Pas një pushimi disaminutësh, ka nisur sërish mbledhja e Këshillit të Mandateve ku pas diskutimeve pritet të vendoset nëse do t’i hiqet apo jo imuniteti deputetit të Partisë Socialiste Saimir Tahiri.
Pas 3 orë zhvillimesh prej orës 11.00, në këtë rinisje të dytë, mbledhja do të zhvillohet pa praninë e mediave. Kjo për shkak se tre prokurorët e Krimeve të Rënda do të paraqesin fakte dhe prova të cilat konsiderohen sekret hetimor dhe që deputetët e Këshillit do të firmosin për të mos nxjerrë asnjë informacion jashtë kësaj mbledhje.
Në fakt kjo ishte një kërkesë që prokurorët bënë që në nisje të seancës, pra mbajtjen e mbledhjes me dyer të mbyllura për shkak të peshës së informacioneve, por deputetët vendosën ndryshe. Një vendim i gabuar pasi vetë ata nisën të kërkonin me ngulm prova, për të cilat prokurorët s’mund të flisnin në prani të gazetarëve.
Prokuroria për Krime të Rënda e kryesuar nga Besim Hajdarmataj e akuzon Saimir Tahirin për trafik të lëndëve narkotike në bashkëpunim me grupin e Habiljave, disa prej të cilëve të arrestuar në Itali, bashkë me kapon e bandës, Moisi Habilaj, kushëri me Tahirin.
Ndërsa në mbledhjen e hapur Tahiri ishte vetë prezent dhe ju drejtua me disa pyetje prokurorëve, në kushtet kur do të paraqiten provat sekrete, ai nuk është më i pranishëm, për vetë faktin se ndaj tij prokuroria ka nisur procedim penal më 17.10.207, dhe si i tillë nuk ka të drejtë të mësojë për faktet sekrete që disponohen kundër tij.
Saimir Tahiri përfaqësohet nga avokati Artan Hajdari.
Diskutime rreth kësaj post