Nga Mero Baze
Turqia ka reaguar zyrtarisht ndaj një vendimi të një gjykate shqiptare, e cila ndalon ekstradimin në Turqi të pedagogut turk Muhammed Yasir Aydoğmuş, të cilit i është pezulluar pasaporta nga autoritetet turke, për shkak të akuzave që janë ngritur për terrorizëm pas asaj që Erdogan e quan “grusht shteti”.
Vendimi i Gjykatës, bazohet në faktin se pedagogu turk është para një akuze politike dhe Shqipëria ka detyrime ndaj Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut për esktradimin e personave që kanë probleme politike në vendin e tyre.
Reagimi i Turqisë si zhgënjim ndaj Shqipërisë dhe disa zëra në Tiranë që e shikojnë me trishtim çështjen se “po prishemi me Turqinë për një pedagog”, tregon realisht se para çfarë rreziku ndodhemi nga debati që rrezaton qëndrimi ndaj këtij gjyqi.
Në këtë histori përplasen dy koncepte tërësisht të ndryshme për drejtësinë. Njëri që e konsideron drejtësinë në shërbim të politikës, apo qoftë dhe diplomacisë dhe gjykimi Perëndimor që e konsideron të pavarur dhe që duhet të respektojë parimet evropiane për të cilat Shqipëria ka rënë dakord.
Paturpësia e Turqisë që reagon ndaj një gjykate shqiptare nuk është turp në Turqi. Aty Presidenti arrrestoi mijëra gjyqtarë, gazetarë, profesorë dhe ushtarakë brenda një nate, a thua i kishte gati dosjet dhe akuzat për ta. Asnjë gjykatë nuk guxoi më pas të mos i quante fajtorë të ndaluarit, pa asnjë fakt.
Në atë vend dita-ditës po bëhet normale të ndëshkohesh se duhesh ndëshkuar, dhe jo se ke bërë faj. Dhe mos u çudisni që ky mentalitet reflektohet dhe ndaj vendeve të tjera si Shqipëria.
Me të njëjtën egërsi, Presidenti Erdogan u përplas edhe me Gjermaninë, për një karikaturist që ishte tallur në një vizatim për të. E ka bërë dhe për një gazetarë në Kosovë. Është praktikë normale e tyre. Erdogan i kërkoi Merkelit të dënohej humoristi që ishte tallur me të, ashtu sikurse kërkoi që gazetari i Kosovës që tallej me grushtin e shtetit të merrej i pandehur. Kështu që mos e gjykoni keq përse ai reagon ndaj Shqipërisë, për një vendim gjykate. Vetëm se ndaj nesh ka reaguar fort ndaj qeverisë, për një arsye tjetër dhe këtu ai nuk ka shumë faj. Ai ka dëgjuar se në Shqipëri, drejtësia është aq e padrejtë dhe jashtë standardit, sa nuk ke si ti thuash Erdoganit që e kemi të pavarur dhe nuk pyet për ty. Nga ana tejtër, drejtësia jonë ka liruar dhe trafikantë droge të kërkuar në Turqi, por Turqia nuk ka reaguar. Pasi aty krimineli më i madh është ai që është kundër Presidentit dhe jo trafikantët e drogës.
Protesta e Turqisë nuk ka të bëjë me cilësinë e vendimit, por me faktin që Turqia e konsideron apriori drejtësinë nën urdhërat e politikës në Tiranë dhe reagon ndaj saj. Ajo e ka të sinqertë idenë se këtu me drejtësinë mund të bësh çfarë të duash. Në një farë mënyre reagimi i egër ndaj Shqipërisë, tregon se Turqia e di që këtu me një telefonatë mund të ekstradohet pedagogu.
Dhe nuk është se e ka keq. Fati është këtu se drejtësinë po e merr në dorë Perëndimi dhe së paku tek gjykimi politik nuk tolerojnë. Po të ishte për këta kokqoshet tanë, që thonë pse na prishni me Turqinë për një pedagog, ky pedagogu do ishte duke u pushkatuar sonte.
Diskutime rreth kësaj post