operojnë në sektorë gati monopol dhe në atë të qeverisë, që duhet t’i mbajë me reklama shtetërore.
Çfarë bën ai që të shpëtojë prej këtyre “dy armiqve” të tij nëse flasim në mënyrë të drejtpërdrejtë?
Në vitin 1998, duke drejtuar një grevë të këtij shtypi kundër qeverisë, i qëndrova mendimit se duheshin krijuar mekanizma logjikë që siguronin ekzistencën e tij. Por që të bëhej kjo, duhej të kishe edhe sindikatën e gazetarëve si në çdo vend të zhvilluar.
Ky do të ishte mekanizmi i parë që do të kishte punë drejtpërdrejt me qeverinë. A u krijuan të tilla? Po, u krijuan. Po pyetini thjesht se sa herë janë mbledhur këto organe përfaqëuese të shtypit për të mbrojtur lirinë e tij dhe të vetvetes. Thuajse asnjëherë!
Kishte edhe një element tjetër. Mund t’i kërkoje qeverisë fonde që në fillim të vitit, siç bëjnë vende të zhvilluara të tipit Francë, etj., që ndanin fonde qysh në fillim të vitit për mbarëvajtjen e shtypit. Por që të ndodhte kjo, duhej që në radhë të parë vetë shtypi të ishte korrekt dhe transparent. Pra, të tregonte rregullisht para publikut të ardhurat e tij dhe tirazhet reale që kishte. A u bë kjo ndonjëherë? Shikojeni edhe sot gjendjen në këtë drejtim. Ka një pjesë të gazetave dhe shtypit tjetër, që thonë se janë të parët në Shqipëri, po një zot e di cilat shifra janë ato që e tregojnë këtë epërsi.
Shtypi shqiptar zgjodhi rrugën më të lehtë të zhvillimit të tij pas viteve 1990. Ai u vu në mëshirën e pronarëve, të cilët krijuan marrëdhënie të tipit direkt me qeverinë.
Kjo natyrisht, edhe në një pikëpamje të tipit praktik, është një nga shkeljet më të rënda që mund të bëhen ndaj një rregulle të thjeshtë. Asnjë qeveri në botë nuk të jep aq para që ti të shpëtosh dhe të dalësh në sipërfaqe duke ruajtur njëkohësisht, pasurinë, nderin apo autoritetin, përpara publikut. Qeveria të jep aq para sa të të rrëzojë moralin tënd para publikut dhe pastaj të fut shqelma prapanice, derisa të të zhysë përfundimisht në baltë.
Shtypi shqiptar e zgjidhi vetë këtë rrugë, duke u vendosur nën mëshirën e qeverisë dhe të pronarëve të tij.
Shumë mund të ankohen dhe të thonë që është e padrejtë kjo analizë dhe të më tregojnë se shtypi ka marrë pjesë në aksione të së drejtës, po a është e vërtetë kjo?
Historia e “piramidave” është një nga shembujt më turpërues për të gjithë, po veçanërisht për shtypin. Ai nuk foli asnjë fjalë në këtë batërdi kombëtare, duke u bërë bashkëfajtor i plotë me qeverinë e atëhershme.
Po nuk është vetëm kjo histori. Një televizon kombëtar para disa ditësh theksoi se kishte treguar tragjedinë e Gërdecit. Po, është e vërtetë, por pasi ajo ndodhi. Asnjë shkrim investigativ nuk u bë që të tregonte se çfarë bëhej në një largësi 10 kilometër larg Tiranës në Gërdec, ku fëmijë 12 a 13 vjeç merreshin me demontimin e municioneve të tipit luftarak. Një histori kjo që mund të ishte normale për një vend të botës së tretë, por kurrë për një evropian.
Po çfarë mund të thuash për sot? Çfarë bën realisht shtypi shqiptar për të ruajtur dinjitetin e tij, qoftë edhe kundër një armiku që e ka emrin Rama?
A keni parë ndonjë artikull të tipit ekonomik në faqet e tij të japë alarmin? Rasti i kanabisit e vuri atë në lojë dhe duket si një faqe e mirë e luftës që bën ai për përparimin e vendit. Po a e bëri dhe këtë radhë detyrën realisht mirë?
Kanabisi, ky fenomen kriminal, nuk luftohet vetëm nga qeveria, apo polici i saj, që i duhet të vrapojë andej-këndej me një rrogë që ende është tmerrësisht e vogël në krahasim me policin evropian. Por mbjelljen e kanabisit, apo luftën me të, e zhvillojnë edhe elemente të tjera. Këto janë që nga kryeplaku i fshatit, kryetari i komunës, shërbimi informativ e shumë faktorë të tjerë. Qeveria mban pjesën e luanit në faj, por përsëri ajo është një pjesë e mekanizmit që nuk e lejon këtë veprimtari.
A është Rama një vrasës i shtypit? Mendoj thjesht se jo! Shtypi shqiptar e ka vrarë veten prej kohësh, duke u shndërruar ashtu si dhe faktorë të tjerë negativë të shoqërisë në një faktor frenues në zhvillimin e vendit. I vendosur nën një varësi të dyfishtë ndaj pronarëve dhe qeverisë, ai ka kohë që, në emër të luftës për mbijetesë, ka prodhuar oligarkët e tij, të cilët lajnë gojën me kritika që shpesh nuk kanë asnjë theks ekonomik në përmbajtjen e tyre.
Që shtypi shqiptar të mbjetojë, duhet t’i drejtohet formave të njohura në vendet e tjera. Të organizohet në shoqata që mblidhen rregullisht dhe të pasqyrojë zhvillimin e vendit në çdo sektor. Të bëjë transparencën e plotë të aktivitetit të tij dhe të rifitojë pavarësinë që ka kohë që e ka humbur. Dhe nuk është qeverisja e Ramës që ia ka marrë. Ai ka kohë që, duke thyer rregullat e mbijetesës apo të zhvillimit normal, si çdo pjesë e shtypit evropian, po rri ashtu i shtirë në shtratin e vdekjes, pa pasur fuqinë as të mallkojë fatkeqësinë që e ka zënë.
Diskutime rreth kësaj post