Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, takoi sot përfaqësues të biznesit të vogël lidhur me projektin e qeverisë Rama për përfshirjen e tyre në skemën e pagesës së TVSH.
Tregtarët e vegjël me biznes kryesisht familjar, në zonën e Paskuqanit, thanë se futja e tyre në skemën e TVSH do të sjellë kosto shtesë për ta, rritje çmimesh, dhe pamundësi për të mbajtur aktivitetin, pasi edhe me çmimet aktuale ata mezi ia dalin të mbyllin muajin.
Basha theksoi se ai dhe Partia Demokratike do të luftojnë që kjo çmenduri të mos ndodhë dhe kërkoi bashkimin e biznesit të vogël në këtë betejë.
“Vijnë e na gjobisin. Ne nuk e çojmë mallin jashtë shtetit. Kontrabandën nuk e bëjmë ne biznesi i vogël. Na vendosin 500 mijë lekë gjobë. E për çfarë?! Për një kupon. Mund ta bësh gabim kuponin nga 200, në 2 mijë lekë por prapë të venë gjobë. Kjo është për të mbyllur dyqanin. Më kanë borxh prej 2 vitesh, skanë lekë të më sjellin”, tha Xhevairi, një pronar i një dyqani materialesh ndërtimi.
“Ke menduar se do të fusin në skemën e TVSH-së?”, pyeti Basha një pronar bari.
“Eshtë një dëm për të dy krahët, për popullin”, tha ai.
“Sa do e shesh kafen po të erdhi 20% TVSH-ja?”.
“Do ngrihet, do shkojë 700 lekë. Populli nuk ka as mundësi ta paguajë as 500 lekë. Zor se e pi një kafe por po tek ushqimet?! Me këtë që është duke bërë ai është skandal. Eshtë fare skandal”, u përgjigj pronari.
“Siç e ka nisur ai këtë punë do e çojë popullin në zero. Ska bukë të hajë tani por do e ulë më poshtë. Nuk e di çfarë do bëjmë. Ndoshta edhe populli shqiptar është paksa naiv. Duhet të çohet populli me këto që bën ai. Duhet të marrë flakë”, u shpreh pronari i barit në lagjen Babrru.
Festimi ka një bar buzë rruge me të cilin jeton. Ai thotë se rritja e TVSh-së do e bëjë të mbyllë lokalin.
“Nëse do rritet TVSh-ja do rris çmimet. Nga 500 lekë që e kam kafen do e çoj 700. Prap populli do e hajë. Po e rrita çmimin ska për të ardhur njeri në lokal. Unë me thënë të drejtën kam qënë i majtë. Nuk jam i kënaqur fare. Nuk ecet më. 27 vite e tani po shkojmë poshtë. Nuk ecët më me mashtrime”, tha Festimi.
“Ne kemi dalë sot t’u dëgjojmë. Ne këtë qendrim kemi që rritja e TVSH-së do shkatërrojë biznesin e do rrisë çmimet. Për këtë arsye jemi kundërvënë, nuk është se po bëjmë politikë”, iu përgjigj Basha.
“Nuk ka politikë. Këtu kemi të bëjmë me bukën”, tha Festimi.
Luljeta, një pronare pastiçerie tha se ajo do detyrohet të rrisë çmimet. “Unë këtë sot e shes 500 dhe nesër do duhet ta shes 600”, tha ajo.
“Por ai të thotë që vere njëherë TVSH-në e pastaj TVSH-në e merr nga shteti mbrapa?”.
“Siç do ta jap nuk ma jep. Ai është borxh që nuk kthehet”, përgjigjet Luljeta.
Lulzim Basha shpjegon projektin e tij. “Ne qeverisë i themi ta bëjë biznesin e vogël me 12 milionë lekë të reja në vit xhiro, ose 120 milionë lekë të vjetra. 120 milionë e poshtë quhet biznes i vogël dhe pa TVSH. Ne jemi kundër rritjes së TVSH-së pikërisht se do rrisë çmimet e do falimentojë biznesi. ”, tha Basha.
Bujar Marku ka një market të vogël.
“Për mendimin tim TVSH-ja është falimentim”, thotë ai. -“Sepse TVSH-ja do sjellë rritje çmimesh dhe do e paguajë populli. Do bjerë konsumi. Nëse është 100 lekë do shkojë 120 lekë”.
Një pronar i një dyqani materialesh ndërtimi thotë se po u vendos TVSH, ai do të ulë qepenat.
“Do ta hap prapë, kur të vijë Lul Basha në pushtet”, shprehet ai.
Diskutime rreth kësaj post