Ndahet nga jeta ish-ministri dhe deputeti i LSI-së, Dritan Prifti. Ai ka ndërruar jetë pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë. Kohët e fundit Prifti i ishte nënshtruar kurave intensive në Itali ku kreu edhe një ndërhyrje kirurgjikale.
Nga Italia, Prifti u transferua në një klinikë më të specializuar në Gjermani, por pavarësisht nga trajtimet e marra mësohet se ish-ministri i Ekonomisë nuk ka pasur përmirësim.
Ai është kthyer dje pasdite në Shqipëri në gjendje shumë të rëndë.
Vetë Prifti deklaroi në muajin maj të këtij viti se ishte në betejë me një sëmundje të rëndë gjë e cila e privoi atë edhe nga fushata elektorale për zgjedhjet e 25 qershorit.
Kush ishte Dritan Prifti:
Dritan Prifti hyn në politikë aty mes viteve 2001-2002, si drejtor i KESH-it, ardhur nga studimet në Harvard. Ai merr në dorë pra Korporatën Elektroenergjitike në një moment të vështirë të saj, si në aspektin e furnizimit të popullatës me energji e si në atë të bilanceve financiare.
Por më shumë se si menaxher, do afirmohej si politikan aktiv në zhvillimet brenda PS-së, duke u rreshtuar në krah të Metës. Fill pasi largimit të Metës dhe themelimit prej tij të LSI-së, Dritan Prifti ishte një ndër krerët e kësaj force.
Ai do vihej në epiqendër të zhvillimeve politike pas 28 qershorit, ditës së zgjedhjeve në 2009, kur doli si iniciues i aleancës me PD. Në qeverinë e re, ai drejtoi Ministrinë e Energjitikës. Por kjo nuk do zgjaste shumë, pas videos së shumëpërfolur Meta-Prifti. Deri në vitin 2013 ai ishte deputet i pavarur ndërkohë nuk arriti dot të sigurojë mandat si i pavarur në zgjedhjet e vitit 2013 kur socialistët erdhën në pushtet.
Para fushatës elektorale të 25 Qershorit 2017, Prifti deklaroi se e ka të pamundur të marrë pjesë në zgjedhje për shkak të sëmundjes së rëndë e cila i mori jetën.
Diskutime rreth kësaj post