Donald Lu është ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. Por, kjo nuk është e gjitha: zotëria është gjithashtu gjahtari më i lartë i mafies në vendin ballkanik.
Një diplomat duhet që taktikisht të heshtë, kur të gjithë presin që ai të flasë me një tekst të qartë. Ata shpesh duhet të thonë, atë që nuk mendojnë. Dhe kështu me radhë. Diplomatët e shkollës së vjetër e njohin këtë rregull. Donald Lu ngre zërin. Si per shembull këtë javë. Ambasadori amerikan në Shqipëri mbajti një fjalim para gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ai foli plot energji, aspak në mënyrë diplomatike, me shumë gjeste.
Qeveria shqiptare duhet t’i shpallte qartësisht luftë kriminalitetit të organizuar, kërkon Lu. Koha ka ardhur për të arrestuar “peshqit e mëdhenj”. Vendi i tij mikpritës ndodhet i asfiksuar nga trafikantët e drogës dhe pastruesit e parave.
Atëherë duhet që diplomati të jetë më konkret. Katër klane mafioze kontrollojnë Shqipërinë sot. Lu përmendi me emër tre mbretër të botës së nëndheshme të krimit, të cilët shumë herë e kishin korruptuar drejtësinë shqiptare dhe ata janë: Emiljano Shullazi, Lul Berisha dhe Klement Balili. Çdo shqiptar i njeh emrat e tyre, mediet raportojnë karrierën e tyre si keqbërës, dhe politikanët hidhen kundër njeri-tjetrit për lidhjen me mafien. Është një spektakël pa fund për keqbërësit.
Baronët e drogës fitojnë miliarda
Shqipëria, vendi i vogël në Adriatik, është bërë gjatë viteve të fundit një nga prodhuesit më të mëdhenj botëror të kanabisit. Baronët e drogës fitojnë miliarda. Me para ata mund të blejnë parlamentarë, prokurorë dhe policë. Kryeministri socialist, Edi Rama, tashmë i zgjedhur për një mandat të dytë, flet në mënyrë teatrale, qeveria e tij do të fitojë luftën kundër industrisë ilegale të kanabisit.
Për ambasadorin amerikanë janë fraza bosh. Gjatë vitit të kaluar në Shqipëri u ndaluan 1349 persona në lidhje me tregtinë e drogës, por vetëm 100 prej tyre dolën para gjykatës. Kështu nuk gjendet asnjë bosi i mafias, kështu foli Lu gjatë fjalës së tij përpara gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj në kryeqytetin Tirana. Ai e di se, qortimet e tij të shpeshta i trazojnë shumë politikanë në Shqipëri. Megjithatë, asnjë nuk ka guximin që, ta kundërshtojë amerikanin, edhe pse ai shpesh thotë të vërteta të pakëndshme.
Për publikun e gjerë vepron Donald Lu si një “Superalbaner” (Supershqiptar), i cili kujdeset më shumë për të ardhmen e vendit sesa frazat boshe të politikës vendase. Ai tregon me gisht zyrtarët e korruptuar, sulmon Prokurorin e Përgjithshëm, pasi ai saboton reformën në drejtësi, dhe ai inkurajon qytetarët, që t’i kërkojnë llogari qeveritarëve. Lu bubullin kundër vilave të shtrenjta të politikanëve, makinave të tyre luksoze dhe pushimeve jashtë shtetit. Nëse një gjykatës do që të heshtin gazetarët dhe t’u mbyllin gojën atyre, vetëm se ata, dëshirojnë të dinë, sesi është bërë pasuria e tyre, atëherë Dajë Lu është aty: “Beteja juaj është beteja jonë”, thotë diplomati – dhe reporterët e çojnë më tej punën e tyre.
Para se Lu të vinte në Tiranë në fund të vitit 2014, ai iu drejtua shqiptarëve me një videomesazh. Ai foli me një shqipe të rrjedhshme dhe fitoi zemrat e shumë njerëzve. Më në fund, dikush i morri shqetësimet e tij seriozisht, më në fund doli dikush që nuk e lë të qetë politikanët lokalë. Shumë shqiptarë mendojnë për Donald Lu, i cili pëlqen të bëhet personal në shfaqjet e tij. Si një fëmijë emigrant, ai i detyrohej shumë babait të tij. Ai kishte emigruar nga Kina dhe i kishte mundësuar familjes së tij që me punë të vështirë të përmbushte ëndrrën amerikane.
“Atëherë, ti je i korruptuar”
Tani ai po lufton, që ëndrra e tij shqiptare të bëhet e vërtetë: një shtet funksional që, një ditë të largët të bashkohet me BE. Lu ka triumfuar kundër rezistencës e shumicës së politikanëve, për të kaluar reformën për drejtësi në Parlament, por tani ai duhet të jetë i kujdesshëm që ajo të zbatohet. Qëllimi i reformës është që të shqyrtojë rreth 800 gjyqtarë dhe prokurorë për integritetin e tyre moral, kualifikimet profesionale dhe të vërtetojë kontaktet e tyre me botën e nëndheshme. Para fillimit të procedurës, disa oficerë gjyqësorë dhanë dorëheqjen. Sipas një studimi, pasuritë e 81 gjyqtarëve nga Gjykata e Apelit janë pesëfishuar që nga viti 2004.
Të tilla gjyqtarë ka Lu para sysh, kur ai tha në një takim: “Në qoftë se ju mbani një orë në dorë, e cila është më e shtrenjtë se limuzina ime zyrtare, atëherë ju jeni të korruptuar”. Për mbledhjen tjetër zëdhënësit e drejtësisë erdhën pa aksesorët e tyre luksozë. Për Lu nuk ka arsye për t’u çlodhur. Ai sheh dekriminalizimin e drejtësisë dhe të politikës si detyrën e tij më të rëndësishme në Shqipëri. / Tages-Anzeiger
Diskutime rreth kësaj post