Socialistët kërkojnë rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit. Ky qëndrim reflektohet në një raport, i cili do të hidhet sot në votim, në seancën plenare të Parlamentit.
Anëtarët e mazhorancës në Këshillin e Imunitetit dhe Mandateve propozojnë që kërkesa e prokurorisë për arrestimin e Saimir Tahirit të mos pranohet. Duke e konsideruar kërkesën e prokurorisë si të motivuar politikisht, ata rekomandojnë pranimin e kërkesës së Prokurorisë për Krime të Rënda vetëm për dhënien e autorizimit për kontrollin personal dhe të banesës së Tahirit; për ndalimin e daljes jashtë shtetit dhe detyrimin për t’u paraqitur në policinë gjyqësore. Raporti i Partisë Socialistë është firmosur nga Vasilika Hysi, Ulsi Manja, Klotilda Bushka dhe Bledar Çuçi.
Ndryshe nga sa arsyetojnë deputetet e opozitës, në raportin e përgatitur nga deputetët socialistë shkruhet se gjatë shqyrtimit të kërkesës së organit të akuzës, relacionit përkatës, provave të paraqitura dhe shpjegimeve të dhëna gjatë mbledhjeve qe realizoi Këshilli, rezultoi qartësisht se nuk ekzistojnë dyshime të arsyeshme dhe të bazuara për të përligjur dhënien e autorizimit për masën e arrestit ndaj deputetit Saimir Tahiri.
1. Së pari, mazhoranca konstaton se materiali prej më pak se 5 faqe i Prokurorisë nuk argumenton përfshirjen e deputetit Tahiri në veprimtari kundërligjshmërie dhe nuk paraqet asnjë indicje, fillim prove apo prove që të krijoj bindjen e tyre për marrjen e masës ekstreme të arrestit ndaj deputetit Tahiri.
2. Veprat për të cilat është regjistruar procedimi penal në ngarkim të Tahirit janë nga më të rëndat që përmban Kodi Penal, edhe pse Prokuroria nuk ka bërë asnjë ditë hetim ndaj Tahirit, por i është referuar materialeve të procedimit penal të kryer nga organet e shtetit italian dhe disa akteve të tjera të marra nga organi i akuzës në Shqipëri në kuadër të procedimeve penale të mëparshme, konstatojnë deputetët e mazhorancës në raport.
3. Emri i deputetit Tahiri, përmendet nga persona të tretë që hetohen për vepra penale në fushën e narkotrafikut nga organet e drejtësisë së shtetit italian, por në asnjë material të paraqitur, si në materialet e ardhura nga organet e drejtësisë italiane , ashtu dhe në materialet e procedimeve penale të nisura nga organi i akuzës në Shqipëri nuk rezulton në asnjë moment që deputeti Tahiri të ketë qenë pjesë e komunikimeve, veprimeve apo situatave të tilla që do të krijonin bindje se është përfshirë në veprimtari kriminale, është një argument tjetër i mazhorancës.
4. Në raportin e mazhorancës argumentohet se përgjimet janë mjete për të kërkuar provën. Sipas tij, përfshirja e Tahirit në veprimtari kriminale nuk rezultoi në asnjë nga materialet që u morën në shqyrtim. Për efekt te respektimit te angazhimit të deputetëve për të mos nxjerrë te ashtuquajturat sekretet hetimore, që për ne nuk ishin aspak të tilla, nuk po citojmë konkretisht asnjë prej tyre.
5. Mungesa e provave, nxitimi i organit të akuzës për të kërkuar dhënien e autorizimit për arrestimin ose heqjen e lirisë së deputetit Saimir Tahiri, dy ditë pasi ka regjistruar procedimin penal dhe emrin e tij në regjistrin e çështjeve penale, krijon bindjen e socialistëve se në këtë stad të hetimeve që ka kryer Prokuroria, kërkesa ka sfond politik.
6. Autorizimi që u kërkohet për arrestin dhe heqjen e lirisë së deputetit Saimir Tahiri, çmohet nga mazhoranca si një masë e panevojshme dhe e papërshtatshme, duke iu referuar akteve që morën në shqyrtim.
Vendimi i mazhorancës për mospranimin e arrestimit të deputetit Saimir Tahiri vjen edhe pse sipas saj Prokuroria nuk ka respektuar kërkesat e nenit 288 të Kodit të Procedurës Penale. Pika 2 e nenit 288 që deputetët socialistë evidentojnë se Prokuroria e ka shkelur, është: “Kërkesa për autorizim paraqitet kur plotësohen kushtet ligjore të parashikuara në këtë Kod për kryerjen e veprimeve si masa e sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, heqja e lirisë në çfarëdo lloj forme, kontrolli personal ose i banesës. Ajo shoqërohet me një relacion të arsyetuar, të shoqëruar me provat që mbështesin kërkesën e tij”. Sipas deputetëve socialistë, kërkesa e prokurorisë për arrestimin e Tahirit është e panevojshme dhe e papërshtatshme.
Diskutime rreth kësaj post