Tre javë burg ka bërë një qytetar për shkak të një gabimi që ka bërë një denoncuese nga Saranda. Ky gabim fatal është përforcuar më vonë nga policia, më pas nga prokuroria dhe lënë në fuqi nga Gjykata.
Fiks Fare denoncoi sonte rastin flagrant që i ka ndodhur qytetarit Erjon Skopeci nga Durrësi, i cili në muajin janar të këtij viti është arrestuar për “falsifikim monedhash”, ndërkohë që të gjitha institucionet janë bashkuar kundër tij, duke u bazuar vetëm në një kallëzim dhe një paraqitje për njohje. Sapo kanë dalë provat e reja, gjykata është detyruar ta lirojë të dyshuarin, i cili tashmë kërkon dëmshpërblim në gjykatë.
Pas denoncimit të qytetarit, gazetarët e Fiks Fare kërkuan informacion nga institucionet përkatëse sesi është e mundur që një person arrestohet duke u bazuar vetëm në një kallëzim dhe një paraqitje për njohje nëpërmjet Facebook. Komisariati i Policisë Sarandë nuk pranoi të flasë mbi këtë çështje, edhe pse gazetarët e Fiksit shkuan disa herë pranë këtij institucioni. Kreu i Prokurorisë Sarandë, Edison Ademi deklaroi se ky është një rast i rrallë që ka ndodhur, pasi denoncuesja ka ngatërruar një numër të targës së makinës, që ishte shumë e ngjashme me targën e makinës së autorit të vërtetë. “Edhe nëpër botë kanë ndodhur gabime të tilla. Madje, njerëzit janë dënuar me vdekje dhe më pas kanë dalë të pafajshëm”, tha ai për Fiks Fare.
Gjithsesi, sipas tij, qytetari i arrestuar gabimisht po ndjek procedurat e dëmshpërblimit. Ndërsa kreu i Gjykatës së Shkallës së Parë në Sarandë, Alltun Çela tha se që në fillim rasti ka qenë gabim, pavarësisht se është dhënë masë sigurie “arrest me burg”. Sipas tij, gjykata i pranon këto raste për masë sigurie, ashtu siç vijnë nga policia. “Nëse ne i lirojmë, thonë pastaj se policia i arreston, gjykata i liron. Saimir Tahiri dërgoi edhe dokumente për këto raste. Nuk kemi ç’të bëjmë dhe ne”, deklaroi ai gjatë bisedës me gazetarët e Fiksit.
Qytetari Erjon Skopeci ka kallëzuar penalisht edhe denoncuesen Eranda Begalli për “kallëzim të rremë”, por prokuroria e ka pushuar çështjen. Për pushimin e çështjes, ai është ankimuar në gjykatë.
Sipas tij, vajza e ka bërë me qëllim kallëzimin e rremë, pasi në kushte të tjera, ajo do i kishte kërkuar ndjesë. Për këtë arsye, Fiks Fare kontaktoi edhe me kallëzuesen, e cila tha se është penduar për gabimin që ka bërë dhe ka dashur t’i kërkojë falje personit të akuzuar gabimisht, por ka pasur shumë frikë. Gjithsesi, Prokurori Ademi thotë se këto raste i ndihmojnë njerëzit e drejtësisë për t’u përmirësuar në punën e tyre.
Diskutime rreth kësaj post