Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha reagoi pas takimit të kryeministrit Edi Rama me drejtuesit e policisë, duke thënë se “qëllimi i daljes së Edi Ramës para drejtuesve më të lartë të policisë ishte t’u jepte garanci publike kriminelëve se pavarësisht ngjarjeve të fundit, ai e ka në kontroll policinë, se Saimir Tahiri është i sigurt, se interesat e krimit janë të mbrojtura e nuk do të preken”.
“Gjendja e vërtetë e policisë së Ramës lexohet në përgjimet e anti-mafias italiane. Atje do të gjeni të vërtetën e pancensuruar dhe të pa transformuar nga propaganda e Edi Ramës, e cila financohet nga paratë e drogës. Atje do të mësoni të vërtetën se shefat e policisë së Edi Ramës janë hamej që ngarkojnë gomonet e drogës, që mjetet e policisë së Ramës janë në dispozicion të trafikut, që radarët e policisë së Edi Ramës ndizen e fiken me urdhër të trafikantëve, që trafikantët kujdesen edhe për dhuratat për festa për Ministrat. Atje do të mësoni që krimi është kthyer në makinë elektorale. Në krah të Fatmir Xhafës sot Edi Rama u betua se do vendosë shpërblime për kokën e kriminelëve në kërkim. Sa do t’ja vërë çmimin kokës së vëllait të Ministrit të Brendshëm që kërkohet nga policitë e gjysmës së botës për trafik kokaine? Rama dhe ministrat e tij janë të zhytur në krim dhe të kapur nga krimi. Qeverisja e tij de fakto ka marrë fund”, shtoi kreu i Partisë Demokratike.
Diskutime rreth kësaj post