Edi Rama dhe Saimir Tahiri janë takuar për rreth dy orë gjate ditës së djeshme në Kryeministri, jo vetëm larg syrit të medias, por edhe vëmendjes së bashkëpunëtorëve të ngushtë në qeveri dhe PS. Nga ky takim nuk dihen shumë detaje, por mësohet se në fokus të bisedës kanë qenë pikërisht akuzat e fundit në adresë të ish-ministrit të Brendshëm për lidhje të tij me trafikun e drogës Shqipëri-Itali.
Emri i Tahirit përmendet në bisedat, të përgjuara nga policia italiane, mes Moisi Habilajt dhe një trafikanti tjetër të cilët përmendin shumat, gjithnjë sipas trafikantëve, që fiton ish-ministri i Brendshëm nga trafiku i drogës.
Mësohet se Rama i ka kërkuar Tahirit të japë dorëheqje nga funksionet drejtuese në PS. Nuk dihet ende cili do jetë qëndrimi i ish-ministrit të Brendshëm i cili përveçse deputet, aktualisht mban edhe detyrën e koordinatorit kombëtar për bashkëqeverisjen e njëherazi edhe atë të kryetarit të degës së PS për Tiranën. Saimir Tahiri është duke kaluar situatën më të vështirë politike që nga koha që i është bashkuar PS-së.
Diskutime rreth kësaj post