Kryetari i PD, Lulzim Basha ka reaguar sërish këtë të martë lidhur me arrestimin e Moisi Habilajt nga policia italiane, duke deklaruar se PD i ka denoncuar mijëra herë lidhjet e Tahirit me këtë bandë.
“Me mijëra herë Edi Rama ka mbrojtur Tahirin edhe atëherë kur lidhja e tij u provua me dëshminë e Dritan Zaganit, i cili denoncoi se kjo bandë përdorte mes të tjerash makinën e Saimir Tahirit, me imunitet ministror. Tani Edi Rama hesht. Çfarë do të thuash tani, që Moisi Habilaj ndodhet nën pranga dhe i akuzuar si kreu i një prej bandave kryesore të narkotrafikut?”, ka thënë Basha duke iu drejtuar Ramës.
Sipas Bashës, partnerët strategjikë prej vitesh e muajsh i kanë vënë në dispozicion kryeministrit Rama të dhëna që faktojnë përfshirjen e Tahirit në trafikun e drogës mes Shqipërisë dhe Italisë.
“Por Rama e ka mbrojtur ministrin e tij dhe tani e ka promovuar koordinator të qeverisjes me qytetarët. Ne e dimë se provat për përfshirjen e Tahirit do të bëhen publike, ne e dimë se prej kohësh ato janë në duart e Edi Ramës. Pyetja që shtrohet është çfarë pret Rama t’i vërë prangat dhe ta ekstradojë, në mos ta gjykojë këtu Tahirin, si një nga kapitenët e drogës?”, ka thënë Basha.
Ai ka theksuar se, mbrojtjen e Tahirit, Rama e ka bërë me vetëdije të plotë sepse paratë e drogës janë përdorur në zgjedhjet e 2017-s.
“Sot të gjithë partnerët kanë fakte të pakundërshtueshme të lidhjes së Ramës dhe Tahirit me bandat shqiptare. Shqiptarët kanë dy rrugë: të ulin kokën dhe të pranojnë realitetin malinj, ose të përdorim të drejtën për të mos u qeverisur as nga bandat as nga kryeministri i lidhur me ta”, ka vijuar Basha.
Por mbi të gjitha, ka shtuar ai, sot është koha që Tahiri të arrestohet dhe ndaj tij të nisë procedimi penal.
Diskutime rreth kësaj post