Në fermën e kanabisit që policia zbuloi në “Pyllin e Zenelajve”, ndërmjet Fushë Prezës edhe Valiasit, punonin edhe 9 femra, gra dhe vajza që kujdeseshin për kultivimin, prerjen dhe paketimin e bimës narkotike.
Sipas burimeve në tunelin që përdorej si magazinë, hetuesit kanë gjetur edhe një listë të personave të tjerë që punonin si dhe pagesat që merrnin.
Nëntë femrat që janë proceduar në gjendje të lirë nga policia e Tiranës kanë pranuar se këtë veprim e kryenin për shkak të gjendjes ekonomike. Sipas burimeve ato shpërbleheshin me 2 mijë lek për ditë pune, ndërkohë që transportimi i tyre kryhej në mënyrë të organizuar me një furgon, herët në mëngjes.
Ferma që u gjet në një ish-zonë ushtarake fare pranë aeroportit të Rinasit dhe disa kilometra larg kryeqytetit, ka shkaktuar edhe një përplasje mes policisë se Tiranës dhe asaj të Durrësit mbi juridiksionin e këtij territori. Tashmë do të jetë drejtoria e standardeve profesionale dhe shërbimi për çështjet e brendshme dhe ankesave që do të përcaktojë nëse ky territor i takon komisariatit numër 5 në Kamëz apo komisariatit të policisë së Krujës pasi edhe kryeministri Rama paralajmëroi shkarkime për këtë rast.
Kultivimi i kanabisit organizohej nga ish-polici Nexhmi Kallari, së bashku me 6 bashkëpunëtorët e tij, të cilët u arrestuan. Policia e Tiranës tha se kishte mbajtur nën vëzhgim këtë grup por nuk sqaroi sa kohë kishte që ushtronte aktivitetin. Në total u sekuestruan 220 bimë kanabisi dhe 146 kg e futur në thasë gati për shitje.
Diskutime rreth kësaj post