Dy anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba dhe Bledar Skënderi, kanë depozituar dje në KQZ kërkesën për të hequr mandatin e kryetarit të Bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj, bashki e fituar nga Partia Demokratike.
Kërkesa e dy anëtarëve të mbështetur nga Partia Socialiste vjen në kuadër të ligjit të dekriminalizimit dhe dy anëtarët e KQZ pretendojnë se Agron Kapllanaj është dënuar në Itali, në vitin 1995, për veprën penale “vjedhje”. Këtë fakt kryebashkiaku i Mallakastrës e ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit kur fitoi mandatin në vitin 2015, shkruan Panorama. Sipas Kodit Penal Italian, neni 624, thuhet se “kushdo që i merr tjetrit sendet me forcë dhe në fund merr përfitimin për vete apo për të tjerët, dënohet me burgim nga 6 muaj deri në 3 vjet dhe me gjobë nga 150 euro deri në 516 euro”. Në formularin e tij, Agron Kapllanaj thekson se kjo ngjarje është gjykuar në vitin 2003 nga Gjykata e Firences, e cila ka vendosur pezullimin e masës së dënimit.
Çështja e Agron Kapllanajt është shqyrtuar një herë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe është vendosur se nuk përbën shkelje, pasi vepra e tij është shuar. Por për dy anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Prokuroria e Përgjithshme ka bërë gabim llogaritë për vitet rehabilitimit të kryebashkiakut të Mallakastrës, për rrjedhojë kërkon që çështja të rishqyrtohet.
Diskutime rreth kësaj post