Nga Skënder Minxhozi
Rreth 20 ditë më parë e gjithë Shqipëria merrej me të fortët e Elbasanit. Sot merret me Habilajt e Vlorës dhe drogën e tyre. Një telenovelë krimi me shumë personazhe, që të kujton orë e çast se jetojmë në një vend paradoksal. Në mes të zhurmës për Habilajt, u mësua se ka nisur procedimi për të gjithë hierarkinë e drejtorisë së policisë së Elbasanit. Rama vendosi më në fund të reagojë në mënyrën e tij. Me vonesë dhe dobët. Kjo sjellje e vetëfrenuar është tashmë një “markë” në karrierën e tij politike dhe vijon t’i kushtojë jo pak politikisht.
Ish-ministri i parë i brendshëm që rrezikon të shkojë në “burgun më të largët”, sipas fjalëve të tij, shënon sot dështimin spektakolar të strategjisë së bashkëfajësisë së heshtur. Një paqe hileqare dhe amorale që ka qenë qendra e gravitetit dhe kodi themelor i heshtjes së të gjitha gjeneratave të politikanëve që nga viti 1991. Mos fol për mëkatet e mia, mos më ço para drejtësisë kur të vish në pushtet, që të mos e bëj edhe unë të njëjtën gjë me ty kur të vijë rradha ime – kjo ka qenë marrëveshja e vjetër dhe e re e politikës shqiptare.
Me procedimin penal të Saimir Tahirit, të parit ministër të brendshëm të pluralizmit që mund të shohë derën e burgut, shpresohet që ky refleks i kushtëzuar i ndyrë i politikanëve tanë të marrë fund. Tahiri po shkon drejt gjykimit i rrethuar nga një kor duartrokitësish me dhe pa pagesë, të cilët sot hedhin gurin pa u menduar fare për mëkatet e tyre.
Opozita mblidhet me urgjencë për të koordinuar sesa dhe sa do të përfitojë nga kjo mesele me drigë dhe politikë. Mirë bën, sepse çdo opozitë do ta bënte një gjë të ngjashme, por ka një “por” të madhe nga pas. Ajo tryezë kishte dhe ka brenda manipulatorë të vjetër të drejtësisë, shkelës të hatashëm të ligjit, protektorë politikë të Lazaratit dhe avokatë të regjur të kanabizimit të Shqipërisë. Një cirk karakteresh të cilët janë sot në vitrinën e politikës vetëm falë kodit të heshtjes, në kurthin e të cilit kanë rënë prej kohësh edhe Edi Rama, edhe Saimir Tahiri. Ky i fundit po paguan edhe çmimin e kripur të asaj që s’bëri kur kishte mundësi të bënte diçka.
Sa herë që e majta ka ardhur në pushtet, ka bërë një gjest “kalorsiak”, për të cilin më vonë është penduar. E bëri Nano në fund të viteve ’90, kur premtoi të hetonte vitin e mbrapshtë ’97 me protagonist Berishën dhe asgjë nuk ndodhi. E bëri shumë kohë pas tij gjestin e hapjes rrugë edhe Edi Rama, kur premtoi transparencë për Rrugën e Kombit, Gërdecin dhe 21 janarin dhe ja ku jemi sot. Ramës (dhe Tahirit pas tij), i mbetet të anatemojnë Bashën, Berishën e Mediun vetëm nëpër rrjetet sociale, pasi kanë heshtur praktikisht nga pozita e pushtetit, pa bërë gjënë e duhur: nxitjen me të gjitha mënyrat dhe mjetet që të jep në dorë të qenit kryetar qeverie apo ministër me peshë, për të zbardhur ngjarje që ende e mbajnë të tramatizuar kujtesën kolektive të shqiptarëve. Justifikimi banal dhe standart se “nuk kemi ç’ti bëjmë drejtësisë”, është vetëm pasqyrë e paaftësisë dhe mungesës së dëshirës për të nxitur dënimin e fajtorëve të pandëshkuar, që sot po bërtasin në kor “kapeni hajdutin”!
Sot Tahiri mund të përballet jo vetëm akuzat për një histori të pisët droge, por edhe me atë që nuk bëri kur ishte ministër i brendshëm, për ta thyer kodin e heshtjes së politikës shqiptare. Bashkë me të, edhe Rama ka rastin të kuptojë sesa i gabuar ka qenë pajtimi me të keqen e mbyllur nëpër sirtare që ka pasur mundësinë dhe t’i hapë, e nuk i hapi kurrë. Nëse kryeministri do të vijojë të reagojë me vonesë dhe pjesshëm, si në Elbasan, apo nëse do të vijojë të qëndrojë pasiv për të dënuar me metrin që i takon gjithkujt që ka lënë pas zullume dhe nuk është ndëshkuar për to, do të kemi sërish spektakle hipokritësh, si ky që po shohim sot.
Saimir Tahiri do të shkojë drejt bankës së gjykimit për të marrë (shpresohet!) atë që i takon. Fajtor, nëse ka shkelur ligjin, ose i pafajshëm nëse provohet si i tillë. Çeshtja është se kori i kukuvajkave politike që sot bërtasin “në litar”, e dikur i shpëtonin me procedurë apo me presione politike të njëjtit fat, vijon të ngrejë zërin në emër të drejtësisë! Dhe kjo është thjesht e shëmtuar, jashtëzakonisht e shëmtuar për t’u parë…
Diskutime rreth kësaj post