Nga Gjon Ndreja
Opinioni publik është përfshirë këto ditë me intensitet në çështjen “Tahiri”. Forcat politike kanë zënë llogoret dhe me të gjithë forcën e “armëve” që kanë në dispozicion zbrazin mbi njëra tjetrën breshëritë e akuzave për historitë e “dashurisë” me krimin dhe përfshirjen e aktorëve në këtë proces. E gjitha kjo u shoqërua edhe më një “spektakël” në komisionin parlamentar të rregullores dhe imuniteteve kur u shqyrtua kërkesa e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për arrestimin e deputetit dhe ish ministrit të PS z.Saimir Tahiri, si i përfshirë në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Dëshiroj ta them që në fillim se unë do të isha në anën e prokurorisë nëse ajo vërtet do të ishte e angazhuar në mënyrë të pavarur dhe profesionale në këtë proces. Por prezantimi në këtë komision nuk tregoi se kjo trupë është e pavarur dhe kërkon me të vërtetë luftimin e krimit të organizuar por me veprimet e saj ajo la të kuptohej qartë se është në shërbim të qarqeve të caktuara politike.
Arrestimi si masë sigurie është paraparë nga legjislatori për të mbrojtur procesin e hetimit nga fakti se të dyshuarit për një krim mund t’i shmangen hetimit, se ata mund të kryejnë ndonjë krim tjetër apo ndaj tyre mund të kryhet një krim që rrezikon jetën dhe zbardhjen e të vërtetës, ashtu sikurse ata mund të ndryshojnë apo zhdukin provat. Asnjë provë e tillë nuk u paraqit nga prokuroria në funksion të kërkesës për arrest. Imuniteti i deputetit për t’u hetuar ndaj veprave që dyshohet se janë kryer prej tij është hequr me ndryshimet në KPP përpara disa vitesh por legjislatori e ka paraparë të arsyeshme të mbajë në kompetencën e Kuvendit arrestimin si masë sigurie kur ekzistojnë kushtet e përcaktuara si më sipër.
Kjo është e lidhur me faktin se kjo masë është ekstreme dhe ka një impakt të rëndësishëm publik për politikanët dhe si e tillë ekziston mundësia që palët politike ta përdorin këtë për interesat e tyre politike. Përvoja mijë vjeçare e drejtësisë e ka vërtetuar këtë mundësi ashtu si edhe përvoja shqiptare e ka verifikuar këtë ne disa raste si, nëpërmjet arrestimit të kryetarit të Partisë Socialiste Fatos Nano apo të funksionarëve të tjerë të Byrosë Politike që u arrestuan për krime kundër njerëzimit dhe u dënuan për kafetë që kishin qerasur me paratë publike. E pra e gjithë kjo përvojë tregon se ekziston rreziku i përdorimit politik të drejtësisë dhe për këtë arsye kërkohet që organet e drejtësisë të jenë jashtë çdo ndikimi politik dhe të veprojnë kur do herë bazuar në provat dhe faktet që kërkon KPP.
“Spektakli” i prezantuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Komisionin e Rregullores dhe Mandateve është prova më e mirë se ky organ nuk është çliruar nga ndikimi politik i atyre që i kanë emëruar pa asnjë lloj merite profesionale por edhe i faktit se profesionalizmi i prezantuar është në nivele të mjerueshme. Vetë kompozimi i kësaj trupe përfaqësuese është i dyshimtë dhe nuk mund të reflektojë në publik paanësinë e saj ndërkohë që asnjë provë nuk u paraqit në ngarkim të atij që dyshohet se e ka kryer një krim përveçse një slogani të artikuluar disa herë si “dyshim i arsyeshëm”. Nuk dëshiroj të hyj në kualifikimin e këtij koncepti pasi juristët kanë dhënë shpjegime shteruese se ai konsiderohet i vlefshëm vetëm kur është i mbështetur në prova. Por nga mënyra se si prokurorët e paraqitën atë, të ngjan me akuzat për agjitacion e propagandë të Kodit Penal të Komunizmit.
Por çështja në shqyrtim është vërtet serioze kur mendon përhapjen e këtij fenomeni në të gjithë vendin dhe faktin se ajo mund të jetë bërë vetëm me mbështetje politike ose me pjesëmarrjen e aktorëve të rëndësishëm me ndikim politik në këtë proces. Prandaj edhe sensibiliteti i lartë i saj kërkon të vendosë një vijë të qartë ose një balancë midis përfshirjes, angazhimit dhe mbështetjes në veprimtari kriminale të subjekteve të dyshuara, me luftën politike midis palëve në pushtet dhe në opozitë. Një vendim i drejtë i arsyeshëm dhe i mbështetur në prova do ti shërbente si luftës reale ndaj krimit të organizuar ashtu edhe qetësimit të palëve të përfshira në këtë debat që deri tani më ngjan krejtësisht shterpë.
Ndërsa mazhoranca ka aktivizuar disa instrumente logjikë dhe juridikë që shkojnë në favor të personit nën hetim por që nuk pengojnë hetimin dhe zbardhjen e së vërtetës, opozita nuk njeh asnjë lloj argumenti logjik por e kërkon të dyshuarin me çdo kusht, prapa hekurave duke kërcënuar e bërë presion bazuar vetëm në argumentet e medieve, portaleve dhe të qytetarit dixhital. “Orgazma” e opozitës më kujton thënien e Eskilit të madh se “teprimi i pasionit qoftë edhe në mbrojtjen legjitime bën që e drejta të kalojë te kundërshtari yt. “Ajo, në vend që të merret dhe të inkurajojë e t’i kontribuojë mbledhjes së fakteve e provave nga prokuroria, merret gjithë ditën me retorikë politike të cilën zor se e beson njeri pasi është kthyer në një refren të mërzitshëm.
Unë do të isha me opozitën dhe prokurorinë edhe në rastin “Tahiri”, sikur ajo paralelisht të kishte kërkuar arrestimin e deputetit Berisha dhe të Presidentit Meta të cilët janë denoncuar me fakte (jo nga portalet) nga një jurist, zyrtar i lartë CEZ-it, për faktin se ato kanë abuzuar me një shumë prej 39 milion euro. Do ta mbështesja opozitën dhe prokurorinë gjithashtu, sikur ajo të investohej në hetimin e kallximeve të bëra në mënyrë të vazhdueshme nga ish truproja e Sali Berishës për krimet e këtij të fundit. Disa herë ai i ka kërkuar prokurorisë të dëshmojë por askush nuk e përfill e jo më të fillojë një çështje “kryesisht” të cilin në rastin Tahiri e ka filluar me shumë zell.
Pa dyshim që do ta besoja Monën në ato që thotë për “qeverinë e krimit” dhe për faktin që ajo artikulon herë pas here se Edi Rama paraqet jo vetëm rrezik rajonal por edhe ndërkombëtar, sikur shoferi i saj të mos ishte ndaluar dhe arrestuar nga policia kufitare në Morinë para disa vitesh për shkak se në automjet ju gjetën një sasi e konsiderueshme kokaine. Por shoferi që ishte njeriu më i besueshëm i saj doli pa lagur në sajë të përpjekjeve të suksesshme Monës. Fundja kush është më i afërt shoferi personal apo një kushëri i dhjetë që llomotit dhe shet mend me emrin e kushëririt të tij ministër. Me zë e me figurë u kallxua për korrupsion edhe bashkëshorti i Monës ish kryetari i LSI-së por drejtësia hodhi poshtë edhe ekspertizën e FBI-së dhe të ekspertëve të Mbretërisë Bashkuar, vetëm për të shpëtuar Liken. Por Mona nuk ndalet në retorikën e saj dhe as do t’ja dijë për këto. Ethet e pushtetit që duket se nuk do ta arrijë kurrë, i kanë errësuar sytë.
Pa dyshim që bashkë me opozitën do të isha në shesh apo në çfarë do forme proteste që do të më thërriste Luli, sikur ai të mos ishte urdhëruesi i vrasjeve të katër njerëzve të pafajshëm që demonstronin në mënyrë paqësore kundër korrupsionit të qeverisë së Lulit me 21 Janar, apo sikur ai të mos kishte marrë raport mjekësor për t’i shpëtuar ndjekjes penale për korrupsionin galopant të vërtetuar katërcipërisht nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në rrugën e kombit dhe për të cilat nuk dha asnjë herë llogari dhe nuk i “hyri ferrë në këmbë”. Sikur Luli të mos kishte bërë aktin e tradhtisë kombëtare për shitjen e detit Greqisë të cilën gjykata Kushtetuese e rrëzoi dhe e konsideroj të tillë ndoshta do t’i isha bashkuar Lulit në kërkesën e tij për arrestimin e Saimir Tahirit.
E pra fatkeqësisht as Luli as Mona dhe as Berisha me qytetarin dixhital, nuk janë të besueshëm dhe si të tillë nuk mund t’i bashkohemi por fatkeqësia nuk mbaron këtu. Nuk jemi të sigurtë nëse Tahiri është i pafajshëm apo i përfshirë në veprimtari kriminale dhe këtë nuk do ta marrim vesh kurrë, sepse prokuroria dhe sistemi ynë i drejtësisë nuk janë të besueshëm. Si do që të vejë halli i Tahirit një gjë është e sigurtë populli në asnjë rast nuk do të besojë për shkak se ai e ka humbur besimin te drejtësia dhe kjo është humbja më e madhe.
Diskutime rreth kësaj post