Poza joshëse në Facebook dhe Instagram, trupa femrash thuajse të zhveshur në plazh, mesazhe elektronike dhe kërkesa për miqësi të dyshimta… Shumë pikëpyetje në kokë dhe fakte konkrete për tradhëti nga partnerët. Këto janë rastet që gjithnjë e më shumë që po çojnë çiftet drejt divorceve. Në një epokë që po bëhet gjithnjë e më virtuale, rrjetet sociale janë kthyer tashmë në “armikun” më të rrezikshëm për burrat dhe gratë.
Çdo ditë e më shumë në dyert e gjykatave mbërrijnë kërkesë-padi për zgjidhje martese, me pretendimin e njërit nga bashkëshortët që tjetri e tradhëton me dikë në Facebook ose Instagram. Redina Sulstarova Balla, psikologe kliniciste dhe njëkohësisht prej shumë vitesh psikologe pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, e analizon këtë fenomen si shkëndija e fundit e një marrëdhënieje të marrë fund, ku nuk gjen asnjë komunikim.
“Kohët e fundit kam hasur shumë çifte që kanë ngritur padi për zgjidhjen e martesës pasi kanë kuptuar nga rrjetet sociale marrëdhënien jashtëmartesore që kanë bashkëshortet ose bashkëshortët e tyre. Çdo ditë e më shumë thellohet varësia që kanë të rriturit dhe fëmijët nga rrjetet sociale. Një nga rastet e fundit që kam pasur në muajin korrik në Gjykatën e Tiranës, ka qenë një bashkëshort i cili pasi kishte vënë re kohën e tepërt që bashkëshortja shpenzonte në rrjetet sociale, i ka kërkuar të birit 14- vjeçar që t’i merrte fjalëkalimin e Facebook-ut nënës së tij. Pasi djali ia ka marrë nënës fjalëkalimin, duke e ndjekur hap pas hapi, bashkëshorti kishte lexuar disa mesazhe të bashkëshortes me një kolegun e punës së saj. Më pas ai kishte marrë një detektiv privat i cili i kishte bërë dhe foto në vende të ndryshme bashkëshortes me kolegun e punës. Bashkëshorti çdo gjë e ndante me të birin 14- vjeçar dhe pasi nxiti urrejtje të djalit për nënën, nisi procedurat për të zgjidhur martesën, si zgjidhja e vetme që “meritonte” bashkëshortja e tij tradhëtare. Në këtë mënyrë bashkëshorti jo vetëm “vuri nderin e tij në vend”, por dëmtoi thellë marrëdhënien e të birit me nënën duke bërë publike dhe tek të afërmit e saj imoralitetin e gruas dhe nënës së fëmijës së tij”, thotë ajo për Citizens Channel.
Përveç rrjeteve sociale, që është kthyer në trend përgjatë kohëve të fundit, sipas psikologes Redina Sulstarova Balla, shkaqet kryesore mbeten gjendja ekonomike, emigracioni, bixhozi, dhuna e formave të ndryshme, ndërhyrjet e familjeve të bashkëshortëve në marrëdhëniet mes tyre.
“Vlen për t’u theksuar që kur njëri nga bashkëshortët merr një vendim për të zgjidhur martesën, është një vendim i marrë pas shumë kohësh kur një marrëdhënie nuk funksionon. Është vështirë të thuash nëse ekziston vetëm një shkak për të çuar një çift në divorc, pasi kemi të bëjmë me një marrëdhënie komplekse në të cilën ndikojnë shumë faktorë. Ajo që kam vërë re në pjesën më të madhe të divorceve është humbja e komunikimit mes bashkëshortëve. Të dy bashkëshortët përfshihen në mënyra të ndryshme në përgjegjësitë që kanë në familje dhe veçanërisht në rolet prindërore, duke lënë mënjanë marrëdhënien në çift. Secili përfshihet me kalimin e kohës më shumë në profilin e tij në punë dhe në rrethin social duke sjellë probleme në komunikim dhe në ndërgjegjësimin e humbjes së cilësisë së marrëdhënies. Shumë meshkuj apo femra e gjejnë veten “vetëm” apo në bashkëjetesë me një njeri që nuk e njohin apo nuk i kupton pas disa vitesh martesë”, thekson psikologia.
Duke mos përjashtuar nga faji asnjërin nga partnerët, duket se gratë janë ato që në sytë e një eksperti, duken me një barrë vuajtjesh mbi supe. “Gjithnjë e më tepër has femra të cilat ndihen të lodhura pas kaq vitesh martesë. Të lodhura nga gjithë përgjegjësitë e marra në punët e shtëpisë, disiplinimin e fëmijëve dhe karrierën e tyre, duke kuptuar pas kaq vitesh që kanë bërë rolin e “nënës” dhe tek bashkëshortët e tyre. Janë përkujdesur për çdo gjë brenda familjes. Duke u munduar të lehtësojnë barrën e burrave, ato i kanë lënë jashtë çdo përgjegjësie ata duke sfumuar kështu rolin e tyre si bashkëshort dhe si baba.”
Çdo ditë e më shumë divorce…
Sipas të dhënave zyrtare të marra nga faqja online e Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, rezulton se që nga 1 janari i këtij viti e deri më 21 gusht 2017, paditë e divorceve kapin shifrën e 857 kërkesave të ardhura të reja.
Me një mesatare prej 4 divorcesh në ditë brenda harkut kohor të 230 ditëve, kryeqyteti vijon të mbetet problematik përsa i përket numrit të lartë të zgjidhjeve të martesave. Po gjatë kësaj periudhe, kanë marrë zgjidhje 447 dosje divorci dhe 2 raste janë ripërsëritur dhe kanë rikërkuar ndarjen edhe pasi herën e parë padia është prishur. Në një total dosjesh, në Gjykatën e Tiranës për 7 muaj e gjysmë, janë shqyrtuar 1306 kërkesa për zgjidhje martese.
Divorci, një traumë
Në të gjithë këtë beteje sociale dhe ligjore, duket se ata që vuajnë më tepër janë fëmijët. “Edhe pse jemi në vitin 2017, është vështirë që ish-bashkëshortët të perceptojnë një ruajtje komunikimi me ish-bashkëshortin/en pas zgjidhjes së martesës. Janë shumë të rralla çiftet të cilat pas zgjidhjes së martesës të kuptojnë rëndësinë e komunikimit mes tyre në funksion të marrëdhënies bashkëprindërore. Kur ndahet një çift ndahen familjet e tyre si dhe fëmijët me prindin jo-rezident. Në këtë kontekst nënat, që në shumicën e rasteve mbajnë fëmijët për rritje dhe edukim, e gjejnë veten pas disa vitesh martesë të vetme për t’u përballur me vështirësitë për t’u kuptuar nga familjarët e saj, mentalitetin, përgjegjësitë për të përballuar jetën e saj dhe të fëmijëve”, thotw psikologia Balla.
“Këto gra të divorcuara hasin probleme me vetvlerësimin e tyre, kanë ankthe nëse do ia dalin të plotësojnë kushte optimale për fëmijët dhe frikëra se si ish bashkëshortët e tyre “do hakmerren” çdo ditë e më shumë për të nxjërrë në pah dobësitë e tyre tek fëmijët. Vihen re ndryshime të theksuara të mënyrës së prindërimit mes dy prindërve pas divorceve. Kemi nëna të cilat janë më kërkuese dhe anojnë drejt një stili prindëror autoritar dhe nga ana tjetër baballarë të cilët duke i takuar fëmijët e tyre një herë në dy javë mundohen të shpenzojnë kohën me ta duke i plotësuar jo nevojat, por dëshirat e tyre. Në këtë mënyrë, baballarët përpiqen të ruajnë rolin e tyre të mirë si baballarë duke dashur të monitorojnë jetën e ish-gruas dhe duke ndikuar në perceptimet e fëmijëve ndaj rolit të nënës.”
“Nga ana tjetër has gjithnjë e më shumë raste të nënave të cilat, përpiqen të “mbajnë peng” takimet e fëmijëve me baballarët në varësi të pagesës së pensionit ushqimor që duhet të paguajë babai. Në këtë mënyrë nëse një baba nuk paguan, nëna vendos që ai të mos takojë fëmijët. Sigurisht që pensioni ushqimor është një detyrim ligjor dhe përgjegjësi e prindit që nuk jeton me fëmijët, por shpeshherë ky pension kthehet në “mollë sherri” që zgjat me vite dhe që dëmton rëndë marrëdhënien e fëmijës me prindin jo-rezident”, përfundon psikologia Redina Sulstarova Balla.
Diskutime rreth kësaj post