Janë me qindra pallate të pahipotekuara dhe në procesin e nisur problematika më e madhe është për ata që i ka braktisur ndërtuesi.
Top Channel ndoqi një grup banorësh në zyrat e ALUIZNI-t. Drejtori i Tiranës u shpjegon se në fillim objekti do legalizohet e më pas vjen hipotekimi. Shteti ndërkaq u lehtëson atyre barrën e dokumenteve që i takonin ndërtuesit.
Janë me qindra pallatet e reja të pahipotekuara, kryesisht në kryeqytet, por me një vendim të Këshillit të Ministrave të janarit të këtij viti u hapet rruga njerëzve që kanë blerë nëpër këto pallate që t’i hipotekojnë hyrjet e tyre. Të gjithë këtë procedurë do ua përcjellim me një shembull konkret.
Këta janë banorë të një pallati në zonën e Linzës në Tiranë. Kanë 10 vjet që i kanë blerë banesat, por pronari nuk u është përgjigjur me dokumentin final që është certifikata e pronësisë.
“Ne do të bëhemi si banorët e Shkozës. I bie që nesër-pasnesër të kaloje një plan rregullues ne zerohemi. Atëherë çfarë do të bëhet me gjithë këtë investim që ne kemi bërë për kaq vite. -Ne me këto letra bakalli që kemi ne dorë se kështu mund ta quaj unë atë, nuk përfitojmë asgjë. -Ne i kemi likujduar gjithçka, ndërtuesi as ka ardhur as është interesuar dhe nuk e di se ku gjendet se ka fikur me telefon me gjithçka. -Biles ta shohim në rrugë besoj që nuk e njoh si fytyrë. -Deri në momentin që unë nuk e kam hipotekën ne dorë, është njësoj sikur s’kam asgjë. -As në raste fatkeqësie, ne nuk kemi asgjë tonën edhe pse i kemi paguar, jemi treguar korrekt, i kemi shlyer detyrimet”, shprehen disa qytetarë.
Janë mbi 60 familje të një kompleksi që kanë 10 vjet që mbahen pas letrave që nuk kanë më asnjë lidhje me realitetin e tyre.
“Urgjentisht shteti të veri dorë që neve të bëhemi me hipotekë për investimin që kemi bërë ne si banorë, për fëmijët tanë. Është e ardhmja jone, është gjaku dhe djersa që ne kemi dhënë për këto shtëpi”, shprehet një nga banorët.
Një pallat i ri fillimisht do t’i nënshtrohet procesit të legalizimit, pasi shumica e pallateve kanë devijuar nga projekti fillestar, e më pas hipotekimi. Drejtori i ALUIZNI-t Tirana-Rurale i fton jo vetëm këta banorë, por gjithë qytetarët që kanë një problem të ngjashëm.
Ata duhet të vijnë të bëjnë kërkesën në bazë të kontratës që kanë lidhur me firmën ndërtuese. Ne hapim procesin sipas subjekteve ndërtuese që kanë aplikuar qytetarët që ne të kemi mundësinë të bëjmë mbylljen e legalizimet të këtyre pallateve. Dhe theksoj që nuk janë pak. Deri tani janë gati 80 subjekte të cilat janë me ndërtues të cilët nuk dihet ku janë, në arrati si ky rasti konkret”, shprehet Krenar Canollari, ALUIZNI Tirana-Rurale.
Qytetarët e braktisur nga ndërtuesit, janë të detyruar të plotësojnë dosjet me dokumente që kushtojnë, por zoti Canollari sqaron se po punohet per t’ua lehtësuar këtë barrë.
“Jemi në shqyrtim të lehtësimit të disa kërkesave bazë për plotësimin e dokumenteve që t’ua heqim barrën qytetarëve të ngarkesës se tyre në raport me letrat që duhet të plotësojnë. Që do të thotë, një akt kolaudimi pallati, një akt ekspertize apo dokumente shtesë që i kërkon ligji i urbanistikes”, u shpreh Krenar Canollari.
Diskutime rreth kësaj post