Roma-Napoli është një prej sfidave më të rëndësishme të kësaj fundjave në Serinë A.
Në “Olimpico”, Napoli vjen me statusin e kryesueses së kampionatit, me 21 pikë të plota, ndërkohë që verdhekuqtë do të kërkojnë të jenë gjithnjë në kontakt me skuadrat kryesuese, ndërkohë që kanë edhe një ndeshje për të luajtur, atë me Sampdorian.
Por jo vetëm kaq, Roma-Napoli është edhe sfida mes Edin Dzeko dhe Dries Mertens, dy futbollistët më në formë për skuadrat e tyre respektive.
Viti 2017 po rezulton fantastik për të dy lojtarët dhe këtë e tregojnë edhe shifrat që janë vërtet impresionuese. Edin Dzeko ka në bilancin e tij personal 32 gola të shënuar gjatë këtij viti, 29 me skuadrën e Romës dhe 3 me përfaqësuesen boshnjake. Ndërsa Mertens, i cili është një pikë fikse në skemën 4-3-3 të trajnerit Sarri, gjatë vitit 2017 ka festuar plot 30 gola, 28 me Napolin dhe 2 me Belgjikën.
Janë këto statistika që i vendosin këta dy lojtarë mes më të mirëve në Evropë. Në këtë pikë, përpara të gjithëve është Messi me 48 gola (44 me Barcelonën e 4 me Argjentinën). Më pas vjen Lewandowski me 44 (36 gola me Bayern, 8 me Poloninë), i ndjekur nga Kane e Cristiano Ronaldo me 43.
Klasifikimi vijon me Cavani dhe Aubameyang me 33 gola. Dzeko është pikërisht pas tyre, ashtu sikurse dhe Immobile, duke lënë pas emra të tillë si Falcao, Luis Suarez apo Neymar.
Diskutime rreth kësaj post