Vendimin e marrë nga Televizioni Shqiptar që ka bllokuar sinjalin e transmetimit të punimeve të Kuvendit e ka dënuar me forcë jashtë sallës së Parlamentit edhe ish-kryeministri Sali Berisha.
Sipas tij, ky është një akt kryekëput i Edi Ramës, pasi vetëm ai ka frikë nga fjala e lirë.
“Përbën një atentat të rëndë, akt prej xhelati të fjalës së lirë të parlamentit, gëllçit të zi, por më shumë se të tjerëve, të Ramës së zi. Ky është një vepër e Edi Ramës. Tani përpiqet të mbyllë kanalet televizive. Unë i bëj thirrje me urgjencë të mblidhet kryesia e parlamentit për këtë vendim të pashembullt në historinë e këtij parlamenti.
Dhunim i madh i të drejtës së informacionit. Unë jam këtu për të dënuar këtë akt të papajtueshëm në mënyrë absolute. Vetëm ai që ka frikë të tmerrshme 2.4 milionë vota kundër, mund të marrë vendime të tilla’, u shpreh Berisha.
Më herët edhe kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili ka dënuar mosshpërndarjen e sinjalit të TVSH për të transmetuar punimet e Kuvendit. Në një deklaratë për mediat, Vasili fajësoi kryeministrin Rama duke thënë se vendi tashmë është kthyer në vitin 1997.
“Nuk jam i surprizuar, është në rrugën e asfiksimit, mbylljes së parlamentit, e kthimit të tij në një tempull pa gojë, ku sa më shumë të jetë e mundur duhet që në sytë e shqiptarëve mos hyjnë diskutimet pasi një i paditur që drejton qeverinë duke u trembur nga diskutimet ka bërë gjithçka që të kthejë parlamentin në një sekt ku fjala nuk shpërndahet.
Jemi kthyer në vitin 1997, ku kemi pasur vetëm tvsh, kemi pasur vetëm një qeverisje në atë kohë. Mënyra e organizimit, kapja e tij etj jemi kthyer në situatën e vitit 1997”, tha Vasili.
Diskutime rreth kësaj post