Muaj më parë, emisioni “Fiks Fare” ndoqi rastin e disa banorëve që banojnë në lagjen “Don Bosko”. Ata denoncuan shoqërinë ndërtuese “LNK sh.p.k.”, e cila në përfundim të ndërtimit të pallatit nuk ka vendosur ashensorët, gjë të cilën e kishte si pikë në kontratën me banorët.
Por, edhe pas fitimit të gjyqit nga ana e banorëve, Përmbarimi nuk ka arritur të ekzekutojë vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë. Ky vendim detyron firmën e ndërtimit të zbatojë kontratën e lidhur me banorët.
“Kemi 10 vite që vuajmë. Kemi blerë banesat dhe firma ndërtuese nuk ka vendosur ende ashënsorët. I jemi drejtuar gjykatës dhe kjo e fundit na ka dhënë të drejtë, me vendim të formës së prerë. Përmbarimi ende nuk ka ekzekutuar vendimin”, u shpreh para disa muajsh një nga banorët që ka denoncuar këtë mashtrim.
Pasi “Fiks Fare” e bëri publik këtë shqetësim, firma e ndërtimit dërgoi menjehërë punëtorë dhe filloi punimet për vendosjen e ashensorëve.
“Fiks Fare” shkoi sërish në godinën e banimit, pasi në redaksinë e emisionit erdhi një tjetër denoncim nga banorët. Këta të fundit u shprehën se firma e ndërtimit vendosi vetëm dyert e ashensorëve dhe u largua.
“Pas trasmetimit të kronikës në ‘Fiks Fare’, ne menduam se do t’i vendosnin më në fund ashensorët, por ata erdhën, si duket nga ‘frika’, vendosën dyert, pastruan mbeturinat dhe u larguan. Ne iu drejtuam Përmbarimit, por sërish jemi po në të njëjtën situatë si në fillim”, u shpreh një nga banorët.
“Fiks Fare”, pasi evidentoi situatën iu drejtua Përmbarimit. Ky i fundit, pas fakteve të treguara nga gazetarët e “Fiksit”, nëpërmjet një shkrese zyrtare vendosi ta çojë firmën “LNK” për kallëzim penal në Prokurori.
“Shoqëria ‘LNK Sh.p.k.’ me administrator Luan Kurtin nuk ka përmbushur detyrimin e parashikuar në titullin ekzekutiv. Të ndodhur në një situatë të tillë, Zyra Përmbarimore Tiranë ka marrë sanksionin duke i vendosur gjobë dhe duke i bërë kallëzim penal për pengim të ekzekutimit të vendimit nr. 10441, datë 31.10.2014, të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë”, thuhet në shkresën zyrtare të Përmbarimit.
Diskutime rreth kësaj post