Nga Alteo Hysi
Në gjithë zallamahinë e akuzave për lidhjen e Saimir Tahirit me botën e krimit, më në fund, në opinionin publik, po kristalizohen qartë dy qëndrime, dy qasje të ndryshme të politikës mbi cështjen e krimit, që përcaktojnë dallimin e madh midis qeverisë dhe opozitës aktuale.
Nga njëra anë, Kryeministri Edi Rama reagoi sot duke thënë se shqiptarët sot duan e meritojnë të dinë të vërtetën, vetëm të vërtetën dhe asgjë tjetër përveç të vërtetës.
Ajo që duhet vlerësuar në deklaratën e tij është theksimi që i bën vendosmërisë së qeverisë për të mos toleruar këdoqoftë, që zgjedh rrugën e krimit. Kështu, Rama la të kuptohet se nuk ka rëndësi nëse akuzohet Tahiri, apo Rama vetë para drejtësisë, i PD apo i PS qoftë i akuzuari, drejtësia duhet të bëjë të vetën.
Me këtë deklaratë jo vetëm që kryeministri është ngritur në lartësinë e detyrës së tij, por pikërisht këtu shënoi pikën e kthesës në morinë e akuzave, kundër-akuzave, baltës, vrerit politik, që i bëjnë të gjithë politikanët të duken njësoj: të varur nga krimi!
Imagjinoni të njëjtën situatë, i njëjti ministër, ai i brendshmi, por i PD, në kabinetin e Sali Berishës. Nga ky i fundit me siguri do dëgjonim se akuzat janë pjellë e horrave dhe lavireve të bulevardit.
Ndërsa kryeministri Rama, në pritje të fjalës së fundit të drejtësisë, nuk nxitoi të bënte “avokatin” e pafajësisë së Tahirit e as “gjykatësin” e opozitës, duke dhënë mesazhin se krimi nuk largohet me propagandë agresive boshe.
Por nuk është ky problemi. Problemi është hipokrizia me të cilën opozita po i qaset politikisht cështjes, duke e përdorur dhe fryrë atë si një kauzë jetike.
Nësze ka një arsye pse kriminelët lëvizin të lirë, kryejnë trafiqe dhe pse janë gjithmonë një hap para shtetit, është meritë e sistemit të pandëshkueshmërisë nga drejtësia e negociuar dhe e blerë me para.
Këtë sistem që favorizon kriminelë më të fortë se policët që i vënë në pranga, na e la kusur të përbashkët pikërisht qeverisja demokratike. Lidhet e saj me krimin, me gjyqtarët bajraktarë, të përdorur nga Partia Demokratike për të liruar kriminelët në shërbim të saj, e kanë ushqyr gjatë këtë lloj sistemi.
Eshtë e papranueshme se si sot, ngrejnë shpatën e madhe kundër krimit, ata që me plot gojën mund ti konsiderosh kriminelë më të mëdhenj se sa banditët që lëvizin të lirë. Sali Berisha i Gërdecit, Lulzim Basha i 21 Janarit, Monika Kryemadhi, bashkëshorti i së cilës u kap me zë dhe figurë në aferrë korruptive dhe ia doli ti mbijetojë falë sistemit të pa/drejtësisë, kanë marrë përsipër të bëjnë oponencë me krimin?!
Si mundet sot, të njejtët njerëz të bërtasin “ja ku fle lepuri” (te Tahiri sipas tyre), kur lepurin e krimit e kanë mbarsur dhe mbajtur vetë në barkun e pushtetit?
Në gjithë këtë lum lotësh krododili, fajtor ose jo qoftë Tahiri (kjo është cështje që i takon drejtësisë), ka vetëm një pikëpyetje:
Këta janë aq naivë sa mendojnë se mund ti bëjnë shqiptarët për budallenj, apo janë aq budallenj sa të mendojnë se kanë gjetur kauzën e duhur për të kompensuar varfërinë e tyre politike?
Cilado nga të dyja qoftë, po na fyejnë masivisht, të gjithëve… dhe rëndë madje!
Diskutime rreth kësaj post