Saimir Tahiri, ashtu siç kishte paralajmëruar, ka dalë në një konferencë për shtyp, pas përmendjes së emrit të tij nga kushëriri Moisi Habilaj, që është arrestuar për trafik droge në Itali.
Tahiri ka thënë gjatë fjalës së tij, se Habilajt i ka kushërinj të 10-të dhe i vetmi gabim që ka bërë në lidhje me ta, është fakti që iu shiti makinën katër vite më parë.
Në lidhje me akuzat për përfshirjen në trafik droge, Tahiri ka kërkuar nga Prokuroria që të nisë hetimet për çdo veprimtari të tij dhe familjes së vet.
Ish-ministri i Brendshëm ka thënë gjatë fjalës së tij se nuk pret të mbrohet nga asnjë koleg apo kryeministri, por do të punojë për të zbardhur të vërtetën deri në fund.
Pjesë nga fjalimi i Tahiri
Sot më shumë se kurrë, secili që më njeh mua, përfshi familjen time, është i shtangur nga lajmet dhe sidomos nga përfshirja e emrit tim.
Ata presin përgjigje prej meje.
Kundërshtarët e mi, për herë të parë dhe të fundit sot as do i kundërshtoj dhe as do i akuzoj, për shkak të përmendjes së emrit tim nga dy kriminelë që shesin mend se kë politikan njohin.
E vërteta dhe mbi të gjitha e drejta janë aty, edhe sikur gënjeshtrën ta besojnë miliona vetë.
Unë kam mbajtur detyrën e ministrit të Brendshëm më shumë se kushdo tjetër, duke u përballur me krimin dhe akuzat e shumta.
Unë jam përpjekur me çdo punonjës policie, duke besuar tek forca e pashtershme e tyre, të cilët deri sa të merrja unë detyrën, ishin viktima të botës së krimit dhe politikës që i përdorte.
Kam punuar çdo ditë për modernizimin e policisë.
Kam besuar se puna jonë e madhe pashmangshmërisht do na përplaste me vështirësi të madhe, por dhe se do të bënim gabime.
Unë nuk kam bërë kompromise me njerëz të pushtetshëm, dhe i kam pasur përballë, jo në krah, pavarësisht pushtetit të tyre politik.
Unë jam ende sot i bindur, se detyra që kasha, ishte detyra e jetës për të bërë drejtësinë dhe që sot me plot të drejtë e ëndërrojnë plot njerëz.
Me njerëzit që drejtoja, arritëm jo pak në luftën me krimin, por kjo luftë kishte jo pak kosto për mua dhe për shumë të tjerë.
Sot është një ditë jo e lehtë për mua, në raport me veten, me mortalin tim, me familjen time, por me tim bir mbi të gjitha.
Po ashtu, në raport me kolegët e mi.
Dy kriminelë të cilët janë kushërinj të dhjetë të mi, janë arrestuar në Itali dhe kanë përmendur emrin tim.
Padiskutim që s’do të doja kurrë të isha sot në këtë pozitë, por unë menjëherë do të kërkoj nga Prokuroria, pa kërkuar të përfitoj nga imuniteti, të hetohet dhe verifikohet çdo gjë në lidhje me mua dhe me familjen time.
Unë nuk i fshihem së vërtetës dhe ndjej përgjegjësi për veprimet e kujtdo, edhe të kushërinjve të mi të dhjetë, me të cilët kam bërë të vetmin gabim, që iu shita makinën 4 vjet më parë.
Unë mbaj përgjegjësi të plotë morale për këtë veprim, por për asgjë tjetër, pasi nuk më lidh asgjë me ta.
Unë shpresoj që drejtësia t’i hetojë deri në fund dhe t’i dënojë, pavarësisht se janë kushërinj.
Unë sot nuk shpresoj nga askush as të më besoj dhe as të më mbrojë, duke nisur nga kolegët, deri tek kryeministri.
Unë nuk jam ai lloj njeriu dhe ajo racë që fshihet pas pushtetit dhe pas miqësisë, edhe pse është filmuar duke vjedhur apo vrarë.
Unë s’do ri duarkryq, po do luftoj vetë që e vërteta të zbardhet deri në fund.
Deri atëhere unë i kërkoj ndjesë tim biri, familjes, kolegëve dhe çdo shqiptari që më ka besuar.
Diskutime rreth kësaj post