Donald Lu ka përdorur fjalë të ashpra ndaj klasës politike shqiptare, por edhe ndaj qeverisjes aktuale. Një qeverie e cila drejtohet nga e njëjta forcë politike dhe i njëjti kryeministër. Para pak ditësh, ai u tha të rinjve të Rrëshenit se, “ju do të më thoni se ajo që duam, është arsimimi. Ne duam punë. Ne duam atë që shohim, çdo ditë, në televizion nga Mbretëria e Bashkuar, nga Gjermania apo Shtetet e Bashkuara. A e dini sesi do t’i merrni të gjitha këto? Ju duhet t’i kërkoni ato. Ju kërkoni punë, siç i kanë ata në Gjermani. Ju prisni ligje kundër korrupsionit, siç i kanë ata në Mbretërinë e Bashkuar. Dhe ju këmbëngulni për liritë personale, siç i kanë ata në Shtetet e Bashkuara. Ju jetoni në demokraci. Nëse ju i kërkoni, qeveria duhet të përgjigjet! Ose ju do ta rrëzoni atë”.
Një ambasador amerikan që bën thirrje për rrëzimin e qeverisë së vendit ku është akredituar, është një akt i fortë edhe për një mjedis si ky yni, ku lajmet gjejnë vakum dhe indiferencë. Ashtu si paraardhësi i tij, Aleksandër Arvizu, edhe Lu ka ardhur duke e ashpërsuar gjuhën, e kjo duket një taktikë e pastër, për të nxitur vëmendjen e fashitur rreth reformës në drejtësi dhe frymës pozitive që ajo solli me vete, para zgjedhjeve të 25 qershorit.
Por deklaratat e ambasadorit amerikan do të mbeteshin në suazën e taktikës, nëse do të synonin vetëm tërheqjen e vëmendjes së opinionit publik. Prej muajsh, duket qartë se ato s’janë më të tilla. Pasi avancimi i kuadrit të reformës, në formën e paketës ligjore përkatëse, të miratuar me konsensus të plotë, e ka futur Shqipërinë, sipas konceptit të perëndimorëve, në një fazë cilësisht të re. Këtë ata e thonë në të gjitha gjuhët me të cilat flitet sot, për vendin tonë në Bruksel, Uashington e gjetkë. Rregullisht, ata po na kujtojnë se, tashmë, asgjë nuk është si më parë.
Afrimi i momentit të hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, shkakton natyrshëm entuziazëm dhe pritshmëri në Tiranë, por ai e ka një çmim. Dhe ne shqiptarët jemi mësuar tashmë me çmimet e kripura, që vendos ndaj nesh Europa dhe SHBA-ja.
Edi Rama ka marrë përsipër një barrë të rëndë në zgjedhjet e fundit. Koncepti i tepsisë së pushtetit, me të cilin ai fitoi bindshëm kundër të gjithëve, por edhe premtimet për pastrimin e administratës dhe luftën ndaj korrupsionit vegjetativ, nuk e përjashtojnë, por e nënkuptojnë edhe luftën ndaj krimit të të gjitha formave. I cili sot, është një emergjencë e trashëguar, e cila ka arritur një pikë moskthimi.
Rama ka sot përballë një panel të dobët kundërshtarësh politikë. Por, nga ana tjetër, ka gjithashtu në tryezë edhe një listë më se angazhuese hallesh e sfidash, të cilat janë “kundërshtarët” e tij të vërtetë. Luftën s’e ka më me Bashën dhe Metën, ata i mundi. Luftën e ka me ato që u premtoi votuesve të tij, në 25 qershor: me papunësinë, krimin, korrupsionin dhe varfërinë.
Kjo situatë ku shteti sfidohet nga banda të të gjitha madhësive, “frymëzimeve” dhe ngjyrave, duhet të marrë fund, sa më parë. Ndodhemi në një pikë thyerje. Ky është edhe mesazhi i thjeshtuar i Donald Lu-së dhe zyrtarëve të tjerë amerikanë e europianë, të cilët e shohin luftën ndaj krimit ordiner dhe atij të organizuar, si një kusht primar për një shtet të pastër, ku drejtësia e pavarur dënon më pas “peshqit e mëdhenj”, siç ka thënë në mënyrë të përsëritur komisioneri Hahn.
Megjithatë, deklaratat e përsëritura të Donald Lu-së nuk akuzojnë një qeveri konkrete, por më shumë një situatë krize të vazhduar, e cila zgjat prej një çerekshekulli. Politikanë që akuzohen, përgjohen dhe filmohen, duke bërë dallavere e korrupsion, e që nuk dënohen. Kriminelë që sfidojnë shtetin para kamerave (si në Elbasan), e që nuk u hyn gjemb në këmbë.
Në këtë kontekst, deklarata e ambasadorit nuk i shton ndonjë element të ri krizës aktuale, por vetëm sa e nënvizon atë fort, me bojë të zezë. Ambasadori amerikan po kërkon që qeveria ta rikapë, sa më parë, punën e nisur me luftën kundër kanabisit, i cili solli rezultate tejet pozitive në pranverë të këtij viti. Rama dhe Xhafaj kanë sot, rastin që ta kthejnë problemin historik të krimit në një oportunitet të ngjashëm me drogën, duke pastruar Vlorën, Elbasanin, Fierin e Durrësin, ashtu siç pastruan magazinat e hashashit në të gjithë vendin, duke shkarkuar edhe zyrtarë të lartë policie e duke shkrirë komisariate. Sepse, nga të gjitha anët, po thuhet e po pranohet se pa një shkundje të tillë masive të aparatit policor të shtetit, ndryshimi nuk mund të vijë. Natyrshëm, pasi të jetë shprehur një vullnet i qartë politik , për ta nisur këtë operacion spastrimi në shkallë kombëtare, ashtu siç kanë bërë vende të tjera rreth nesh.
Fatmir Xhafaj dha një provë të fortë integriteti dhe vendosmërie, kur largoi nga policia dhjetëra oficerë të përlyer me trafiqet e drogës. Është koha që ta bëjë këtë edhe më me forcë, edhe për atë pjesë të policisë që flirton prej vitesh me krimin, duke dekonspiruar hetime, prishur prova dhe mbuluar zullume të të gjitha peshave e kandarëve.
Një rol fort themelor këtë ndërmarrje të vështirë, ka edhe drejtësia. Por jo ajo drejtësi që thotë se nuk fillohen hetimet për sulmin ndaj makinës së policisë në Elbasan, pasi zyrtari i policisë që gjendej në të, nuk u dëmtua fizikisht! Tamam si në atë barsoletën, ku një trup gjyqësor shfajësoi tifozët që shanin arbitrin nga motra, me motivacionin: Arbitri në fjalë, s’ka motër! Kjo lloj drejtësie që e pamë të afishojë hipokrizinë dhe bashkëfajësinë e saj edhe në Elbasan, duhet ndryshuar një orë e më parë. Sepse, më pas, do të kenë të drejtë ata policë që rëndom, të thonë frazën e kudondodhur: I kapim ne, por i lëshon drejtësia!
Diskutime rreth kësaj post