Nga Mero Baze
Nga reagimet politike që pasuan përkujtimin e pushkatimit të deputetëve të opozitës së parë antikomuniste të dala nga zgjedhjet e vitit 1945, janë së paku tre gjëra të cilat dëshmojnë se pushkatimi i deputetëve të opozitës së parë antikomuniste ishte një tragjedi që rrënoi parlamentarizmin, por lufta kundër parlamentarizimit nuk ka mbaruar.
E para është tema e pasardhësve.
Kjo lidhet me idenë e pasardhësve të komunistëve dhe pasardhësve të atikomunistëve. Pasardhës të komunistëve quhen drejtuesit e Partisë Socialiste dhe ata janë. Natyrisht të ndryshuar, të reformuar shumica më mëndjehapur se ndonjë antikomunist i vetëshpallur, por pasardhës janë. Si të tillë ata sot kanë ngritur një institucion të hapjes së dosjeve që e solli çështjen në Kuvend dhe i ballafaqoi ata me të kaluarën.
Nga ana tjetër pasardhës të ish deputetëve të pushkatuar ka pasur dhe në PD. Selaudin Toto, e kishte pasardhësin e tij në PD Leka Toto, qysh në vitin 1991, por Berisha e masakroi duke e zbuar nga PD dhe duke e “siluruar” si spiun. Berisha nuk ka pasur mundësi të vrasë me vendim gjyqi. E vetmja mundësi që ka pasur, ishte përjashtimi dhe linçimi politik dhe atë e ka bërë. E ka bërë dhe me pasardhës të tjerë të atyre deputetëve, disa duke i mënjanuar, disa duke i injoruar dhe të tjerë duke i linçuar. Garda e ish të persekutuarve që ishte prezent në PD, në fillim të viteve ’90, u asgjësua deri në vitin 1996. Kështu që tek tema e pasardhësve, i vetmi që ka ecur në gjurmët e komunistëve është Berisha. Pasardhësit biologjikë të komunistëve, kanë bërë hapa progresivë, pasi së paku po e rikthejnë me vetëdije temën e ballafaqimit me të shkuarën .
Në gjurmët e Berishës është dhe Lulzim Basha. Ai nuk ka pse bën sikur kërkon ndjesë për të pushkatuarit e viteve ’40, sidomos për zotin Riza Alizoti që u pushkatua si ish deputet. Ai mund të kërkojë ndjesë për Tomor Alizotin, djalin antikonformist, pasardhës të tij, që denoncoi manipulimin e votave në zgjedhjen e Bashës, dhe dha dorëheqje nga kryesia e tij, për këtë shkak. Lulzim Basha është vazhdues i vrasjes politike të atyre që u vranë dhe fizikisht për demokraci. Edhe Basha si Berisha, kaq ka në dorë, të linçojë politikisht kundërshtarët dhe atë po e bën.
E dyta është tema e parlamentarizmit. Parlamentarizmi i prodhuar nga zgjedhjet e vitit 1945, është më i fortë dhe më cilësor si ai i prodhuar nga zgjedhjet e vitit 2017. Mjafton të krahasosh cilësinë e deputetëve të pushkatuar, me deputetët e sotëm të gjallë, dhe e kupton se si disa të pushkatuar dikur, sot, janë të gjallë dhe shumë deputetë të gjallë sot, janë të vdekur.
Rrënimi i parlamentarizmit është mentalitet komunist dhe antidemokratik dhe standardi i sotëm i Parlamentit shqiptar, e provon mbijetesën e këtij mentaliteti. Sot cilësitë për të qenë deputet nuk janë më cilësitë e atyre që u bënë deputetë në vitin 1945, si ata që ishin komunistë dhe ata që ishin antikomunistë. Në vitin 1945 edhe qeveria e parë e Enver Hoxhës ishte më cilësore nga ana intelektuale, se qeveria e sotme e Edi Ramës. Arsyeja është se ai Parlament dhe ato qeveri, u prodhuan nga një politikë e fortë, e motivuar nga komunizmi, antifashizmi nga një anë dhe antikomunizmi properëndimor nga ana tjetër. Sot Parlamenti është prodhuar nga motive të rëndomta, si ai i të qenurit i pasur, i të qënurit i fortë, i të qenurit i heshtur, ose budalla, dhe në rastin më banal të qenit e bukur. Arsyet politike për të shkuar në Parlament, janë vetëm arsyeja për të qenë kryeministër, e dy liderëve kryesorë.
Tema e tretë që del nga ky akt, ka të bëjë me vetë Autoritetin e Dosjeve që mori këtë iniciativë. Lexova një intervistë të Daut Gumenit, nga të paktët njerëz që rron akoma, vetëm nga inati që i ka ikur dëm “ideali” për të cilin bëri burg, në të cilën kuptohet qartë se Autoriteti, për herë të parë ka njerëz seriozë, dhe të përkushtuar, por asnjë përkahje reale financiare dhe logjistike për të bërë punën e tij. Shanset për të ngritur një institucion serioz të kujtesës kundër krimeve të komunizmit dhe të çlirimit nga ajo e keqe, nuk duan vetëm fjalime, por dhe financa, njerëz, dhe mbi të gjitha vullnet politik për ta bërë. Dhe nuk ka rast më të mirë se ky për të nisur këtë proces.
Nga sa po shihet, aty ka më shumë vullnet për punë nga të emëruarit, se sa nga ata që i kanë emëruar. Dhe kjo mund ta banalizojë gjithë historinë, dhe do të rikthehemi tek debatet banale të Berishës, që i mbante dosjet në CD për t’i lexuar para Këshillit Kombëtar, kur dikush e “tradhëtonte”, apo tek banaliteti i atij Autoritetit të Dosjeve të socialistëve të pas ’97-ës, që përfundoi me bilancin që kryetari i dosjeve në fund bëri libër me dosjet që kishte lexuar.
Diskutime rreth kësaj post