Nga Mero Baze
Duket se një gjë të mirë e bëri Saimir Tahiri. Së paku tani kemi një opozitë e cila flet për nevojën e ndëshkimit të politikanëve. Deri më sot kjo është plaga më e madhe e shoqërisë shqiptare. Në të gjitha raportet ndërkombëtare sidomos ato të BE e SHBA për drejtësinë në Shqipëri, pandëshkueshmëria është vlerësuar si problemi më i madh. Ambasadori Lu, e tha para një jave, se gjatë 25 viteve politikanë të djathtë dhe të majtë, kanë bërë krime të tmerrshme dhe nuk janë ndëshkuar.
E keni gabim që irritoheni pse Monika Kryemadhi ka marrë flamurin e kësaj lufte dhe po flet për ndëshkimin e afërt të Edi Ramës. Më së paku ajo i ka dhënë zemër dhe Lulzim Bashës. Edhe ai sot foli për një sërë rastesh kur janë ndëshkuar njerëz të thjeshtë dhe politikanët jo. Natyrisht ai politikan quan vetëm Edi Ramën. Pres të flasë dhe Fatmir Mediu. Sipas renditjes ai është i treti i opozitës pas Monikës dhe Lulzim Bashës. Berisha po ashtu po flet përditë për këtë hall të madh të politikës shqiptare.
Kështu si ka nisur kjo garë duket se më në fund Reforma në Drejtësi po ia arrin qëllimit. Së paku me deklarata verbale janë të gjithë dakord që duhet të ndëshkohen politikanët.
Klima kundër pandëshkueshmërisë është gjë pozitive. Nuk duhet të acarohemi pse atë flamur sot e mban Monika Krymadhi. Ajo ka të drejtën e saj të jetë lidere e opozitës së re. Kjo do të thotë se ajo nuk ka frikë të riballafaqohet me dyshimet që shoqëruan procesin ndaj presidentit Ilir Meta. As pse e thotë Lulzim Basha nuk duhet të irritohemi. Ndoshta ai e bën ngaqë Monika po ia merr flamurin e luftës kundër pandëshkueshmërisë dhe po përpiqet të ballafaqojë rastet e qytetarëve që dënohen me politikanët që nuk dënohen. Ndoshta dhe ai vetë ndjehet i sigurt nga Reforma në Drejtësi, se nëse heq dorë nga imuniteti dhe ti rinënshtrohet akuzës për 220 milionë euro dhe vrasjes së katër qytetarëve, ndërkohë që ishte Ministër i Brendshëm, del i pafajshëm me drejtësinë e re. As nga Fatmir Mediu nuk duhet të mërziteni pse kërkon që të ruhet imuniteti I deputetit për burgosje. Është më realist për atë që e pret nëse heq dorë nga imuniteti. Akuza ndaj tij për gjashtë vite burg është në fuqi, nëse s’ka imunitet.
Ajo që duhet bërë, është që klima e re kundër pandëshkueshmërisë, nuk duhet të paragjykohet nga hallet e vjetra të opozitarëve, dikur në pushtet. Rëndësi ka që sot janë të gjithë kundër pandëshkueshmërisë dhe këtë duhet ta provojnë me vepra. Vetëm kështu Edi Rama e ka të vështirë të tentojë të mbrojë të vetët, apo dhe veten, nëse gjendet përballë drejtësisë.
Beteja e Perëndimit për një drejtësi të re në Shqipëri, pati armiqtë e saj realë. Kryeprokurori dhe disa ndihmës të tij u bënë kamikazë kundër saj, derisa SHBA u detyrua t’i fusë në një listë të zezë. Disa gjyqtarë, po ashtu janë bërë simbol i kësaj rezistence. Saimir Tahiri është objekt i ndëshkueshmërisë nga drejtësia e vjetër, dhe shpresoj të jetë i gjykuari i parë me drejtësinë e re. Edi Rama po ashtu, nëse përballet me drejtësinë. Vetëm duhet të bëni kujdes, që kur etiketoni njëri-tjetrin, të mos harroni vetveten. Kur flitet për zyrtarë të korruptuar dhe inkriminuar, duhet të thoni kush i ka emëruar këta drejtorët e burgjeve, që po ashtu kishin qenë të gjithë burgaxhinj. Duhet të kujtoheni, po ashtu se si një të akuzuar për vrasje politike si Arben Sefgjini, nuk pranonit ta shkarkonit as nga drejtor dhe pasi dënohej nga gjykata. Dhe të kujtoni se si perdorët policinë dhe jo ligjin, kundër prokurorisë për të ndaluar gardistët e supozuar si vrasës. Por mbi të gjitha duhet të çoni deri në fund akuzën tuaj si opozitarë të djeshëm për grusht shteti në Shqipëri më 21 Janar 2011. Duhet të më dënoni dhe mua dhe kolegët e mi, pasi kam qenë pjesë e asaj akuze.
SPAKU që pritet të fillojë punë duhet ta marrë të mirëqënë akuzën e Sali Berishës për grusht shteti më 21 Janar dhe mos ta paragjykojë. Aq më tepër që Berisha e rikonfirmoi para një jave. Ishte një akuzë që vuri në lëvizje Parlamentin e Shqipërisë me një komision parlamentar, një akuzë që përbalti institucionin e Presidentit dhe Kryeprokurorit, dhe përfshiu në vorbullën e saj dhe shtypin dhe shoqërinë civile. Në mos bëfshi gjë ju, unë do shkoj të vetëhetohem si “puçist” i pandëshkuar, sipas një dokumenti të dalë nga Komsisioni hetimor parlamentar, lexuar nga Gent Strazimiri dhe nga zyra e kryeministrisë në emër të Sali Berishës. Nuk dua të jem një nga të pandëshkuarit e këtij vendi. Do të shkoj të kërkoj hetim, se cili ka qenë roli im në puçin e 21 Janarit si gazetar siç jam akuzuar nga Sai Berisha dhe Komisioni Hetimor dhe nëse dal i fajshëm, për fat s’kam imunitet dhe do shkoj në burg. Për fat telefoni më është përgjuar, pasi disa “sms” që kam çuar atë ditë, mi ka cituar Fatos Lubonja në një shkrim disa muaj më vonë, çka domethënë se ishte informuar nga përgjuesit. Dhe ishin të vërteta ato që shkruante. I kam bërë ato “sms”.
Ata që bënë akuzën duhet të provojnë puçin ose duhet të marrin përsipër vdekjen e katër qytetarëve të pafajshëm, të cilët sipas Berishës, u vranë se ishin pjesë e puçit. Deklarata e tij është zyrtare, është në arkivën e qeverisë shqiptare, ku ai pranon “se jo tre, por treqind e tremijë do të vriste në një grusht shteti”.
Pra kemi katër vrasje që janë kryer, ose për fajin tim dhe të kolegëve të mi gazetarë, Kryeprokurores, Presidentit dhe ish shefit të opozitës, ose nëse “puçi” nuk vërtetohet, duhet të ndëshkohet ai që u krenua me këto vrasje në emër të “puçit”.
Vetëm kështu do vendosim paqe për të gjithë dhe nuk do t’u hapim barkun shqiptarëve, duke folur për drejtësi. Sidomos kur jemi vetë “autorë” krimesh të pandëshkuar!
Diskutime rreth kësaj post