Moisi Habiliaj, njeriu që drejton kartelin e drogës në Vlorë dhe që tashmë është arrestuar nga prokuroria e Katanias Itali, si personi që ka organizuar dërgimin e 21 ngarkesave me drogë nga Shqipëria në drejtim të Italisë, rezulton të jetë “falur” nga gjykata e Vlorës në nëntor të 2005.
Megjithëse ekzistonin prova bindëse, si gjurmë gishtash dhe vetë Habilaj e ka pranuar në gjykatë se ai kishte dijeni për sasinë prej 53 kg drogë, ai nuk është dënuar për akuzën e “Mbajtjes, përpunimit të bimëve narkotike në bashkëpunim” siç kishte kërkuar përfaqësusi i prokurorisë, por gjykata i ka ndryshuar këtë akuzë, duke e dënuar përfundimisht me 10 muaj e 20 ditë burgim.
Këtë masë dënimi Habili mësohet se e kishte kryer gjatë periudhës së paraburgimit, dhe është liruar nga qelia vetëm pak ditë para se të festohej Viti i Ri 2006.
Mashtrimi i Habilaj në gjyq për gjurmën
Në dëshminë e tij para gjykatës Moisi Habili që konsiderohet si kreu i kartelit të drogës në Vlorë, ka pretenduar se:“…duke qënë i afërt i të pandehurit Shpërblim Alliu ai shkonte shpesh në banesën e tij dhe në një nga këto ditë ka konstatuar sasinë e drogës në një nga dhomat e banesës.
Ai pa e ditur se çfarë ishte e ka hapur ngjitësin, ka konstatuar që ishte bimë narkotike e ka mbyllur dhe e ka këshilluar të pandehurin Shpërblim Alliu që ta asgjësonte…”. Sipas Habilajt pikërisht në këtë moment ai ka lënë dhe gjurmët e gishtave në pakot me drogë, duke e pëjashtuar veten që të kishte lidhje me këtë sasi droge.
Të njëjtin pretendim med Habilaj, kanë mbajtur dhe të arrestuarit e tjerë Flamur Zeka dhe Ylli Hoxha. Ndërsa personi që ka marrë përsipër autorësinë e kësaj sasie droge është anëtari i kësaj bande, shtetasi Shpërblim Alliu.
Ky i fundit është i vetmi që është dënuar me 4 vite burgim nga gjykata e Vlorës, ndërsa tre të pandehurit e tjerë janë dënuar me 10 muaj e 20 ditë burg për akuzën e “Moskallëzimit të Krimit”. Gazeta “Shqiptarja.com” zbardh të plotë dosjen e prokurorisë së Vlorës, ku Habilaj mundi tia hedhë drejtësisë, edhe pse në atë periudhë Saimir Tahiri nuk ishte pjesë e politikës apo funksionar i lartë i shtetit.
Vendimi i gjykatës është dhënë në periudhën kur Shqipëria drejtohej nga ish-kryeministri Berisha.Lidhur me të pandehurit Moisi Habilaj, Flamur Zeka dhe Ylli Hoxha.
Habilaj jo i rrezikshëm
Treshja e gjyqtarëve Klodian Gjyzari, Artur Malaj, dhe Luan Hasani mbajnë parasysh sanksionin që parashikon dispozita për këtë vepër penale gjobë dhe burgim deri në tre vjet, rrezikshmerinë e ulët të autorëve dhe çmon se dënimi duhet të jetë me me 16 muaj burgim. Por për shkak të gjykimit të shkurtuar ata përfituan ulje dënimi dhe u dënuar përfundimisht me 10 muaj e 20 ditë burg, nga 7 vite burgim që kërkoi prokuroria.
Dosja e plotë e argumentat e gjykatës
Prokuroria e Vlorës, ka paraqitur pranë gjykatës kërkesën për gjykimin e të pandehurve Shpërblim Alliu, Moisi Habilaj, Flamur Zeka të akuzuar për veprën penale të mbajtjes, përpunimit të bimëve narkotike ne bashkepunim dhe të pandehurin Ylli Hoxha të akuzuar per vepren penale “Moskallëzimit të krimit”.
Nga ana e prokurorisë është filluar procedimi penal nr. 165 i vitit 2005 në ngarkim të të pandehurve Shpërblim Alliu, Moisi Habili, Flamur Zeka dhe Ylli Hoxha pasi në datë 24 shkurt 2005 është kryer një kontroll në flagrancë në shtëpinë e shtetasit Mustafa Alliu në fshatin Panaja të rrethit të Vlorës gjatë të cilit u gjetën 53 kg lëndë narkotike, cannabis sativa e vendosur ne 54 pako e gjysëm, në formë paralelpipedi të mbështjella me natriban ngjyrë kafe.
Nga deklarimet e shtetasit Mustafa Alliu ka rezultuar se kjo sasi droge i përkiste të pandehurit Shpërblim Alliu. Nga ana e prokurorisë është kryer përpunimi kimiko-fizik i sipërfaqeve të brendshme dhe të jashtme të pakove me lëndë narkotike dhe ka rezultuar në shiritin e dytë të natribanit nga ana e brendshme dy gjurmë të cilat i përkisnin njëra të pandehurit Moisi Habilaj dhe tjetra të pandehurit Flamur Zeka, në njërën prej sipërfaqeve të mëdha të pakove është gjetur gjurma e pëllëmbës së të pandehurit Shpërblim Alliu, në një nga sipërfaqet e mëdha është gjetur gjurmë gishti e të pandehurit Ylli Hoxha.
Nga përpunimi kanë rezultuar edhe katër gjurmë të tjera të cilat kanë pasur vlera identifikimi por që nuk i përkisnin të pandehurve.
Në kushtet e mësipërme në datë 24 shkurt 2005 është arrestuar në flagrancë i pandehuri Shpërblim Alliu, dhe më pas në dt.8 prill 2005 është kryer ndalimi i të pandehurve Moisi Habilaj, Flamur Zeka dhe Ylli Hoxha. Prej organit të akuzës të tre të pandehurit Shpërblim Alliu, Flamur Zeka, Moisi Habilaj janë akuzuar për veprën penale të mbajtjes, përpunimit, prodhimit të bimëve narkotike të kryer në bashkëpunim, kurse i pandehuri Ylli Hoxha për veprën penale të Moskallzimit të krimit”.
Nga të pandehurit u kërkua të procedohej me gjykimin e shkurtuar pasi ata pretenduan që në gjëndjen që ishin aktet mund t`i jepej fund çështjes. Kjo kërkesë e tyre e bërë në gjykatë, është pranuar nga treshja e gjyqtarëve Klodiana Gjyzari, Artur Malaj dhe Luan Hasani.
I pandehuri Shpërblim Alliu si gjatë hetimeve paraprake dhe gjatë gjykimit pretendoi se veprën penale e ka kryer vetëm pasi ai e ka gjetur sasinë e lëndës narkotike rastësisht dhe e ka mbajtur në shtëpi dhe sipas tij, të pandehurit e tjerë vetëm kanë ardhur në dijeni të faktit që ai posedonte këtë sasi droge por nuk kanë pasur asnjë lidhje me të.
I pandehuri Moisi Habilaj ka pretenduar se duke qënë i afërt i të pandehurit Shpërblim Alliu ai shkonte shpesh në banesën e tij dhe në një nga këto ditë ka konstatuar sasinë e drogës në një nga dhomat e banesës. Ai pa e ditur se çfarë ishte e ka hapur ngjitësin, ka konstatuar që ishte bimë narkotike e ka mbyllur dhe e ka këshilluar të pandehurin Shpërblim Alliu që ta asgjësonte.
Ndërkohë nga akti i ekspertimit vlerësues të provave materiale nr. 1048 dt.4 mars 2005 provohet që nga përpunimi kimiko-fizik i sipërfaqes së brendshme dhe të jashtme të 53 pakove dhe shiritave lidhës natriban janë përfituar me cilësinë e provave materiale tëtë gjurmë papilare të vlefshme për identifikim.
Nga akti i ekspertimit daktiloskopik 8 prill 2005 rezulton se në shiritin e dytë të natribanit janë gjetur në anën e brendshme tre gjurmë gishti nga të cilat ajo e cilësuar me gërmën “E” i përkiste të pandehurit Moisi Habilaj, kurse në anën e kundërt të po këtij shiriti janë gjetur gjurmët “C” që i përkiste të pandehurit Flamur Zeka dhe “D” e paidentifikuar.
Në njërën prej pakove, në sipërfaqen e madhe të saj është gjetur gjurma “G” që i përkiste pëllëmbës së të pandehurit Moisi Habilaj kurse në një shirit tjetër në pjesën e madhe të pakos është gjetur gjurma “E1” që i përkiste gishtit të të pandehurit Ylli Hoxha.
Gjykata çmon se vepra penale “Mbajtjes, përpunimit të bimëve narkotike në bashkëpunim” konsumohet në një nga mënyrat enumerative të parashikuara në këtë dispozitë dhe jo me kryerjen e veprimeve të cilësuara në titullin e dispozitës. Pra që një person të akuzohet se me veprimet e tij ka konsumuar këtë vepër penale duhet të provohet se ai ka kryer një nga veprimet e përshkruara në këtë dispozitë.
Nga rrethanat e ngjarjes të përshkruara më lart rezulton që sasia e lëndës narkotike është gjetur në banesën e të pandehurit Shpërblim Alliu ku nuk banonte asnjë prej të pandehurve të tjerë dhe nuk ndodheshin në momentin e kontrollit asnjë prej tyre.
Pra në çastin kur u konstatua se i pandehuri Shpërblim Alliu posedonte një sasi lënde narkotike ai ishte vetëm, pa asnjë prej të pandehurve. Gjykata çmon se i pandehuri Shpërblim Alliu ka konsumuar elementët e veprës penale të mbajtjes së substancave narkotike.
Provohet që tre të pandehurve të tjerë Moisi Habilaj, Flamur Zeka dhe Ylli Hoxha u janë gjetur gjurmë të duarve në pakot e lëndës narkotike të gjetur në banesën e të pandehurit Shpërblim Alliu, por kjo nuk i bën ata mbajtës të lëndës narkotike, pasi nga procesverbali i kontrollit provohet që ata nuk gjendeshin në banesë në këtë kohë.
Gjurmët e duarve të këtyre të pandehurve mbi pakot e lëndës narkotike provojnë që këta të pandehur ishin në dijeni të kësaj sasie droge dhe vendodhjen e saj në një çast të caktuar, kur ata e kanë prekur këtë drogë, por nuk provon kryerjen e ndonjë veprimi tjetër prej tyre.
Mbajtja e lëndës narkotike është një krim i cili fillon me ardhjen në posedim, në zotërim të sasisë së lëndës narkotike dhe vazhdon në kohë deri në konstatimin e këtij veprimi, e kësaj mbajtjeje, prej organeve të policisë, rendit publik etj, pra zgjat në kohë deri në kapjen e personit të akuzuar me këtë substancë në posedim të tij.
Provohet që të pandehurit Moisi Habilaj, Flamur Zeka dhe Ylli Hoxha kanë ardhur në dijeni të ekzistencës së një sasie lënde narkotike në momente të ndryshme nga njëri-tjetri, pasi provohet që ata kanë prekur me dorë dy të parët të njëjtën pako ku ndodhej kjo sasi lënde narkotike dhe tjetri një pako tjetër, qëllimi i prekjes prej tyre i kësaj sasie lënde narkotike nuk provohet nga ana e organit të akuzës, por provohet se në një çast të caktuar të tre këta të pandehur kanë pasur në posedim, secili më vete, një sasi lënde narkotike.
Pra kanë mbajtur një sasi lënde narkotike, por nuk janë kapur në posedim të saj nga ana e forcave të policisë pasi megjithë mundësinë që kishin për të ruajtur posedimin e tyre mbi lëndën narkotike, ata me vullnetin e tyre kanë hequr dorë nga ky posedim.
Kjo heqje dore ka qënë përfundimtare pasi e njëjta sasi drogë e mbajtur prej të pandehurve Moisi Habilaj, Flamur Zeka dhe Ylli Hoxha i është gjetur në banesë, pra posedohej, mbahej nga i pandehuri Shperblim Alliu. Përfundimisht gjykata çmon se të pandehurit Moisi Habilaj, Flamur Zeka nuk janë fajtore për veprën penale të mbatjes së lëndës narkotike pasi ata me vullnetin e tyre dhe në mëyrë përfundimtare kanë hequr dorë nga kryerja e veprës penale.
“…Si konkluzion i pandehuri Shperblim Alliu ka mbajtur i vetëm pa bashkëpunëtore sasinë e lëndës narkotike të gjetur në banesëen e tij, vepër penale kjo e parashikuar nga neni 283/1 i K.Penal dhe jo nga neni 283/2 i ketij Kodi”-thuhet në vendimin e gjykatës së Vlorës.
Më tej gjykata e Vlorës argumenton se: “…me veprimet e kryera prej tyre, të pandehurit Moisi Habilaj, Flamur Zeka dhe Ylli Hoxha kanë konsumuar elementët e një vepre tjetër penale.Kjo për shkak se ata kanë ardhur në dijeni të ekzistencës së një sasie lënde narkotike e cila posedohej nga të tjerë, konkretisht i pandehuri Shpërblim Alliu dhe ndonëse ishin në dijeni që një krim i tille po kryhej ata nuk kanë kryer detyrën që ka çdo shtetas atë të kallzimit në organet e rendit etj…”.
Provohet që të tre të pandehurit Moisi Habilaj, Flamur Zeka dhe Ylli Hoxha kanë ardhur ne dijeni që i pandehuri Shpërblim Alliu mbante një sasi lëndë narkotike në banesën e tij në kundërshtim me ligjin, dhe nuk kanë kallzuar në organet e ndjekjes penale, në gjykatë, në organet e rendit publik, të pushtetit ose administratës për këtë krim që ishte duke u kryer.
Vepra penale prej tyre është kryer me mosveprime, pasi ata nuk kanë zbatuar, pra nuk kanë kryer veprimet që ligji detyron për shtetasit me qëllim ndalimi, apo zbulimin e krimeve dhe autorëve të tyre.
Gjykata bazuar në nenin 375 të K.Pr.Penale me vendimin përfundimtar mund t`i japë fakti penale një cilësim juridik të ndryshëm nga ai që i ka dhënë prokurori, dhe në zbatim të kësaj të drejte gjykata çmon se i pandehuri Shpërblim Alliu është autor i veprës penale të mbajtjes së substancave narkotike të parashikuar nga neni 283/1 i K.Penal kurse të pandehurit Moisi Habilaj, Flamur Zeka dhe Ylli Hoxha janë autorë të veprës penale te moskallzimit të krimit.
Lidhur me të pandehurit Moisi Habilaj, Flamur Zeka dhe Ylli Hoxha gjykata mban parasysh sanksionin që parashikon dispozita për këtë vepër penale gjobë dhe burgim deri në tre vjet, rrezikshmerinë e ulët të autorëve dhe çmon se dënimi duhet të jetë me me 16 muaj burgim. Por për shkak të gjykimit të shkurtuar ata përfituan ulje dënimi dhe u dënuar përfundimisht me 10 muaj e 20 ditë burg, nga 7 vite burgim që kërkoi prokuroria.
Pretenca e prokurorisë Moisi Habili 7 vjet burgim
“Mbajtjes, përpunimit e tregtimit të bimëve narkotike” në bashkëpunim
Shpërblim Alliu 7 vjet burgim
“Mbajtjes, përpunimit e tregtimit të bimëve narkotike” në bashkëpunim
Flamur Zeka 7 vjet burgim
“Mbajtjes, përpunimit e tregtimit të bimëve narkotike” në bashkëpunim
Ylli Hoxha 10 muaj burgim
Moskallëzim Krimi
Vendimi i gjykatës
Shpërblim Alliu 4 vjet burgim.
“Mbajtjes, përpunimit e tregtimit të bimëve narkotike”
Moisi Habilaj 10 muaj e 20 ditë burgim.
Moskallëzim Krimi
Flamur Zeka 10 muaj e 20 ditë burgim.
Moskallëzim Krimi
Ylli Hoxha 10 muaj e 20 ditë burgim.
Moskallëzim Krimi
Tahiri s’ekzistonte si politikan
Kush e ndihmoi Habilaj të dilte nga burgu në vitin 2005?
Gjatë vitit 2005, kur Moisi Habilaj bashkë me tre persona të tjerë është arrestuar nga prokuroria e Vlorës për posedimin dhe tregtimin e 53 kg drogë,Saimir Tahiri, nuk ka pasur asnjë funksion politik. Edhe pse flitet se Habilajt kanë lidhje të forta me Tahirin, çuditërisht Moisiu që konsiderohet si kreu i këtij grupi kriminal, ka mundur tia hedhë policisë dhe drejtësisë, edhe pse në atë kohë skanë pasur mbështetjen e supozuar të Saimir Tahirit.
Ky i fundit në 2005 ka qënë vetëm 26 vjeç, dhe se në këtë periudhë ai ishte vetëm një anëtar i thjeshtë i Partisë Socialiste, duke mos pasur asnjë ndikim jo vetëm në parti, por edhe në polici, prokurori dhe gjykata. Por kush e ndihmoi në 2005 Habilajt tia hidhte drejtësië, duke dalë nga burgu, vetëm pak muaj pasi kishte hyrë në qeli.
Dy ngjarjet me C4 në Vlorë Habiljat u hetuan për tritolin kundër prokurorit
Grupi i drejtuar nga Moisi Habilaj ka qënë disa herë nën hetim nga prokuroria e Vlorës për disa ngjarje të rënda. Një ndër këto ngjarje ku Habilajt kanë qënë të dyshuar,është dhe rasti i kërcënimit të një prokurori në Vlorë, të cilit i kanë vënë dy hërë tritol C4 në makinën e tij personale.
Në atë periudhë policia dhe prokuroria e Vlorës përqëndruan hetimet e tyre tek anëtarët e grupit të Habilajve, por nga hetimet nuk kanë konstatuar asnjë provë dhe për pasojë, prokuroria ka vendosur të pezullojë dosjet dhe tia kalojë policisë për hetime të mëtejshme për zbulim autori.
Diskutime rreth kësaj post