Nga Shpëtim Nazarko
Në një intervistë të dhënë gazetës “Dita” rreth një vit më parë, në këshillën që gazetarja më pyeti për t’ia dhënë kryetarit të opozitës, i thashë thjesht: Basha duhet të vejë në fshat ca kohë për të parë si lëviz mekanizmi i jetës atje.
Këshilla ishte e sinqertë, por dje Rigerta, mirditorja e La Sapienzës, ma vërtetoi katërcipërisht që kisha pasur të drejtë në ironinë time. Pa kaluar disa orë nga fjala e saj, që sipas gjithë shtypit dje tronditi parlamentarët që vetëm në formë rrinë të mbledhur si dhitë në hije, por natyrisht janë diçka tjetër, Basha reagoi duke u përgjigjur se e gjithë kjo ishe një inskenim i pastër i Ramës! Ramës iu turr në krahun tjetër edhe parlamentari tjetër, Ndoka.
Ku po vemë me çmendurinë tonë?
Prisja diçka tjetër në reagimin e Bashës. Mund të justifikohej p.sh. që partia e tij ishte kujdesur për fshatin më shumë se PS-ja, se kishte dhënë subvencione etj., etj.
Vetë do të kisha thënë thjesht se më në fund socialistët, nëpërmjet Ramës, korrigjuan gabimin më të madh politik të bërë në njëzet e pesë vjet të këtij procesi, që gabimisht e quajmë tranzicion, por që në realitet është gjysmëfeudalizëm… Më në fund ata bënë atë që duhej të bënte një parti e madhe që qeveris Shqipërinë. Ia hoqën nga duart bujqësinë, apo ndryshe fshatin, partive të vogla. Ata e merrnin atë si trofe, apo si plaçkë lufte, kur partia fituese pas zgjedhjeve të radhës krijonte qeverinë.
Rama i dha fund kësaj maskarade që nuk duhet të ngjasë më kurrë. Nuk e di pse duhej të vinte edhe Rigertën në këtë plan qeverisjeje, apo për të goditur kundërshtarin politik. Po ta kishte bërë vërtet, do të ishte akoma dhe më mirë…
Po këtu duhen lënë shakatë budallaqe dhe mund të themi pa ngurruar se reagimi i kryetarit të opozitës nuk e kalonte mënyrën e të menduarit të një dhie të Rigertës.
Për të folur seriozisht, nuk është problemi se në fshat rron pesëdhjetë për qind e popullsisë, megjithëse mobilizon një forcë pune po aq të madhe në përqindje. Nga bujqësia e blegtoria, në rastin më të keq të saj, vendi merr 20 e ca për qind të të ardhurave, apo prodhimit kombëtar. Asnjë sektor tjetër i ekonomisë nuk e realizon këtë shifër.
Në pamjen e parë kjo është gjë e mrekullueshme, por sapo t’i hedhësh sytë këtij mekanizmi prodhues, tmerrohesh.
Shqipëria është në vendin e fundit në Evropë dhe me bujqësinë më të prapambetur të saj. Kjo së pari për shkak të aftësive përpunuese që ka bujqësia e saj. Zvicra, me të cilën kemi qejf gjithnjë të krahasohemi, mobilizon ashtu si gjithë Evropa pak forca në bujqësi apo në blegtori, por aftësia përpunuese e saj është e jashtëzakonshme. Vetëm nga njëri prej gjigantëve të saj, që merret me qumështin e nënproduktet tij e që është i shpërndarë në shumë vende të botës, ajo merr rreth njëqind miliardë euro në vit apo dhjetëfishin e prodhimit kombëtar të Shqipërisë.
Krahasimi me Zvicrën duket i ekzagjeruar, po a është ashtu? Në vitin 1936, sipas instituteve të studimit në Romë, ka ca të dhëna të veçanta që kur i shikon të vjen ndërmend krahasimi me të. Sipas këtyre të dhënave në këtë vit, Shqipëria e varfër ia kalonte në numër dhish dhe dhënsh me diferenca të mëdha jo vetëm Zvicrës, por gjithë Evropës. Dhe po të njëjtën gjë bënte edhe me numrin e lopëve për 1000 banorë.
Po mrekullia e Shqipërisë mbaronte këtu. Ashtu si dhe tani, ajo prapë zinte vendin e fundit në Evropë për aftësinë përpunuese të bujqësisë dhe blegtorisë së saj. Periudha e komunizimit duket se rregulloi diçka në fushën e bujqësisë, duke arritur në disa raste rendimente të krahasueshme në misër e grurë me Evropën. Po aftësia përpunuese e saj mbeti po ajo. Hoxha, që bëri investime të dukshme në bujqësi pas viteve ’60, e shkatërroi blegtorinë thuajse tërësisht duke arritur një gjë që do të hyjë në manualet e historisë. Fshatarit i duhej viteve të fundit të sundimit të tij ta blinte në shumicën e rasteve qumështin që i duhej në qytet.
Po periudha e sotme, në pikëpamje të organizimit apo aftësisë përpunuese të bujqësisë dhe blegtorisë, është shumë herë më e keqe se ajo e Hoxhës. Po të shtosh këtu dhe katrahurën që erdhi pas një zbatimi të çmendur të ligjit 7501, që e la fshatarin në shumicën e rasteve në një marrëdhënie të papërcaktuar me pronën, e kupton se tragjedia është shumë herë më e madhe sesa duket në pamjen e parë.
Pyetja më e thjeshtë që del është: Si është e mundur që në një vend ku në shumicën e kohës ka banuar mbi 50 për qind e popullsisë dhe merret gati një e katërta e prodhimit kombëtar të veprohet kështu?
Si është e mundur që njërën prej shtyllave kryesore të ekonomisë kombëtare ta thyesh duke qeshur, e duke u zgërdhirë dhe marrëdhëniet me të t’ua kalosh partive të vogla si trofe pas fitoreve të zgjedhjeve të radhës?
Për ata që e shikojnë këtë shkrim si propagandë, mund të thosha pak gjë. Duke prishur marrëdhëniet në bujqësi dhe blegtori praktikisht Shqipëria ka prishur thjesht atë që quhet kërkesë-ofertë, apo thelbin e ekzistencës së saj.
Është arsyeja e kësaj prishjeje që shpie në mungesën e lëkurës së prodhuar prej deleve a dhive të Rigertës, e pastaj në çmimin e hatashëm të këpucëve tona, të cilat në qytet punëtori i varfër do dhjetë ditë pune për t’i blerë. Aq sa nuk harxhon asnjeri tjetër në çdo cep të globit, pavarësisht sa i varfër është vendi i tij.
Rigerta thonë i përloti anëtarët e parlamentit, por a i trembi siç tremb dhitë e saj kur do t’i çojë në stallë? Nuk e besoj!
Ajo që bëri Basha pas fjalimit të saj e tejkalon të imagjinueshmen… Harroi problemin dhe iu vërvit si gjithnjë kundërshtarit të tij. Mund të thoshte që ne si demokratë u përpoqëm e bëmë rrugë këtej e andej, po socialistët nuk bënë, dhe të justifikohej brenda kuadrit të luftës politike, po as këtë nuk e bëri. Zgjodhi të anatemojë Rigertën, që është në punë të saj, megjithëse ka bërë një shkollë në dhe të huaj po aq të mirë sa ç’e ka bërë dhe ai.
Toni i Rigertës dje në të vërtetë nuk ka qenë ai me të cilin u drejtohet dhive të saj për t’i trembur. Thonë që ajo vetëm i përloti deputetët që ndoshta në origjinë në shumicë vijnë nga fshati, por në marrëdhëniet ndaj tij nuk e kalojnë ndonjëherë edhe kufirin e dhive.
Nuk më çuditi megjiithatë reagimi i djeshëm i Bashës. Po ashtu dhe reagimi i rrjetit mediatik që buçiti si kurrë më parë. Vetëm në portalin tim, klikimet mbi problemet që hodhi Rigerta ishin mbi 300 000 në pak orë. Nuk e di sa kanë qenë në shtypin tjetër, që është akoma dhe më i madh.
Rigerta dhe pastaj interesi kolosal i publikut më kujtoi atë që e kam shkruar edhe një herë tjetër. Në Bullgarinë e viteve ’90 –në një emision ku të gjithë po vajtonin fatin e vendit, një nga diskutantët që ishte dhe poet tha duke kruajtur mjekrën…
Bullgaria nuk vdes, dhe e dini pse? Sepse në fund fshatari që po na dëgjon do të t’i thotë të birit: – Këta janë të gjithë të çmendur, prandaj ngrehu të punojmë Tokën!
Unë besoj të njëjtën gjë dhe reagimi i djeshëm i publikut ndaj Rigertës do të shpjerë në të njëjtin përfundim, apo të paktën do të zgjojë të njëjtën ndjenjë!
Diskutime rreth kësaj post