Lëvizjet e para të fshehta për privatizimin e OSSH, shoqërisë më të madhe shtetërore në fushën e energjisë, kanë nisur që në vitin 2005, tre vite më përpara se sa koha që pretendon qeveria “Berisha”. Shtetasi Hamza Merxhani rezulton si ndërmjetësi parë, i cili tentoi, por pas sukses, të ndërmjetësonte një marrëveshje mes qeverisë “Berisha” dhe çekëve, për shitjen e OSSH. Merxhani ka pranuar një takim me ish-ministrin e METE, Genc Rulin, por për të njëjtën çështje, po punonte paralelisht Nuel Kalaj, i cli shumë shpejt e nxori Merxhanin jashtë loje. Roli i dy personave doli në pah pas dëshmisë së juristit të OSHEE, Rome Kara, i cili zbardhi të gjitha prapaskenat e privatizimit të OSSH.
Kara e shoqëroi dëshminë e tij me dokumente. Pjesë e dokumenteve është edhe një korrespondencë e Nuel Kalajt me drejtorin e madh të CEZ-it në Çeki, Roman Martin. Ky dokument konfirmon se Kalaj, me njohjet e tij të afërta me familjarë të Berishës dhe ministra të kabinetit të tij, ka nisur përpjekjet që nga viti 2005. Ndërkaq, vetëm disa ditë para zgjedhjeve parlamentare të 2009, Nuel Kalaj, ka kryer transaksione të dyshimta bankare. Ai ka marrë me çanta rreth 7 milionë euro, në një bankë të nivelit të dytë në Tiranë, pa paguar asnjë taksë dhe pa kryer një punë të dokumentuar ligjërisht. Paratë i ka larguar më pas nga Shqipëria. Nga ana tjetër, dëshmitari Romeo Kara ka deklaruar se Nuel Kalaj ka telefonuar mbi 100 herë Sali Berishën brenda muajit. Shkelja më e rëndë është konsumuar që me hapjen e procedurave të privatizimit.
Qeveria ‘Berisha’ ka hapur procedurat për privatizimit të OSSH, të një shoqërie shtetërore me një vlerë kaq të madhe, në një kohë kur ende nuk kishte përfunduar inventarizimin i aseteve të OSSH. Shkelje të rënda janë shënuar edhe gjatë procesit të tenderimit, ku qeveria dhe METE kanë marrë kompetencat e ERE, duke ndryshuar deklaratën rregullatore, duke favorizuar CEZ, me anë të rritjes së çmimit të energjisë me 32 %. Një dokument zyrtar i vitit 2008, që mban firmën e ish-kryeministrit Sali Berisha, tregon se si një numër pronash shtetërore kaluan në mënyrë të pajustifikuar në varësi të Operatorit të Shpërndarjes, në momentin kur shitja e tij tek CEZ ishte paracaktuar. Edhe shpallja fituese e kompanisë CEZ në këtë proces tenderimi nga KVO si dhe miratimi i raportit nga KVO për shpalljen fituese të ofertës së paraqitur nga CEZ është bërë në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, duke dëmtuar rëndë interesat e shtetit. Po ashtu, është ulur në kundërshtim me ligjin garancia e ofertës së CEZ-it.
Ajo duhej të ishte në vlerën e 40 milionë $, por me anë të VKM 1170 dt. 13.8.2008 u vendos të ishte në vlerën e 5 milionë €. U ndryshua niveli i borxhit të keq nga 4% në 14% përgjatë negocimit të palëve pavarësisht se kjo përbente një shkeljeve të rregullave të vendosur nga vetë qeveria dhe ERE si dhe shkaktonte një dëm në vlerën e 70 milionë $ në vit. Palët duhet të diskutonin vetëm se çfarë do të quhej borxhi i keq, por jo nivelin e tij. Megjithatë, nën presionin e ish-kryeministrit Sali Berisha, ERE, i ka njohur rritjen e borxhit të keq CEZ për vitet 2008, 2009 dhe 2010, në masat 14%, 14% dhe 13%. CEZ është favorizuar me lëvizjet e çmimit të energjisë.
Çfarë ka ndodhur? Është ulur çmimi i energjisë që KESH ia shiste CEZ, ndërsa nga ana tjetër, është rritur çmimi i energjisë që CEZ ua shiste qytetarëve shqiptarë. Edhe në periudhën fundore të heqjes së licencës së CEZ janë gjetur plot shkelje që kanë të bëjnë me sjelljen e institucioneve shqiptare në favor të CEZ. Mos veprimi i strukturave përkatëse pas heqjes së licencës, duke mos vlerësuar asetet e CEZ, mosveprimi i fillimit të procedurave të shpronësimit të aksioneve dhe mos ndërmarrja e verimeve për hapjen e procesit gjyqësor ndërkombëtar, kanë dëmtuar rëndë pozitat e shtetit shqiptar në arbitrazhin ndërkombëtar, filluar vetëm nga CEZ dhe jo nga pala shqiptare.
Diskutime rreth kësaj post