Nga Mira Kazhani
Nuk e kam lexuar ende “Sarah”-n e Alfred Pezës, por do ta bëj këtë fundjavë. Teksa isha në promovimin e këtij romani, m’u rikthye një pyetje, që e kam kohë pas kohe, po nuk kam kujt t’ia bëj: Pse kemi aq pak histori dashurie nga historia jonë, e kaluara, që duket sikur tërë jetën ka luftuar me penë e pushkë? Mirë komunizmi, se janë stërthënë filozofitë e patetizmat e asaj kohe, po tani
Pse kineastët e kanë fiksim që pas viteve -90-të bëjnë vetëm filma dhe telenovela me prostitutën shqiptare, trafikantin dhe të droguarin. Me ndonjë përjashtim të vogël, askush nuk shkon tek koha e artë e Shqipërisë, siç janë vitet ‘20-‘30-‘40. Është një kohë me shqiptare me kapele, aristokraci, dasma me perla dhe klube tenisi (kryesisht gjatë mbretërisë).
Turqia, që talleni në Facebook dhe kafene, ka në fakt seriale aspak rastësorë dhe i ka gjetur nervin botës, biles duke marrë dhe çmime në festivale prestigjioze me telenovela, histori dashurish, intriga pallate sulltanësh, Hyremi dhe Sulejmani i Madhërishëm, etj., etj., të gjitha në funksion të imazhit më ndjellës para botës. Përveç medias, kryesisht Gazeta Panorama, që ndër vite gërmon në arkiva dhe sjell copëza nga ajo kohë, letra dashurish, histori familjesh aristokrate me vaska, kapele, fustane, fokstrot dhe drama gjithashtu, shumë pak dihet dhe dimë. Duket sikur në një çast me komunizmin, një dorë ka fikur dritat.
Si ka mundësi që nuk frymëzohemi për atë kohë?! E ke pyetur veten çfarë di ti, që po lexon tani këto rreshta, për Ismail Qemalin? Gruan e tij të bukur greke? Familjen? A ka pasur Skënderbeu ndonjë histori dashurie? Apo vetëm Besëlidhja e Lezhës dhe varri që s’i dihet kanë rëndësi? Jo se heroi kombëtar ka ndonjë minus nëse nuk i ka këto legjenda, por dashuria i bën të gjithë më njerëzorë. A mund ta mendosh letërsinë pa erotikë dhe një film pa një puthje? Kështu dhe puna jonë, me filma vetëm me partizanë, gra burrnesha, nëna të dhembshura, burra trima e sypetrita.
Kështu historia e Sarah Blloshmit, mbesa e Ismail Qemalit, më ngacmoi kujtesën se ne nuk kemi kujtesë. Ky vend, me gjithë hallet e një vendi të vogël, ka qenë edhe i bukur. Ka pasur ballo ku kërcehej e flirtohej me fustane kadifeje. Gra të bukura, si Sarah, e cila nuk ka qenë e vetmja. Ndoshta agjente, ndoshta e dashura e Ahmet Zogut apo Mit’hat Frashërit. Po për motrën e Mit’hatit, që e thërrisnin Mimika e që Nevila Nika sot më tregoi aty për aty në hollin e UET-it një histori Hollivudi? Një grua perri, që nuk duroi dot Fierin dhe çau ferrën në vitet ‘20 e u kthye në Stambollin me vila, jetë operash, sepse nuk jetoi dot pa mbrëmjet me piano.
Duke lënë dhe tre vajzat në Shqipëri. Tani, ka bërë mirë, ka bërë keq, ky nuk është qëllimi i këtij shkrimi, por thjesht për të provokuar se këtu dikur është dashuruar, janë tradhtuar dhe kanë bërë çmendurira, edhe pse ne dukemi në të kaluarën si sterilë. Për të ndezur elektrikun në atë kohë me drita fikur, a thua se ky vend vetëm ka luftuar për liri, pavarësi, ka vrarë turq, gjermanë e italianë dhe tani lufton të jetë në Europë. Shumë mirë që e kemi bërë, por dukemi qesharakë vetëm me shpatë në dorë. Dashuria dhe mëkati janë dëshmi qytetërimi dhe unë do doja shumë që të mos jenë vetëm mediat, gazetarët dhe romancierët lëvrues të historive me dashuri, perla dhe letra.
Filmi shkon më shpejt dhe kap gjithmonë audiencë masive. Mbyllni sytë dhe imagjinoni pak se në këtë vend, ku ende kemi turp nga puthja dhe krenohemi nga batuta, dikur kanë jetuar xhentëlmenë, gra me buzëkuq dhe bereta! Po, po si në filma! Veçse s’ka kush t’i bëjë.
Diskutime rreth kësaj post