Demarkacioni me Malin e Zi, sikurse dhe luftimi i korrupsionit, janë dy kushte të panegociueshme për Brukselin, që Kosova vetëm pas kësaj të ketë mundësinë t’i jap fund izolimit dhe të lëvizë pa viza në zonën ‘Schengen’. Këtë qëndrim rreth vizave, europianët ia ritheksuan mbrëmë Ministres për Integrime Evropiane, Dhurata Hoxha.
Hiç më larg se të mërkurën diplomati, Christian Danielsson gjatë qëndrimit në Prishtinë, ka thënë se qëndrimi i BE-së për demarkacionin është i prerë. Ministri i Jashtëm i Kosovës Behgjeti Pacolli javën që shkoi u kishte kërkuar zyrtarëve të lartë në Bruksel që vizat të mos ndërlidhen me demarkacionin.
Shpresat që kosovarët ta gëzojnë liberalizimin e vizave ashtu siç u është premtuar secilin vit, janë çdoherë e më të pakta. Pa ratifikimin e shënjimit të kufirit me Malin e Zi dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, Brukseli nuk do ta ndryshojë qëndrimin e deritashëm. Ata insistojnë se këto dy çështje janë thelbësore që të arrihet deri tek vizat.
Edhe në mbledhjen e së enjtes të Komitetit për Stabilizim Asociim, Bashkim Evropian- Kosovë, të cilin e ka kryesuar Genoveva Ruiz Calavera, Drejtore për Ballkanin Perëndimor, ku e pranishme ishte edhe ministrja e Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha, kësaj të fundit ia kujtuan se Kosova duhet ta zgjidhë Demarkacionin dhe të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Në faqen zyrtare të BE-së japin detaje se çfarë u diskutua në këtë mbledhje.
Ata thonë se në këtë takim zyrtarët e tyre inkurajuan Kosovën që të intensifikojë punën për ratifikimin e marrëveshjes kufitare me Malin e Zi dhe të mbështesin përparimin në rrugën e duhur drejt luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Kryeministri Haradinaj priti të mërkurën Drejtorin e Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim i Komisionit Evropian, Christian Danielsson. Në konferencën e përbashkët të Haradinajt dhe Dannielson nuk u tha asgjë e re nga ajo që vazhdimisht është deklaruar nga zyrtarë të huaj për vizat. Diplomati Christian Dannielson tha se qëndrimi i Bashkimit Evropian për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi është i prerë.
“Pajtohem që është edhe një nga kriteret sa i përket udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Kur vijmë, këtu që e përmendet edhe çështjen e marrëveshjes së demarkacionit, kriteret janë të njohura publikisht dhe ne këshillojmë që të shikohet se si të adresohen këto kritere, kjo shkon për Qeverinë e Kosovës dhe nga ana jonë zotimi është i qartë, kur këto të jenë kryer KE është e gatshme që të rekomandoj liberalizimin e vizave sapo të kryhen këto çështje”, ka thënë ai.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri i parë, njëherësh edhe ministër i Jashtëm i Kosovës, Behxhet Pacolli është optimist se ka gjetur mirëkuptim në Bruksel për këtë.
“Gjatë vizitës sime që kisha në Bruksel, unë nuk kam dashur që ta bëjë ndërlidhjen e këtyre dy çështjeve, demarkacionit dhe liberalizimit të vizave.
Demarkacioni është një kusht i imponuar për Kosovën padrejtësisht dhe këtë ua kam thënë të gjithë atyre, me të cilët kam biseduar dhe në fund kisha biseda konstruktive dhe me komisionerin Johanes Hahn, zonjën Mogherini dhe ua kam thënë këtë dhe unë besoj që kam hasur në mirëkuptim dhe pothuajse është vendosur që të formohen dy grupe, një nga Kosova dhe një nga Komisioni Evropian për të biseduar mënyrën sesi të lirohemi nga kushti i demarkacionit dhe procesi i integrimeve të mos jetë peng i kësaj pike, por të ecet përpara dhe në procesin e integrimeve të përfshihet liberalizmi i vizave” ka thënë ai në një intervistë për DW.
Diskutime rreth kësaj post