Projektligji për mbrojtjen e pakicave është debatuar paraditen e kësaj të enjteje në Parlament, ku deputetit Vangjel Dule ka kërkuar që ky ligj të hiqet nga rendi i ditës, pasi sipas tij nuk është i plotë.
Kërkesa është hedhur poshtë nga mazhoranca me anë të votimit. Duke sqaruar përmbajtjen e ligjit, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka deklaruar se ligji është shumë i rëndësishëm dhe se ai është hartuar në konsultim të gjerë me ndërkombëtarët.
Por sërish deputeti Dule e ka cilësuar të pamjaftueshme kohën për diskutimin e tij. Duke marrë fjalën, Dule ka deklaruar se ligji i sjellë nga mazhoranca nuk përmban asnjë risi.
“Jo vetëm që nuk shton diçka të re, por ky ligj shënon hapa mbrapa. Ligji është në shkelje të hapur të konventës ndërkombëtare. Hiqni dorë nga kjo propagandë”, ka thënë Dule.
Ndaj tij ka reaguar kryeministri Edi Rama. “Ti je një minoritar dhe jo minoritet dhe je një përfaqësues gjithnjë e më pak i denjë për atë minoritet, të cilit ne i kemi dhënë dhe i japim respekt me ligjin që do të kalojmë sot”, ka thënë Rama.
Në debat është përfshirë edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili ka kundërshtuar disa aspekte të ligjit. “Nuk kam asgjë kundër ligjit, por kush njeh Kushtetutën kupton se ky ligj nuk mund të burojë nga Ministria e Jashtme. Ky ligj është përplasje e klaneve mafioze në qeveri”, ka thënë Berisha.
Një tjetër aspekt ku Berisha ka shprehur kritikat e tij ka qenë përcaktimi i pakicave me emërtesë, të cilën e ka quajtur një “gafë”. Me mbarimin e kohës, kryetari Ruçi i ka ndërprerë fjalën Berishës, veprim ky që është kundërshtuar nga deputeti i PD, Flamur Noka.
Në shenjë kundërshtimi, Noka ka uzurpuar foltoren e Kuvendit duke refuzuar thirrjet e Ruçit për ta liruar atë. Në këto kushte, kreu i Kuvendit ka përjashtuar nga seanca deputetin demokrat.
Diskutime rreth kësaj post