Ka reaguar për herë të parë për ngjarjet në Elbasan edhe kryetari i Bashkisë së këtij qyteti Qazim Sejdini , dhëndrri i të cilit është lakuar jo pak në media si i përfshirë në këtë ngjarje. Sejdi në një prononcim të shkurtër u shpreh se “drejtësia do të vihet në vend”. “Tani e ka fjalën drejtësia” u shpreh Sejdini, teksa hynte në mbledhjen e Asamblesë së PS.
Pak kohe me pare u zbulua një dokument i bujshëm në radhët e uniformave blu, të cilat kanë refuzuar të përgjojnë një grup kriminal të Elbasanit, të dyshuar nga prokuroria për një tentativë vrasje me armë luftarake, me argumentin se policet ishin me leje.
Një skandal që rrezikon të ketë dhe prapaskena politike, pasi një nga tre personat që duhej të përgjoheshin dhe që policia me sjelljen e saj, në të vërtetë e ka mbrojtur, është Sokol Astrit Sanxhaktari, 31 vjeç, dhëndrri i kryetarit të Bashkisë Elbasan, Qazim Sejdini.
Sipas dokumentave me datë 10 gusht 2017, prokuroria e Elbasanit i ka kërkuar policisë se Shtetit përgjimin fotografik, filmik dhe me audio të Sokol Astrit Sanxhaktarit, Kelmend Ymer Xhaferri dhe Enea Njazi Bekteshi.
Sipas prokurorisë përgjimet duhet të bëheshin ‘’nga data 11 gusht 2017 deri me datë 26 gusht 2017, nga specialistët e Drejtorisë së Forcës së Posaçme operacionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit’’. Prokuroria autorizoi përgjime ‘’në vende publike të personave të lartpërmendur edhe me persona të tjerë’’.
Por vetëm 13 ditë më pas urdhërit të prokurorisë policia përgjigjet se ‘’nga ana e sektorit të forcës së posaçme, nisur nga dinamika e madhe me shërbime në funksion të procedimeve penale në ndjekje dhe numrit të limituar të ndihmës specialistëve si pasojë e ndjekjes së grafikut të pushimeve vjetore, është e pamundur kryerja e veprimeve të vëzhgimit të fshehtë të personave dhe mjediseve në këtë periudhë kohore’’.
Hetimet që përfshijnë dhëndrrin e Sejdinit, duken se janë të lidhura me sulmin e kryer me 6 gusht 2017 me antitank kundër hotelit të Ardian Çapisë, një nga familjet e përfshira në një luftë të vjetër e të gjatë bandash mes familjeve të Elbasanit.
Një nga tre të dyshuarit, Klement Xhaferri, është arrestuar pak ditë më parë, në drejtimin e një Range Rover, gjatë operacionit të drejtuar nga policia rreth Tregut Ushqimor të Elbasanit. Në atë ngjarje një makinë e blinduar përplasi patrullën e policisë për t’u larguar më pas nga vendi i ngjarjes. Në timonin e makinës së blinduar dyshohet se ishte Suel Petrit Çela, i shpallur tashmë në kërkim dhe ende në arrati.
Një video që qarkulloi në orët e fundit, e rregjistruar nga kamerat e sigurisë së Tregut Ushqimor, dëshmon dinamikën e incidentit dhe konfirmon se makina e blinduar në pronësi të Petrit Çelës, pronar i Tregut Agroushqimor, ka goditur me qëllim patrullën për t’u larguar me forcë nga kontrolli i policëve.
Diskutime rreth kësaj post