Nga Mero Baze
Kryeministri Edi Rama pati një leksion poshtërues për reporterët që e prisnin para Kuvendit, në një përpjekje të qartë politike, për ta pozicionuar shtypin kundrejt tij. I qartë për zhvlerësimin e punës së reporterëve, të cilët janë kthyer në punonjës shtypi, dhe po aq i qartë për nevojën që ka, për të përballur shtypin me opinionin publik, duke mos e pasur në anën e tij, ai nuk ishte aspak jashtë kontrollit kur foli. Ishte cinik, i pashpirt dhe tërësisht i vetëdijshëm politikisht, se një betejë për ta pozicionuar shtypin kundër tij për arsye personale, i bën mirë. Ndryshe nga paraardhësi i tij Sali Berisha, që në raste të tilla gazetarët i akuzonte si puçistë, u kërkonte tabulatet, u rrethonte redaksitë me policë dhe u hidhte makinat në erë me badigardët e gruas e djalit të tij, ky thjesht ka qejf t’i rreshtojë të gjithë përballë e të shahet me ta.
Në këto kushte, kam parë se të gjithë janë duke bërë atë që Edi Rama dëshiron të bëjnë.
Një grup, përfshi dhe opinionistë të njohur, po bëjnë thirrje për bojkot ndaj Ramës. Kjo fjalia nuk është se ka shumë kuptim, pasi qeveria është prodhuesi kryesor i lajmeve dhe politikës në vend, pas Tit Vasilit, dhe i bie që shtypi të merret me life style. Kjo është ajo që qeveria dhe Edi Rama do të dëshironte më shumë në këtë rast, por nuk është zgjidhja. Zgjidhja është qe shtypi të merret me qeverinë, me të vërtetën dhe me betejën ndaj qeverisë, nëse do të ishte nevoja. Arma e shtypit në betejën me qeverinë është besueshmëria dhe paanësia, të cilit shtypit tonë i mungojnë, dhe ajo që po bën Rama, është se dëshiron t’i dobësojë edhe më shumë këto standarte me këto gjeste, duke rikthyer shtypin partizan. Dhe duket se po ja arrin.
Nga ana tjetër, kemi një thirrje ndaj Ramës, që të kërkojë ndjesë për këto që tha. Kjo e zbavit atë dhe pak më shumë, pasi nja dy javë mund ta shtyjë duke shpjeguar se çfarë tha dhe që nuk e tha keq, dhe ne do të vazhdojmë të raportojmë këtë karagjozllëk.
Edi Rama më shumë se kryeministër, ka qejf të jetë një kryeredaktor shtypi politik “part time” dhe ai na njeh mirë të gjithë, që nga pronarët, drejtuesit, opinionistët e deri reporterët, të cilët e nervozojnë kur ngatërrojnë imunitetin dhe burgosjen e Tahirit. Ky është dhe problemi real. Të njëjtën gjë e bën dhe me gazetarët perëndimorë. Shpërthimet e tij herë pas here kundër standarteve të BE dhe vonesës së hapjes së negociatave, bëjnë me dhimbje koke plot miq të tij në Perëndim.
Ai është një nga tre individët e pushtetshëm politik të Shqipërisë, që ka qasjen e tij kontraverse ndaj shtypit. Sali Berisha për shembull, e ndante shtypin në të vetin dhe në shtyp armik, dhe njërës palë i jepte gjithçka, tjetrën e shkatërronte me gjithçka. Që nga burgosja e gazetarëve, djegia e redaksisë së “Koha Jonë”, e deri tek beteja me Temën, Top Channel-in e Vizion Plusin. Fyerjet verbale ndaj gazetarëve, epitetet “çakall”, “puçist”, apo epitete deri për organet seksuale të gazetarëve, ishin pjesë e kulturës ë tij politike. Aq me vetëdije e bënte këtë për të mobilizuar të vetët kundër teje, sa dhe kur ishin para akteve flagrante të Berishës kundër shtypit, “demokratët”, sidomos këta që shikoj “që shkulin leshtë” sot nga fjalori i Ramës, ishin me aq shumë urrejtje ndaj gazetarëve që përballeshin me Berishën, sa ishin gati të bëheshin kamikazë. Nuk e harroj ditën kur badigardi i gruas së Berishës, u denoncua prej meje që më dogji veturën para pallatit dhe një militante e PD po në pallat me mua, ndërsa gjithë pallati më ngushëllonte, më tha gjithë urrejtje: “Mirë ta bëri, ku i gjete lekët që bleve makinë?”
Ilir Meta, një tjetër personazh me histori të fortë të lidhjeve me shtypin, është lloji i politikanit që do ta ketë mirë me çdo kusht, me çdokënd në shtyp, miq apo armiq të tij qofshin. Është shpikësi i kapjes së shtypit “me mjaltë”, jo me helm.
Edi Rama është tipi që nuk ka respekt për gazetarët që njeh, por ka adhurim për shtypin, pasi e quan veten pjesë të talentuar të tij, më shumë se sa politikan. Ndaj shpesh ka spazma përbuzje ndaj personazheve të shtypit. Por nuk i ka as frikë dhe as fiksim t’i ketë me vete. Do vetëm që t’i ketë përballë e të argëtohet me gjëra si kjo e sotmja. Nuk të vret, nuk të djeg, nuk të shkatërron biznesin, biles pronarët e shtypit i mban në paradhomë. Thjesht do t’u thotë të vetëve, që këta që më shajnë, më kanë inat, se i shava.
Nëse duhet të bëhemi seriozë ndaj tij, duhet të mos biem në lojën e tij, por të merremi me atë që ai bën, e jo me atë që ai thotë. Të mos bëjmë sikur nxehemi me të, pasi këtë do. Në kriza si kjo që po kalon qeveria, ku shtypi e ka të vështirë t’i jap të drejtë, ai ka interes ta rreshtojë shtypin kundër vetes për një arsye tjetër edukative, si kjo që shpiku sot, me qëllim që të vetët të injorojnë kritikat e shtypit ndaj tij. Është thjesht një vendim i tij politik, për ta rreshtuar shtypin dhe për ta futur në betejën e tij. Qëndrojini larg, jo se u vret, por se u mund në këtë histori. I duhemi armiq këto kohë!
Diskutime rreth kësaj post