Kriza e “Rohingya”-ve rikthehet në vëmendje, me episodin tragjik të vdekjes së 12 personave nga përmbysja e një anijeje të mbushur me pjesëtarë të minoritetit mysliman, që i largoheshin dhunës në Mianmar.
Një numër njerëzish të tjerë konsiderohen të zhdukur, pas incidentit në lumin “Naf”. Mendohet se në anije kishte gati 100 vetë, shumica fëmijë. Me dhjetëra “Rohingya” kanë humbur jetën gjatë përpjekjeve për të kaluar në Bangladeshin fqinj, që kur nisi operacioni ushtarak i trupave të Mianmarit në shtetin Rakhine.
Përveç vërshimit të të shpërngulurve, Bangladeshi përballet edhe me një problem tjetër. Mijëra të mitur “Rohingya” kanë mbërritur atje të pashoqëruar nga prindërit. Shumica e këtyre fëmijëve kanë humbur thuajse gjithçka, pas largimit nga vendi i vet, e disa kanë mbetur jetimë.
Shtatëvjeçari Jonnotara dhe vëllai i tij 5 vjeç, Shafiqul Islam, thonë se i kanë parë prindërit të qëlloheshin nga ushtarët e Mianmarit ndërsa tentonin largimin. Gjyshja beson se ata kanë vdekur.
“Jam përpjekur t’i bëj të kuptojnë se çfarë ka ndodhur, por është e vështirë. Ata vazhdojnë të ngrihen në mes të natës duke qarë”, tha Rasheda Khatun, gjyshja.
Marie De La Soudiere, specialiste e mbrojtjes së fëmijëve pranë UNICEF-it, thotë se e vetmja gjë e mirë nga kjo krizë është solidariteti që kanë krijuar refugjatët mes tyre, duke ndihmuar njëri-tjetrin, por mbetet ende shumë punë për të bërë.
“Ka shumë fëmijë të neglizhuar në momentin që po flasim, e ky për ne mbetet një shqetësim shumë i madh”, tha Marie De La Soudiere, UNICEF.
Që nga shpërthimi i dhunës në fund të gushtit, drejt Bangladeshit janë larguar më shumë se gjysmëmilioni pjesëtarë të komunitetit mysliman “Rohingya”, i cili përbuzet në Mianmar dhe i mohohet nënshtetësia.
Diskutime rreth kësaj post