Julian Sula, i njohur tanimë nga të gjithë me nofkën “Juli i Pashakos” është shoqëruar në Polici dhe është marrë në pyetje lidhur me ngjarjen e ndodhur në Lushnjë, ku dy persona u vranë dhe dy të tjerë u plagosën.
Sipas të dhënave, Policia ka shkuar dhe ka kryer një kontroll në banesën e tij dhe i ka kërkuar ta shoqërojnë në komisariat për t’u marrë në pyetje për ngjarjen.
Por, sipas burimeve, Sula ka refuzuar të shkojë me ta duke u garantuar se do të paraqitej vetë të nesërmen në Komisariat. Kjo nuk ka ndodhur as të nesërmen, prandaj policia ka shkuar sërish në banesën e tij për ta shoqëruar. Pasi është marrë në pyetje si i dyshuar se mund të kishte lidhje me krimin, ai është lënë i lirë.
“Unë nuk i njoh as ata që dyshohen si autorë e as të tjerët që janë vrarë. Nuk di të të them diçka që s’e njoh. Unë nuk merrem me kalamaj, prandaj mos më përfshini në këtë ngjarje që s’më përket”, mësohet të ketë thënë midis të tjerash ai, ndërsa hetuesit thonë se ka qenë shumë i qetë gjatë dhënies së dëshmisë. Emri i tij si i dyshuar lidhet me një ngjarje që ndodhi vitin e kaluar.
Ai u plagos pas ndeshjes Shqipëri-Zvicër në një pikë bastesh sportive, në lagjen “Skënder Libohova”. Policia arrestoi për veprën penale të “vrasjes së mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim”, një prej autorëve, Arjan Aliçon, 53 vjeç, i dënuar më parë për vrasje dhe që njihej si një nga ushtarët e Aldo Bares.
Pikërisht kjo ngjarje u dyshua se mund të jetë shkak i një hakmarrjeje një vit më pas ndaj nipit të Aldo Bares. Pasi është marrë në pyetje disa orë, i shoqëruari në Polici është lënë i lirë. Ndërkaq, sipas të dhënave, mbrëmë mbërriti në Komisariatin e Lushnjës edhe ministri Xhafaj dhe kreu i Policisë së Shtetit, Haki Çako, nga ku është analizuar me hollësi ngjarja e ndodhur.
Diskutime rreth kësaj post