Diskursi i vrazhdë dhe me përmbajtje ofenduese, me të cilin komunikojnë publikisht individë të skenës politike dhe përfaqësues të partive politike, si dhe dhuna verbale dhe fizike që prodhon ajo, thyejnë të gjitha rregullat e paraqitjes publike si dhe ligjet në fuqi, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike dhe shoqërore në Kosovë.
Politologu Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se diskursi dhe sjelljet, me të cilat përfaqësues të caktuar të partive politike shërbehen në paraqitje publike, reflekton mungesën e intelektualizmit në politikë.
Kjo për faktin se, sipas tij, fjalori i rrugës ose ai personal, po barten në fjalorin publik,nën arsyetimin se është origjinal, por që, siç thotë ai, nuk i takon nivelit të komunikimit publik, i cili ka rregullat e mirësjelljes.
“Fatkeqësisht, Kosova po kalon në një lloj militantizmi dhe krahinorizmi, si dhe në një lloj animi ku argumentet nuk janë me rëndësi dhe ku po çmohet gjuha, kushtimisht thënë, e të fortit. Do të thotë, argumenti i forcës dhe jo argumenti i fjalës. Nuk po çmohet njeriu, i cili flet intelektualist; i cili jep argumentet ngadalë dhe që jep program. Por, mbahet mend ai i cili ka folur një fjalë të madhe, një fjalë të keqe ose ka bërë një gjest, që për mendimin tim, do të ishte primitiv dhe nuk do ta kishte vendin në paraqitjet publike”, thotë Tahiri.
Mendim të përafërt shpreh edhe sociologu Shemsi Reçica. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se diskursi nxitës, me të cilin paraqiten një numër politikanësh në publik, po shkon në një rrugë pa krye. Sipas tij, në vend të ofrimit të argumenteve dhe fakteve në debate të ndryshme publike, ata ofrojnë një fjalor, siç e quan ai, të pistë, i cili është i rëndë, fyes dhe ofendues për bashkëbiseduesit. Kjo, sipas tij, reflekton mjaft keq tek ata që i shikojnë, dëgjojnë ose i lexojnë.
“Pra, unë e shoh këtë si mungesë të punës, të rezultateve të punës, mungesë e argumenteve për t’u ballafaquar me problemet. Kjo, pastaj, kompensohet me fjalë boshe, por me fjalë të rënda, fjalë të pista, që kanë për qëllim, jo ta thonë një të vërtetë, por ta degradojnë dhe mundësisht ta çarmatosin bashkëbiseduesin, para atyre që e shikojnë ose dëgjojnë ose në raste të tjera edhe që e lexojnë”, vlerëson Reçica.
Degradimi i fjalorit publik, në përballje ndërmjet përfaqësuesve të partive politike, ka sjellë edhe përplasje fizike ndërmjet tyre. Kjo ka ndodhur ditën e premte në një emision të drejtpërdrejtë të njërit prej televizioneve vendore, ndërmjet deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi dhe deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Nismës për Kosovën, Milaim Zeka.
Policia e Kosovës, ka raportuar se “se dy meshkuj janë sulmuar mes veti. Njëri prej tyre ka pranuar trajtim mjekësor. Të njëjtit janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit njëri prej tyre është arrestuar dhe dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari tjetër është liruar”.
Kjo përplasje ka nxitur reagime të shumtat qytetarëve në rrjetet sociale, të cilët mbanin anën e njërit ose tjetrit deputet.
Politologu Tahiri thotë se situatat e tilla mund të prodhojnë pasoja tejet negative, duke bartur përplasjet e tilla edhe në shoqëri.
“Po, sepse Kosova, fatkeqësisht, po shkon kah kjo skajshmëri e politikës dhe kah mungesa e dialogut. Duket se pushteti po çmohet me çdo kusht. Nuk po zgjidhen mjetet për të ardhur në pushtet, po edhe për ta mbajtur pushtetin. Te ne, fatkeqësisht, po çmohet njeriu i cili ia arrin qëllimit, pa marrë parasysh se me çfarë mjete, e jo njeriu, i cili i respekton procedurat dhe jo partia, që i respekton procedurat dhe thirret në procedura. Prandaj, ne kemi deklarata politike nxitëse, që janë mbi ligjin”, thekson Tahiri.
Sociologu Reçica shpreh drojën se në një fazë të mëvonshme, përplasjet verbale, por duke mos përjashtuar edhe ato të dhunshme, rrezikojnë të barten edhe në opinion, në rast se nuk ndërmerren masa nga vetë partitë politike, por edhe nga institucionet e ligjit.
“Në qoftë se lejohet në Kuvendin e Kosovës ose në mediet pamore, të flitet në këto përmasa aq të mëdha me një gjuhë fyese, që nuk e pranon populli ynë, atëherë mund të themi që në njëfarë mënyre, drejtpërdrejt po i hapet rruga edhe përdorimit të dhunës”.
“Kjo dhunë, shfaqet në fillim, në studio, siç e pamë ne mbrëmë. Mirëpo, kjo pritet të shfaqet edhe në Kuvend dhe pastaj, prej Kuvendit mund të dalë jashtë Kuvendit, tek ithtarët e personave ose të grupeve politike”, shprehet Reçica.
Politologu Tahiri thekson se situatave që kanë ngjyrime konflikti ndërmjet partive politike, përballë opinionit, po u ndihmojnë edhe disa medie, portale dhe intelektualë, të cilët kanë krijuar raporte klienteliste, të përfitimeve dhe shprehjes së ndikimit. Sipas tij, në gjë e tillë i jep pasqyrë të keqe shoqërisë, gjatë gjithë kohës që askush nuk thirret në ligjshmëri dhe kushtetutshmëri, si dhe nuk i respekton procedurat.
Diskutime rreth kësaj post