Seanca parlamentare që supozohej se do të miratonte krijimin e një grupi pune të përbashkët pozitë-opozitë për hartimin e një reforme zgjedhore të enjten e 5 tetorit përfundoi me përjashtimin e kryetarit të opozitës Lulzim Basha me urdhër të kryeparlamentarit Gramoz Ruçi si dhe me ngujim të grupit të deputetëve demokratë për disa orë në mjediset e kuvendit.
Siç qe rënë dakord më herët, seanca plenare e Kuvendit pritej të miratonte projektvendimin “Për ngritjen e komisionit të posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore”, një komision që do të duhet të shqyrtojë vërejtjet dhe rekomandimet e vjetra dhe të reja të misioneve të vëzhgimit të zgjedhjeve për të propozuar ndryshime ligjore me synimin e sigurimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Nisma për krijimin e komisionit është ndërmarrë nga Partia Demokratike, e cila më herët ka propozuar publikisht krijimin e një sistemi zgjedhor maxhoritar të pastër me 100 zona në të gjithë Shqipërinë. [Link projektvendimi] [Link relacioni]
Maxhoranca parlamentare e përbërë nga Partia Socialiste e pranoi kërkesën për ngritjen e komisionit, por që në hapje të seancës, kreu i opozitës Lulzim Basha deklaroi se partia e tij ka dorëzuar një kërkesë tjetër për debat mbi zgjedhjet.
Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla refuzoi në emër të partisë së tij kërkesën për debat. Një votim i atypëratyshëm solli me votat e shumicës shtyrjen për seancën tjetër të debatit të kërkuar nga PD. Sipas rregullores së Kuvendit, çdo grup deputetësh mund të kërkojnë zhvillimin e një debati, por është seanca ajo që vendos se kur do të zhvillohet ky debat. Megjithëse maxhoranca vendosi shtyrjen e debatit për seancën e ardhshme, Taulant Balla bëri të ditur dëshirën e partisë së tij për të mos lejuar kthimin e parlamentit në një platformë për propagandë nga opozita.
“Unë nuk mund të pranoj që ne të bëhemi instrument i axhendës së Partisë Demokratike”, tha ai.
Refuzimin e zhvillimit të debatit sot, kreu i opozitës Basha e konsideroi mungesë të dëshirës së qeverisë për të debatuar për zgjedhjet dhe tentativë për mbyllje goje. “Ju vini të papërgatitur për debat për një arsye të thjeshtë; sepse ju nuk e doni debatin. Dhe ti ngre kartonat këtu për ti mbyllur gojën opozitës me kartona, por kjo nuk mund të ndodhë kurrë,” tha Basha. Basha refuzoi të largohej nga foltorja e kuvendit duke kërkuar me çdo kusht debat.
Kryetari i ri i parlamentit Gramoz Ruçi, i cili ka premtuar më herët rregull dhe disiplinë në Kuvend urdhëroi përjashtimin e Bashës nga seanca plenare. Basha refuzoi të largohet nga seanca dhe në vend të saj vendosi të qëndrojë në sallën e kuvendit bashkë me deputetët e tjerë të partisë së tij në një formë ngujimi. Deputetët e tjerë u larguan nga kuvendi, ndërsa seanca që pritej të rifillonte në orën 13 nuk u zhvillua dot. Bashkë me moszhvillimin e seancës, edhe projekti i krijimit të komisionit të reformës mbeti i bllokuar.
BIRN
Diskutime rreth kësaj post