Çfarë po ndodh me drejtësinë tani që institucionet e reja të vettingut ende nuk janë ngritur? Është ndalur fryma dhe po pritet! Kështu e përshkruan kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja situatën ku ndodhet gjyqësori sot.
Në një intervistë për Top Channel, zoti Dedja shpjegon se kjo situatë rëndon jo vetëm mbi njerëzit e drejtësisë, por edhe qytetarët e thjeshtë të cilët po zvarriten. Një shembull i tillë është Gjykata e Lartë, e cila ka ngelur me minimumin e gjyqtarëve, ndërkohë që stoku i dosjeve po shumëfishohet.
“Vettingu duhet të nisë një sahat e më parë edhe për arsye të problemeve që ka krijuar në gjyqësorin e zakonshëm. Natyrisht ka dhe gjykime në sistemin e prokurorisë. Nga bisedat me gjyqtarët dhe prokurorët e të gjitha shkallëve vërehet një tulatje, fashitje, një çorientim mes gjyqtarëve dhe prokurorëve, gjë që ka çuar në krijimin e dosjeve stok, në mosgjykimin e çështjeve të rëndësishme, duke pritur se çfarë do të ndodhë. Këtë e kanë dëmtuar deklaratat e nxituara që janë bërë që në fillim, se tërë sistemi është i korruptuar, gjithë gjyqtarët dhe prokurorët janë të korruptuar, duke dëmtuar kështu efiçencën e tyre, shumë prej të cilëve janë profesionistë”, deklaron Dedja.
Por edhe vetë Gjykata Kushtetuese, që ka mbetur me 7 anëtarë nga 9 që duhet të jenë, ka nën shqyrtim ligje që lidhen me vettingun. Nga ana e tij, Dedja premton shpejtësi.
“Pritet që vendimmarrja të jetë sa më e shpejtë të jetë e mundur dhe kjo nuk do ndikojë në cilësinë e vendimmarrjes. Nuk është vetëm problemi i vettingut, por janë tre ligje që po shqyrtohen njëkohësisht: ligji për qeverisjen gjqyësore, ligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe ligji i vettingut. Pra, është një vendimmarrje e rëndësishme që kërkon kohën e saj”, nënvizon Dedja për TCH.
Diskutime rreth kësaj post