Komisioni Europian ka publikuar raportin e tremujorit të tretë për vendet kandidate dhe potenciale kandidate, ku e ka vlerësuar pozitive ecurinë e ekonomisë shqiptare dh epritshmëritë për të ardhmen.
Për Shqipërinë raporti thekson se rritja e PBB-së reale ishte 4.1 % me bazë vjetore, në krahasim me 4.0 % në tremujorin e mëparshëm. Kontributi ishte pozitiv nga të gjithë elementët e kërkesës së brendshme. Konsumi i individëve u përshpejtua në 2.3 % dhe ai i qeverisë me 5.8 %, kryesisht si rrjedhojë e rritjes ë pagave në mars.
Rritja e investimeve u përshpejtua në 14.3 %, si rrjedhojë e investimeve të huaja nga ndërtimi i gazsjellësit TAP dhe hidrocentralit të Devollit. Eksportet neto kontribuan pozitivisht, sidomos si rrjedhojë e shërbimeve që u zgjeruan me 22.0 %, përfshirë turizmin dhe transportin. Eksporti i mallrave (+4.4 %) u zgjerua për të tretin tremujor radhazi, duke konfirmuar rikthimin e trendit rritës, pas tre viteve rënie.
Në kahun e prodhimit, aktiviteti i ndërtimit shënoi rritjen më të lartë me 22.7 % me bazë vjetore, duke reflektuar kulmin e aktivitetit të investimeve në sektorin e energjisë. Aktivitetet financiare dhe të sigurimeve (+10.6 %) dhe përpunimi (+6.3 %) kishin gjithashtu ecuri të fortë.
Të dhënat sugjerojnë se aktiviteti ekonomik ka vazhduar zgjerimin dhe në tremujorin e tretë, besimi i konsumatorëve është përmirësuar dhe ai i bizneseve mbetet në nivele të larta.
Tregu i punës ka pasur zhvillime të favorshme në tremujorin e dytë. Punësimi është rritur ndërsa papunësia ra në 14.3% dhe papunësia tek të rinjtë zbriti me 3.4 pikë përqindje në 26.4 %. Pagat u rritën me 11%, kryesisht si rrjedhojë e rritjes së pagave në sektorin shtetëror.
Rritja e kredisë për ekonominë ishte negative që nga muaji prill (-0.2 % me bazë vjetore në gusht), që është gjithsesi rrjedhojë e zhvlerësimit të monedhave të huaja ndaj lekut. I rregulluar për efektin e kursit të këmbimit, kredia për bizneset dhe konsumatorët u rrit përkatësisht me 2.0 % dhe 7.5 % me bazë vjetore. Rritja e ulët e kredisë reflekton pjesërisht rregullimin e kredive me probleme, përfshirë fshirjet nga bilanci, thekson raporti.
Kredia me probleme ka vijuar tendencën ulëse, duke zbritur në 15.1 % në gusht, nga 21.4 % në gusht 2016. Sektori bankar në tërësi është i mirëkapitalizuar dhe ka një normë të mjaftueshmërisë së kapitalit prej 16.3 % në fund të tremujorit të dytë 2017, me rritje prej 0.5 pikë përqindje me bazë tremujore dhe mbi nivelin minimal rregullator prej 12%.
Të ardhurat totale buxhetore u rritën me 6.7 % me bazë vjetore për tetë muajt e parë të vitit, mbi rritjen e planifikuar prej 4%. Të ardhurat nga tatim fitimi, taksat lokale dhe kontributet e sigurimeve shoqërore patën një ecuri të mirë.
Borxhi publik (përfshirë garancitë) ra nga 68.4 % e PBB-së së pritshme për 2017, në fund të marsit në 66.9 % në fund të qershorit.
Rajoni, kryesojnë Mali i Zi dhe Kosova
Për gjithë rajonin, raporti theksoi se performanca e rritjes u përmirësua në pjesën më të madhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor në tremujorin e dytë 2017. Mali i Zi regjistroi rritjen më të fortë në 5.1% nga 3.2% në tremujorin e parë, e udhëhequr gjerësisht nga konsumi i fortë privat. Në Kosovë rritja e prodhimit u përmirësua u përmirësua në 4.6% (nga 3.8%), e mbështetur kryesisht nga investimet e forta. Në Serbi dhe Shqipëri rritja u përmirësua pak në raport me tremujorin e mëparshëm në 1.3% dhe 4.1%, përkatësisht. Serbia u ndikua nga konsumi i brendshëm dhe eksportet ndërsa moti i keq ndikoi negativisht në bujqësi dhe ndërtim.
Në të kundër, në Bosnjë Hercegovinë aktiviteti ekonomik u ngadalësua në 1.7% me bazë vjetore nga 2.9% në tremujorin e parë si rrjedhojë e motit të keq dhe shpenzimeve më të ulëta kapitale në raport me planin. Maqedonia ishte i vetmi vend me tkurrje në tremujorin e dytë (me 1.8% me bazë vjetore), duke reflektuar rënien e investimeve si rrjedhojë e klimës së paqëndrueshme politike.
Në tërësi, në tremujorin e dytë 2017, rritja reale e prodhimit të brendshëm bruto në Ballkanin Perëndimor qëndroi në 1.8%, duke rënë lehtë nga 1.9% në tremujorin e mëparshëm dhe krahasuar me 2.2% që ishte në të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.
Diskutime rreth kësaj post