Nga Artur Ajazi
Mbyllja e hetimeve, mbyllja e dosjeve, (apo mbajtja e tyre pezull për një kohë të gjatë) denigrimi i provave dhe marifete të tjera të këtij lloji, ka vite që përdoren nga segmente të veçanta të organit të akuzës në Shqipëri. Ditët e fundit, ky organ, nuk dihet sepse po nxiton të hapë dosje të “reja” të shpikë “lista të reja”, ndërkohë që ka vite që qindra dosje të vjetra presin të shkojnë në gjykata, dhe as që kanë shansin të shkojnë atje. Kjo ndodh jo vetëm me dosjet penale, por edhe me dosjet e trafikut, por më së shumti ka ndodhur dhe po ndodh edhe me “malin” me dosje të pronave dhe korrupsionit. Asnjë prej dosjeve të korrupsionit, nuk ka vajtur deri në fund, nuk është hetuar me detaje dhe fakte, por shpesh për “njerëzit e mirë” është përdorur marifeti “nuk ka prova të mjaftueshme” nga “çunat” e Tikut.
Realisht organi akuzës ka punuar dhe punon me dy standarde. Kjo ka ndodhur edhe kur KLSh në këto vite ka rekomanduar raporte flagrante nga abuzimet dhe skandalet financiare që vlerësohen në miliona euro, kjo ka ndodhur edhe kur prokurori çështjes ka qenë dhe mbetet nën urdhërat e partisë, apo peng i aferave të tjera të pushtetit. Mjafton të ndalem konkretisht, tek Prokuroritë e rretheve, të cilat kanë të hapura aq shumë dosje penale prej 5-6 vitet e fundit, lidhur me origjinën e rrjetit dhe personave që kanë patur dhe kanë akoma konsumim të veprës penale të shpërdorimit të detyrës, abuzimit me fondet publike, korrupsionit etj. Mjafton të ndalesh në dosjet e korrupsionit në arsimin e lartë, ku hetimi ka shtrirje në disa fakultete të Universiteteve të vendit si në Elbasani, Korçë, Durrës, Shkodër, dhe rezulton se ka vite që ndodh një gjë e tillë.
Mendohet se prej vitesh ka një rrjet të zgjeruar fallcifikatorësh diplomash dhe sekserësh që merren me “peshkimin” e personave që duan të marrin një diplomë të ndonjë prej fakulteteve të këtyre universiteteve, pa ardhur asnjë ditë në shkollë kundrejt një pagese të majme. Natyrshën lind pyetja se kush dhe pse po e mbulon (sa herë që rihapet) skandalin e diplomave në universitetet tona publike, pse mbahen top-sekret hetimet, emrat e pedagogëve në fakultete, dekanëve, ish-drejtuesve apo drejtuesve të rektorateve ? Një gjë e tillë ka ndodhur në mjaft universitete publike të vendit, si në Elbasan, në Durrës, Korçë, Shkodër, ku sërish organet e akuzës mbeten apatike, enigmatike, dhe të përfolurura pavarsisht se kanë vite që hetojnë e mbledhin prova “të pamjaftueshme”. Skandali duket se nuk ka të ndalur ndërkohë që mbahen sekret për median fakte tronditëse edhe për njerëz që duhej të ishin sot në ndjekje penale, si pedagogë, ish-dekanë, ish-rektorë dhe drejtues aktualë të këtyre institucioneve.
Kjo situatë ka ardhur pas zbulimit dhe heshtjes për skandalin e diplomave fallco, të cilat u janë gjetur me firmë dhe vulë dhjetra zyrtarëve (të shkarkuar tashmë, ose të rënë edhe nga pushteti) të cilët i kanë blerë në “sportelet” e universiteteve tona publike. Ky vërtetë përbën një skandal. Diploma të tilla, u janë kapur dhe zbuluar personave të ndryshëm që në 10-15 vitet e fundit kanë gjetur strehë në disa institucione të shtetit, duke nisur nga policia, ushtria, arsimi e shëndetsia, madje ndonjë që ka qenë edhe ish-kryetar komune apo dhe bashkie, dhe që sot janë akoma në ndjekje penale. Por pavarsisht informacionevet të marra në rrugë operative , dhe nisjes së hetimeve, procesi ndaj personave që kanë qenë dhe janë nën akuzë mbetet i zvarritur, enigmatik ose i mbyllur. Skandali ka marrë përmasa të tjera pasi bëhet fjalë për diploma fallco, (madje edhe me vulën e shkollave të mesme të disa prej qytete të vendit) që kanë pajisur në vite shumë persona kundrejt pagesës.
Skandali me diplomat e universiteteve tona publike (duke mos përmendur këtu atyre private) është zbuluar ndoshta fare rastësisht dy –tre vjet më parë, (madje u mbajt për disa muaj i fshehtë) kur në dhjetra raste zyrat e pranimit dhe evidentimit të CV në institucionet e shtetit, kanë veerifikuar dhe zbuluar, se personat që aplikonin për vende pune kishin dëftesa dhe diploma të dyshimta. Menjëherë u ngrit grup pune dhe u konstatua se kishim të bënim me një rrjet fallcifikatorësh që vepronin prej vitesh në disa rrethe.
Hetimet janë shtrirë nga pedagogët , dekanët e ish-rektorët me të cilët bashkëpunonin prej vitesh, deri tek drejtuesit aktualë të këtyre institucioneve akademike. Situata më e fundit në të cilën mbeten të zhytura mjaft universitete publike të vendit, natyrisht ka ardhur nga mungesa e kontrolleve dhe profesionalizmit, si dhe mungesa e aftësisë menaxhuese e drejtuese. Hermetizimi dhe bunkerizimi i organit të akuzës, lë shtegun e hapur për të hamendësuar gjithçka, pasi rezulton se as 50 per qind e dosjeve të hetuara në 5 vitet e fundit nuk kanë mbërritur në gjykata, duke zvarritur apo mbyllur qindra dosje. Ndoshta reformimi organeve të drejtësisë duhet të nisë me urgjencë nga Prokuroria, një institucion më tepër parazitar se prodhimtar, që ka vite që në dyert e gjykatave dërgon shpesh “lëndë të parë të skaduar” duke prodhuar vendime qesharake dhe të kontestueshme.
Prokurorët në rrethe ka vite që “hetojnë” (apo edhe vegjetojnë) mbi dosje, emra dhe denoncime, dhe nuk dihet sepse nuk mbyllen dhe nuk dërgohen në gjykata. E vetmja shpresë mbetet ndëshkimi i SPAK, për çdo prokuror që ka abuzuar me detyrën, të emëruar nga Adriatik Llalla në 7 vitet e mandatit të tij, që kurrë nuk ka qenë motivues të punës në ekip, aq sa edhe brutalë dhe hermetikë me median gjithmonë kur ndaj tyre janë zbuluar fakte kompromentuese të abuzimit me detyrën.
Diskutime rreth kësaj post