Gjykata e Kavajës ka dënuar me burgim të përjetshëm, Musa Saraçin, për akuzën e “Vjedhjes me pasojë vdekjen”, lidhur me ngjarjen e ndodhur në dhjetorë të vitit 2016, ku mbeti i vrarë Idriz Kariqi.
Në bazë të veprimeve hetimore të kryera nga Prokuroria e Kavajës, ka rezultuar se, i pandehuri Saraçi, paraditen e datës 14.12.2016 ka marrë si shërbim taksi mjetin e drejtuar nga viktima Kariqi, në vendin pranë Spitalit të Kavajës. I pandehuri, pasi kishte humbur një sasi të madhe parash (të marra nga familja, pa dijenin e kësaj të fundit), dukeluajtur në lojëra fati kërkoi ti zëvendësonte ato dhe që në momentin që ka hipur në taksi, kishte si qëllim për të marrë paratë e taksistit. Pranë fshatit Greth, ai i ka kërkuar taksistit të ndalojë makinën dhe, nën kërcënimin e një thike i ka kërkuar atij që t’i japë paratë që kishte me vete. Taksisti Kariqi ka nxjerrë paratë që kishte me vete, rreth 1 900 lekë të reja, por autori ka kërkuar më shumë dhe nga acarimi e ka goditur disa herë me thikë taksitin, duke e lënë të vdekur në vend.
Prokuroria në bazë të hetimeve dhe duke marrë në pyetje edhe të pandehurin ka arritur në konkluzionin se, Saraçi pasi ka parë se taksisti ishte i pajetë, ka marrë makinën e viktimës dhe ka ecur disa minuta, por nga tensioni dhe tronditja është rrëzuar në një kanal dhe është dëmtuar. Duke qenë se mjeti nuk mund të lëvizte, i pandehuri ka telefonuar një të njohurin e tij që posedon një servis makinash, të cilit i ka thënë se kishte një makinë të prishur dhe donte ta shiste për skrap. I pandehuri, tashmë i gjetur fajtorë Saraçi ka shkuar në këmbë deri tek servisi i të njohurit të tij dhe kanë bërë “Pazar” që makinën ta shiste për 27 mijë lekë të reja. Pasi ka marrë paratë, autori është larguar dhe është arrestuar pas dy ditësh, në vijim të veprimeve proceduriale hetimore. I pandehuri e ka pranuar autorësinë e krimit.
Në përfundim të gjykimit, Prokuroria e Kavajës kërkoi dënimin e tij me burgim të përjetshëm, kërkesë e cila u pranua nga ana e Gjykatës.
Diskutime rreth kësaj post