Nga Roland Qafoku
Politika shqiptare ndodhet përballë një prove të rëndësishme, në raport me drejtësinë. Më 3 dhjetor, i mbaron mandati Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Zgjedhja e pasardhësit të tij, pritet të jetë një moment kyç dhe thelbësor, nëse kjo shumicë e ka seriozisht luftën ndaj krimit, apo jo. Por si do zgjidhet kryeprokurori i 8-të i Republikës, qysh pas rrëzimit të sistemit komunist? A do të arrijë kjo shumicë t’i japë zgjidhje një zgjedhjeje të tillë, kur jemi në një ngërç të plotë institucional? Nga njëra anë, kemi Prokurorin e Përgjithshëm që më 3 dhjetor, i mbaron mandati, pasi më 3 dhjetor 2012, ai mori dekretin nga presidenti Bujar Nishani. Nga ana tjetër, jemi përballë faktit se nuk kemi ende të ngritur institucionin që e zgjedh kryeprokurorin. Me ndryshimet kushtetuese është Këshilli i Lartë i Prokurorisë që nxjerr kandidaturat dhe, në një farë mënyre, është përcaktues në zgjedhjen e tij, sepse Kuvendi voton vetëm ata që i vë në dispozicion ky këshill.
NGËRÇI I MUNGESËS SË INSTITUCIONEVE
E gjithë reforma në drejtësi i ngjan një qilimi gjigant që ka nisur të thuret, por se kur do shtrohet, askush nuk e di. Është një reformë që ka një letër të formatuar, por nuk ka institucionet që e përbëjnë atë. Një prej këtyre institucioneve, është edhe prokuroria. Më saktë akoma, Këshilli i Lartë i Prokurorisë është i domosdoshëm, sepse vetëm nëpërmjet tij zgjidhet prokurori i Përgjithshëm. Por jemi përballë dilemës juridike, nëse Adriatik Lalla duhet të vazhdojë punën si prokuror i Përgjithshëm, apo në vend të tij duhet të zgjidhet një kryeprokuror i Përkohshëm i cili, më 4 dhjetor, duhet ta zëvendësojë atë dhe të nisë zyrtarisht detyrën? Të paktën, deri dje, si nga përfaqësues të shumicës në Kuvend, ashtu edhe në prokurorinë e Përgjithshme, askush nuk jep ndonjë përgjigje zyrtare. Nga ajo çka lihet të kuptohet, situata është e tillë që pritet të zgjidhet mbi bazën e interpretimeve juridike, që do të bëjnë palët e interesuara dhe të ngarkuara ligjërisht, për zgjedhjen e tij.
POZICIONI I ADRIATIK LLALLËS
A ekziston mundësia ligjore që, në detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, të vazhdojë të qëndrojë Adriatik Llalla? Jo, të paktën sipas ligjit të prokurorisë. Në nenin 109, shkruhet shprehimisht:
1.Prokurori i Përgjithshëm në detyrë, qëndron në detyrë deri në fund të mandatit, nëse nuk ka arsye për të përfunduar mandatin e tij, sipas kreut VIII, të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” ose si rezultat i procesit të rivlerësimit, sipas ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
2.Në rast se mandati i Prokurorit të Përgjithshëm përfundon përpara kohe, përpara krijimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm, me vendim të Kuvendit, caktohet t’i kryejë përkohësisht, një nga prokurorët me më shumë përvojë nga radhët e prokurorëve dhe që përmbush kushtet dhe kriteret e kreut IV, seksioni I, të këtij ligji.
Por, sipas ndryshimeve kushtetuese, mandati i Kryeprokurorit të Përgjithshëm është 7 vjet, ndërkohë që Llalla ka në detyrë 5 vjet. Me ligjin e vjetër të prokurorisë dhe dispozitat kushtetuese, ai e përfundon këtë mandat më 3 dhjetor. Por me ndryshimet e reja kushtetuese, mandati i kryeprokurorit është zgjatur në 7 vjet. Atëherë, pyetja e madhe është: A duhet të qëndrojë Llalla edhe 2 vjet në krye të prokurorisë, apo duhet të largohet më 3 dhjetor, ditën kur mbush 5 vjet në këtë detyrë? Këtu nisin interpretimet. Sipas përfaqësuesve të shumicës, ndonëse pa emra konkretë, mandati i Llallës mbaron në dhjetor dhe ai duhet të largohet nga detyra më datën 3 dhjetor. Por nga prokuroria e Përgjithshme vijnë sinjale se, Llalla mund të qëndrojë në detyrë edhe dy vjet, mbështetur në ndryshimet kushtetuese, sipas të cilave mandati i tij është 7 dhe jo 5 vjet. Janë dy raste precedentë për këtë. I pari, ai i Ina Ramës e cila, kur u emërua kryeprokurore, ishte pa mandat të kufizuar dhe pas ndryshimeve kushtetuese, mandati i saj u bë 5 vjet. Nisur nga ky interpretim, Ina Rama qëndroi në detyrë 5 vjet – nga nëntori 2007 deri në nëntor 2012 – mbështetur në ndryshimet kushtetuese dhe jo mbi bazën e ligjit që ishte në fuqi, kur ajo mori detyrën. Por ka edhe një precedent tjetër, edhe më të fortë se kaq. Në vitin 1998, me kushtetutën e re, mandati i anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, nga 12 u bë 9 vjet dhe të gjithë anëtarët që kishin marrë një mandat dhe vazhdonin detyrën, e ndërprenë atë kur mbushën 9 vjet, duke mos e vazhduar më tej. Prandaj, nëse Kuvendi mbështetet në këta dy precedentë, Adriatik Llalla mund të qëndrojë në detyrë. Por edhe këtu ka një problem tjetër juridik. Adriatik Llalla nuk ka të drejtë të vërë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, për të bërë këtë konfirmim. Në ligj është e qartë se cilët janë ata që e vënë në lëvizje. Por, a do ta bëjnë këtë lëvizje ata që i lejon kushtetuta? Kjo nuk dihet ende.
KRYEPROKURORI I PËRKOHSHËM
Për herë të parë në historinë e prokurorisë shqiptare, mund të ketë një kryeprokuror të përkohshëm. Ai mund të qëndrojë në detyrë edhe pak kohë, por ai do të ketë funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm. Ndaj duhet që, Kuvendi të shpallë kandidaturat dhe në një nga seancat, duhet të bëhet dhe votimi. Por deri më sot, në sekretarinë e Kuvendit, zyrtarisht deklarojnë se nuk ka asnjë procedurë për prokurorin e përkohshëm. Ndërkohë burimet thanë se, në prokurori kanë nisur lëvizjet dhe pritet të ketë emra surprizë, pa përcaktuar se cilët do të jenë. Më rëndë akoma, është edhe fakti që sipas ligjit të ri për prokurorinë, në vend të prokurorit që mbaron mandatin, në krye të prokurorisë duhet të jetë një prokuror me përvojë që plotëson edhe disa kushte të tjera. Por edhe kjo procedurë nuk ka nisur, duke e lënë në ngërç këtë institucion.
KANDIDATËT PËR KRYEPROKURORIN E MANDATUAR
Po si zgjidhet prokurori i mandatuar? Mbështetur në ligjin e ri, Kryeprokurori i ri pritet të ketë një mandat 7-vjeçar, pa të drejtë rizgjedhje. Në nenin 28 të ligjit “Për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm”, theksohet:
1.Këshilli i Lartë i Prokurorisë përzgjedh kandidaturat për Prokuror të Përgjithshëm, ndër ata që përmbushin kushtet e parashikuara në këtë ligj.
2.Këshilli, në përzgjedhjen e kandidaturave, zbaton rregullat e këtij seksioni. Rregulla më të detajuara për procedurën e përzgjedhjes, miratohen me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Që të arrihet deri këtu, më parë, Kuvendi ose më saktë shumica, duhet të zgjidhë ngërçin juridik që ka tashmë institucioni i Prokurorit të Përgjithshëm, në kushtet e mungesës së Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Që të shkohet deri atje, duhet më parë ky ngërç të zgjidhet juridikisht.
KRYEPROKURORËT E POSTKOMUNIZMIT
Kryeprokurori i ri, i përkohshëm apo i mandatuar, pritet të jetë i 8-ti në historinë e këtij institucioni, pas rrëzimit të komunizmit. Ajo që bie në sy, mes tyre, vetëm dy kanë mbaruar mandatin, 5 të tjerët janë shkarkuar. Gjithsej të 7-të, kanë një të përbashkët: Kanë luftuar krimin, por duket se më shumë kanë harxhuar kohë të përballen me presionin e politikës.
Petrit Serjani, 1991-1992
I emëruar prokuror i Përgjithshëm në maj të vitit 1991, Petrit Serjani qëndroi në këtë post vetëm një vit. Nga qershori i vitit 1992, ai vazhdon të punojë avokat dhe ka mbrojtur me qindra klientë në procese, në të tri shkallët e gjykatave. Serjani do të mbahet mend, gjatë kohës së tij si kryeprokuror, për arrestimin e Nexhmije Hoxhës, Manush Myftiut, Hekuran Isait dhe Qirjako Mihalit. U shkarkua me vendim të Parlamentit.
Maks Haxhia, shkurt 1992-maj 1992
Është kryeprokurori më jetëshkurtër pas 1990-ës. Maks Haxhia zëvendësoi Serjanin, me një vendim unanim të Parlamentit, dominuar nga Partia Demokratike. Por, nga një jurist i aftë profesionalisht dhe tepër i paanshëm, ai u shndërrua shpejt në shënjestër të akuzave të njerëzve në pushtetin e PD-së. Vetëm tre muaj më pas, ai u shkarkua me një vendim të Parlamentit, pas një seance debatesh të ashpra, ku ndaj tij u hodhën një sërë akuzash të pamerituara. Nga ajo ditë, ai punon avokat, duke mbajtur edhe detyrën e kryetarit të Dhomës së Avokatëve.
Alush Dragoshi, maj 1992-shtator 1997
Vendin e Haxhisë e zuri menjëherë, juristi Alush Dragoshi. Ai qëndroi në postin e kryeprokurorit deri më 12 gusht të vitit 1997, ku me një vendim të Parlamentit, u shkarkua për t´i lënë vendin Arben Rakipit. Gjatë pesë viteve në krye të prokurorisë së Përgjithshme, Dragoshi do të vlerësohej si një njeri i aftë dhe i ndershëm. Porse opozita e asaj kohe, Partia Socialiste, e akuzoi disa herë për kryerje të disa arrestimeve me sens politik. Kulmin e tyre e kishte burgosja e kryesocialistit Fatos Nano, por edhe të disa figurave të tjera politike.
Arben Rakipi, shtator 1997-mars 2002
Arben Rakipi mund të cilësohet si kryeprokuror i sërës së lartë. Një jurist që kishte provuar disa vjet gjykatësin në Mirditë dhe në Tiranë, ai u zgjodh si kryeprokuror në shtator të vitit 1997 dhe qëndroi në detyrë deri në prill të vitit 2002. Rakipi, në radhë të parë, mbahet mend që civilizoi dhe modernizoi deri mjediset e prokurorisë. Ndërkohë, idealizimi i tij për të reformuar prokurorinë, ishte një anë tjetër. Gjatë kohës që ishte kryeprokuror, kaloi një sërë procesesh ku zbardhja e vrasësve të deputetit Hajdari, ishte kulmore.
Theodhori Sollaku, mars 2002-nëntor 2007
Ish-këshilltari i presidentit Berisha u cilësua si konsensual atë prill të vitit 2002, kur u zgjodh prokuror i Përgjithshëm. Dhe në fakt, juristi me background të spikatur profesional, kishte një cilësi mjaft pozitive: Të sheshonte mirë e mirë provat dhe pastaj urdhëronte arrestimin. Kjo për ca u kuptua si mefshtësi, por Sollaku sakrifikoi deri emrin, për të krijuar bindje me prova për arrestimet. Do të mbahet mend si prokurori dhe zyrtari i lartë që ka zhvilluar një betejë të paepur me krerë të politikës dhe të shtetit, ndaj të cilit u ngritën dy komisione Parlamentare Hetimore.
Ina Rama, nëntor 2007-nëntor 2012
E para femër në historinë e prokurorisë shqiptare, Ina Rama ishte edhe drejtuesja e parë që vazhdoi betejat me politikën, pothuajse atje ku e la paraardhësi. Hetimet për shpërthimin në Gërdec dhe ngjarjen e 21 janarit 2011, janë dy çështjet penale më të rëndësishme që ajo ka drejtuar hetimet.
Adriatik Llalla, 3 dhjetor 2012, me mandat deri në 3 dhjetor 2017
Mund të quhet kryeprokurori i emëruar me një konsensus, por që, më pas, siç ndodh rëndom arriti të bëjë edhe beteja politike. Llalla do të mbahet mend si prokurori gjatë periudhës së të cilit u hetuan shumë zyrtarë dhe drejtues të politikës, të cilat nuk u konkretizuan me arrestime. Përjashtim bën vetëm Spiro Ksera, ish-ministri i Punës së qeverisë Berisha. Por ky ishte vetëm një rast. Kjo edhe për shkak se gjatë kësaj periudhe, u hartua reforma në drejtësi dhe gjithçka ka qenë në tranzicion.(AFP.al)
Diskutime rreth kësaj post