“Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin” dhe “jo dënime si në komunizëm”, ishin dy mesazhet e forta që zyrtarë të lartë amerikanë përcollën për politikën shqiptare.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee shprehu qartë mbështetjen e SHBA-ve ndaj qeverisë shqiptare të drejtuar nga kryeministri Rama lidhur me reformat e ndërmarra në vend, veçanërisht ndaj reformës në drejtësi, ndërsa komentoi edhe çështjen ‘Tahiri’.
Yee ishte shumë i qartë në mesazhin e përcjellë ndaj politikës shqiptare se “ligji duhet të jetë i zbatueshëm për të gjithë njësoj, askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, askush nuk mund të gëzojë imunitet nga ligji”.
Duke shprehur mbështetje të plotë ndaj prokurorëve dhe dhe gjykatësve që të ndjekin hetimet, dënimet, kudo që ato çojnë, në nivele të larta apo të mëposhtme të administratës, zyrtari i lartë i deklaroi se “nuk besojmë se individët duhet të shënjestrohen pse i takojnë një partie politike apo një tjetre, por parimi themelor është se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin”.
“Ne mbështesim qeverinë, që jep shembullin. Qeveria është ajo e cila duhet të japë shembullin dhe të demonstrojë para qytetarëve se është e përkushtuar të luftojë korrupsionin, qofshin ata qytetarë, zyrtarë qeveritarë, të huaj, shqiptarë…dhe se Shqipëria është serioze në përpjekjet e saj për të luftuar korrupsionin”, është shprehur në intervistën për Zërin e Amerikës, Hoyt Brian Yee.
Ai vlerësoi me tone pozitive përparimin e arritur nga Shqipëria dhe evidentoi faktin se SHBA do vazhdojnë mbështetjen për zbatimin e reformave në vend, si një nga kushtet kryesore për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
“Pikërisht në këtë frymë, ne kemi vazhduar të mbështesim përpjekjet e Shqipërisë për të zbatuar reformat në sundimin e ligjit, dhe po ashtu edhe në luftën kundër krimit, kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit…Të gjitha këto shërbejnë për të ngritur standardin jetësor për qytetarët e Shqipërisë, por edhe për ta ndihmuar përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, nënvizoi zyrtari i lartë amerikan.
Në të njëjtën linjë ishte edhe qëndrimi i diplomatit amerikan në vendin tonë, Donald Lu për çështjen e deputetit Saimir Tahiri, për të cilin prokuroria kërkoi nga parlamenti autorizimin për arrestim. Ambasadori amerikan përfitoi nga pjesëmarrja sot në një aktivitet me të rinj për t’u shprehur rreth kësaj.
“Ajo që dini është se në komunizëm, Shqipëria kishte problemin e turpshëm të udhëheqësve komunistë që dërgonin njerëz të pafajshëm në burgjet më të tmerrshme: në Spaç, në Burrel dhe në Qafë Bar. Në 27 vitet e fundit, ky vend është përballur me problemin e turpshëm të politikanëve të fuqishëm, nga e djathta dhe nga e majta, që kanë kryer krime të tmerrshme dhe i kanë shpëtuar drejtësisë, pa pushim”.
Ambasadori theksoi se “nuk do të ishte e përshtatshme për mua të them nëse Saimir Tahiri është fajtor apo i pafajshëm. Por, është jashtëzakonisht e rëndësishme që ju si drejtues të shoqërisë civile, ju si të rinj dhe ju si qytetarë të Shqipërisë të zbuloni të vërtetën. E drejta për të ditur të vërtetën nuk i përket asnjë partie politike. I përket qytetarëve të Shqipërisë”.
Ju, shtoi më tej diplomati amerikan, nuk jeni gjyqtarë apo prokurorë, por jeni njerëz që votoni. “Ju i dhatë besimin tuaj këtij personi si anëtar i kuvendit dhe si ministër i lartë i kabinetit. Është përgjegjësia juaj të kërkoni që publiku të dijë të vërtetën për këtë çështje. Nëse është i pafajshëm, njerëzit duhet ta dinë këtë. Nëse është fajtor, ai duhet të përballet me drejtësinë”, deklaroi ambasadori amerikan.
Diskutime rreth kësaj post