Policia e Shtetit njoftoi se ndaloi mbrëmjen e së hënës në portin e Durrësit ish deputetin Eduard Ndocaj, pasi sipas njoftimit zyrtar, ai ishte në kërkim. Policia thotë në njoftimin e saj se 42 vjeçari Ndocaj dyshohet se nëpërmjet mashtrimit në Itali, i ka vjedhur një shtetasi italian një shumë eurosh.
Pasi u ndalua në Durrës, ai u dërgua në drejtorinë e Lezhës, ku në përfundim të veprimeve të kryera, materialet iu referuan Prokurorisë dhe ish deputeti do të ndiqet në gjendje të lirë, për veprën penale parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal. Pas këtij lajmi reagoi avokati i Ndocajt, i cili thotë se ndaj ish deputetit nuk është ngritur asnjë akuzë për ndonjë vepër penale në Shqipëri dhe se ai po udhëton drejt familjes se tij përtej detit.
Avokati thotë se Ndocaj nuk është arrestuar, por i është nënshtruar një verifikimi policor sikurse mund t’i nënshtrohet çdo qytetar tjetër i lirë dhe në asnjë rast atij nuk i është hequr liria, si person i ndaluar ose arrestuar. Ngjarja ka marre shkas nga denoncimi i një shtetasi italian të quajtur Francesko Rici,që ka disponuar me kontratë ligjore një automjet tip Audi, i cili më vonë e ka denoncuar si të vjedhur për qëllime që vetëm ai mund t’i dijë.
Në cilësinë e mbrojtësit, avokati thotë se veprimet e Policisë së Shtetit kanë qenë krejtësisht jo profesionale dhe të pajustifikuara, pasi policia kishte mundësinë që nëpërmjet sistemeve në përdorim të saj, të verifikonte fatin e hetimit të filluar nga Prokuroria e Kukësit.
Ndërkohë, burime nga grupi i hetimit thonë se denoncimi ndaj tij është bërë nga një biznesmen italian nga Milano, Francesko Rici, i cili ka thënë se Ndocaj i kishte premtuar se do i jepte një tender, pjesë e projektit TAP. Po ashtu grupi i hetimit thotë se ish deputeti i ka marrë një mjet Audi me anën e mashtrimit, por italiani ka lëshuar një kontratë hua përdorimi, e cila po verifikohet.
Eduard Ndocaj, ose i njohur si deputeti kaubojs, la Milanon për t’u rikthyer në Tiranë më 29 tetor 2015, ditën kur edhe do të betohej në Kuvendin e Shqipërisë, nga radhët e Partisë Socialiste. Ai zuri vendin e Arben Ndokës, i cili dha dorëheqjen. Por, më 9 maj të 2017-s, Eduard Ndocaj do të zyrtarizonte daljen në opozitë, teksa u vu edhe në krye të Partisë Bashkimi Demokristian Shqiptar, një parti që e themeloi para zgjedhjeve të 25 qershorit. Më 18 prill të këtij viti, ai iu bashkua çadrës së opozitës në bulevard dhe u bë aleat i Partisë Demokratike, por ai nuk u përfshi në listat e PD-së dhe u largua sërish drejt Italisë.
Diskutime rreth kësaj post