Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama ka nisur të marrë në mbrojtje deputetin e tij Saimir Tahiri, përballë kërkesës së Prokurorisë për Krime të Rënda për arrestimin e tij.
Kryesocialisti Rama ka nisur të kujtojë kohën kur Tahiri hyri në selinë rozë i dyti pasi Rama u zgjodh kryetar. Nga një vullnetar i fushatës për bashkinë në vitin 2003, në një person me rol bazik në Partinë Socialiste, ku sot ka edhe drejtimin e degës së partisë në Tiranë.
Më tej, kryeministri Rama nxori në pah vlerat e Tahirit si ministër i Punëve të Brendshme gjatë mandatit të parë të qeverisë së majtë. Kohë kur Prokuroria për Krime të Rënda e akuzon për trafik të drogës në bashkëpunim me grupin Habilaj, kushërinj të largët të tij, disa të arrestuar edhe në Itali.
Në këtë kontekst, Rama tha se nuk i ka ndërhyrë kurrë Tahirit në zgjedhjet e bashkëpunëtorëve në Ministrinë e Brendshme dhe aq më pak në të Drejtorëve të Përgjithshëm të Policisë, me të cilët tha se nuk ka pasur asnjë komunikim, dhe se nuk i ka as numrat e telefonave. Duke e cilësuar ministër jetëgjatë dhe të guximshëm, Rama tha se Tahiri ka luftuar të ndërtojë një polici të denjë të shtetit shqiptar. Nga ana tjetër, kujtojmë se prokuroria ka vënë në përgjim edhe drejtues të lartë policie me dyshimin se janë të përfshirë në trafik të drogës, duke dyshuar se ata i kanë krijuar lehtësi trafikantëve për të ushtruar veprimtarinë kriminale.
“Nuk i ndërhyra kurrë në zgjedhjen e bashkëpunëtorëve në ministrinë e brendshme. I kam miratuar pa hezitim kandidaturat për drejtor të përgjithshëm të policisë së shtetit, si të parin si të dytin, nuk e kam pasur kurrë as numrin e të parit as të të dytit në telefonin tim. Çdo shqetësim të qytetarëve për policinë ja kaloja ministrit dhe aty mbyllje. Nuk mbaj mend në 4 vjet të kem folur apo takuar ndonjë shef komisariati, përveç takimeve të rralla me ta në prani të ministrit”, tha Rama.
Diskutime rreth kësaj post