Hipoteka e Durrësit ka shmangur një vendim të Gjykatës së Lartë për pezullimin e veprimeve të dosjes së një prone, pasi ka lëshuar një certifikatë pronësie pas regjistrimit të këtij vendimi.
Fiks Fare denoncoi rastin që i ka ndodhur familjes Bejko në Durrës, e cila rreth një muaj më parë kërcënoi se do të hidhej nga tarraca e pallatit, pasi me anë të certifikatës së lëshuar nga ana e hipotekës, zyra përmbarimore ka shkuar t’i nxjerrë nga shtëpia.
Qytetari Damin Bejko tregoi për emisionin investigativ se bëhet fjalë për një apartament i ndërtuar që në vitet 70 me kontribut vullnetar, në të cilin banon që prej dekadash, por që nuk ka mundur ta fitojë pronësinë për shkak të gjyqeve të njëpasnjëshme.
Pas shumë gjyqeve, rezulton se Gjykata e Lartë ka dhënë vendimin e pezullimit të ekzekutimi të vendimeve të mëparshme mbi shtëpinë në familjes Bejko më 24 mars të vitit 2016. Ky vendim mësohet se është regjistruar në ZVRPP Durrës tre ditë më vonë.
Por, pavarësisht regjistrimit të këtij vendimi të Gjykatës së Lartë, i cili është ende në fuqi, ZVRPP Durrës, më datë 26 shtator 2016, pra 6 muaj më vonë ka pajisur me certifikatë pronësie palën tjetër. Pas marrjes së certifikatës së pronësisë, pala tjetër i është drejtuar gjykatës për urdhër ekzekutimi.
Më 7 tetor 2016, 11 ditë pas pajisjes me certifikatë të palës tjetër, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës ka lëshuar urdhrin e ekzekutimit, edhe pse familja Bejko ka paraqitur vendimin e pezullimit të Gjykatës së Lartë. Në këto kushte, përmbarimi ka vendosur ekzekutimin e këtij vendimi dhe lirimin e shtëpisë.
Për këtë arsye, gazetarët e Fiksit shkuan pranë hipotekës dhe pyetëm për këtë rast. Përfaqësuesi i ZVRPP Durrës, Edison Jonuzi tha për Fiks Fare që nuk është shkelur ligji, por që lë të kuptohet se vendimi i Gjykatës së Lartë është “nul”.
Sipas tij, vendimi i Gjykatës së Apelit Durrës për këtë pronë, i cili është dhënë më 25 qershor të vitit 2015 është regjistruar në ZVRPP Durrës më 14 janar të vitit 2016. Menjëherë pas regjistrimit të këtij vendimi, pala tjetër ka kërkuar regjistrimin e pasurisë dhe një transaksion, duke kaluar një pjesë të saj nga një anëtar te tjetri.
Ndërkohë, vendimi i Gjykatës së Lartë është regjistruar në fund të muajit mars, pra pasi është ekzekutuar vendimi i gjykatës së Apelit. Por, si është e mundur që një certifikatë është lëshuar prej ZVRPP Durrës 6 muaj pasi është regjistruar vendimi i Gjykatës së Lartë. ZVRPP pretendon se pala ka kërkuar ndreqje gabimi dhe kjo nuk bie ndesh me vendimin e Gjykatës së Lartë, pasi nuk është kryer transaksion.
Pra, pavarësisht se ka një vendim të Gjykatës së Lartë për pezullimin e veprimeve deri në shpalljen e vendimit përfundimtar, ZVRPP Durrës ka nxjerrë një certifikatë për ndreqje gabimi, me anë të së cilës është siguruar më pas urdhër ekzekutimi në Gjykatën e Durrësit, duke e nxjerrë nul vendimin e Gjykatës së Lartë.
Diskutime rreth kësaj post