Pas vendimit të TVSH për t’i ndërprerë sinjalin e transmetimit të seancave plenare live në Kuvend televizioneve të tjera, ka reaguar ashpër kryeministri Edi Rama.
Ai ka qenë i pari që mori fjalën në Kuvend, pas zhbllokimit të situatës, ndërsa akuzoi opozitën se kjo e fundit u mbyt me një lugë ujë, pas deklaratave që bëri për këtë çështje.
“Sapo kemi asistuar në një tjetër mbytje të opozitës me një lugë ujë dhe duke pritur që ajo të nxjerr kokën në sipërfaqe të ujit të lugës. Si në çdo vend normal, Kuvendi duhet të ketë televizionin e vet, duhet të ketë shërbimin e vetë për të gjithë të interesuarit që ta marrin këtë shërbim. Si në çdo vend normal dhe shtet demokratik, ku në çdo parlament demokratik, ky shërbim jepet nga ekrani i kuvendit është koha që kjo të bëhet edhe në Shqipëri. Si në çdo vend tjetër nuk mund të ketë 25 kamera në sallën e Kuvendit, nuk është nevoja për këto shpenzime të aktorëve mediatik. Këtu mjafton një regji televizive e Kuvendit dhe kjo regji ia jep atyre që kanë dëshirë ta transmetojnë të plotë, të pjesshëm çdo veprimtari të Kuvendit”, u shpreh Rama.
Më tej ai shtoi se ligji që i imponon TVSH dhënien falas të veprimtarisë së kuvendit është një adoptim në kushtet e demokracisë i një situatë komuniste. Sipas tij këtu fillon dhe mbaron gjithçka.
“Kërkesa e TVSH për t’ua shitur apo imponuar televizioneve private një fature ose dhënien e sinjalit me logon e TVSH është diçka që i takon të shkuarës. Sepse asnjë tv, qoftë publik apo privat nuk mund të ketë këtë ekskluzivitet. Kjo është e thjeshtë mjafton që Kuvendi të marrë nga TVSH për sa kohë të ngrejë infrastrukturën e vetë sa të ngrejë infrastrukturën e vet”, tha Rama.
Ish kryeministri Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama se fshihet pas këtij vendimi, të cilin e quajti “akt të paprecedentë që synon të asfiksojë lirinë e medias” ndërkohë kreu i grupit parlamentar Petrit Vasili tha se vendi tashmë është kthyer në vitin 1997.
Diskutime rreth kësaj post